Dr. Danica Popovska: Dhimbja e fortë kronike e pjesës së poshtme të shpinës e cila nuk kalon me trajtim konservativ pas 6-12 javësh, çon në trajtim kirurgjikal (3)

Ndërhyrja kirurgjikale rekomandohet gjatë dhimbjeve të forta, gjë që e dëmton funksionimin ose aftësinë për punë të pacientit. Dhimbje të lehta dhe të moderuara të cilat qetësohen me terapinë konservative, pas së cilës pacienti ka periudha relativisht pa dhimbje, nuk rekomandohet trajtimi kirurgjikal.

Ekzistojnë shumë lloje të ndryshme trajtimi për dhimbjen e pjesës së poshtme të shpinës, varësisht nga shkaku i dhimbjes, gjendjes dhe nevojave të pacientit. Për pacientë të ndryshëm, efekt të mirë mund të kenë lloje krejtësisht të ndryshme të trajtimit. Në shumë pacientë, efekti më të mirë ka kombinimi i llojeve të ndryshme të trajtimit.

Shkruan: Dr. Danica Popovska, specialiste e ortopedisë.

Gjatë shfaqjes së dhimbjes akute si rezultat i tërheqjes së muskujve, si dhe gjatë çdo sulmi të dhimbjes kronike për të cilën pacienti e din shkakun, ose tashmë është diagnostikuar, paraqitja tek mjeku nuk është e detyrueshme. Në raste të tilla ka ndërhyrje të thjeshta që do të ndihmojnë në qetësimin ose zvogëlimin e dhimbjes. Gjatë tërheqjes së muskujve, dhimbja zvogëlohet me një periudhë të shkurtër pushimi dhe me shmangien e përpjekjeve të rënda fizike. Pushimi prej më shumë se disa ditë nuk rekomandohet, pasiqë pasiviteti mund të shkaktojë probleme të cilat e bëjnë të vështirë rikuperimin. Nëse dhimbja provokohet nga ndonjë aktivitet ose pozitë, është e nevojshme të modifikohet aktiviteti. Për shembull, nëse dhimbja shfaqet gjatë të qëndruarit ulur shumë gjatë, është e nevojshme që pacienti të ngrihet dhe lehtë të zgjatet, ose të ecë nëpër dhomë çdo gjysmë ore.

Terapia e nxehtë ose e ftohtë – pacientë të ndryshëm mund të konstatojnë se dhimbja zvogëlohet gjatë përdorimit të fashave të ngrohta ose të ftohta. Fashat e ngrohta ndihmojnë veçanërisht gjatë spazmë së muskujve. Gjatë vendosjes së aktivitetit fizik, mund të përdoren fashat alternarive – fashat e ngrohta para se të fillohet me ushtrimet, pasiqë ato do të përmirësojnë qarkullimin dhe do të ndihmojnë që muskujt të relaksohen, ndërsa fashat e ftohta pas aktivitetit për të zvogëluar inflamacionin e muskujve pas ushtrimeve.

Ilaçet për dhimbje të cilat janë të disponueshme pa recetë mjekësore – si paracetamoli, ibuprofeni ose aspirina – mund të përdoren edhe pa konsultimin me mjekun në rast të dhimbjes akute të lehtë nga zgjatja e muskujve ose gjatë sulmit të dhimbjes kronike e cila ishte diagnostikuar më parë nga mjeku.

Në rastet kur pacienti nuk është i sigurt në lidhje me shkakun e dhimbjes ose me zgjedhjen e ndonjërës prej këtyre procedurave, ai duhet të vizitohet te mjeku.

Trajtim konservativ 

Në trajtimit të dhimbjeve të pjesës së poshtme të shpinës, përdoren më shumë metoda konservative – barna, terapi fizike, metoda të ndryshme alternative.

Barnat më të përdorura janë barnat anti-inflamatore jo steroide, të cilat e reduktojnë dhimbjen dhe inflamacionin lokal. Mund të përdoren edhe analgjetikët opioid, të cilët zakonisht përdoren tek dhimbjet akute të forta, ndërsa nuk luajnë shumë rol të rëndësishëm në trajtimin e dhimbjeve kronike. Lloj tjetër i barnave janë relaksuesit e  muskujve, të cilat i reduktojnë spazmat e muskujve dhe ndihmojnë në situatat ku dominon kjo simptomë. Barnat anti-inflamatore (steroide) nganjëherë përdoren për të zvogëluar inflamacionin e shoqëruar me irritimin e rrënjëve nervore.

Përdorimi i paisjeve ortopedike (korset, rripa) mund të ndihmojë në zvogëlimin e dhimbjes mekanike të pjesës së poshtme të shpinës dhe zakonisht përdoret kombinimi i medikamenteve të sipërpërmendura. Ato gjithashtu përdoren edhe gjatë mjekimit të frakturave ose intervenimeve të caktuara kirurgjikale. Megjithatë, përdorimi i tyre në trajtimin konservativ të dhimbjes duhet të jetë afatshkurtër, për të tejkaluar sulmet akute të dhimbjes.

Terapia fizikale

Terapia fizikale shpesh përdoret në trajtimin e dhimbjeve të pjesë së poshtme të shpinës, vetëm ose në kombinim me terapinë me medikamente.

Kjo mund të përfshijë programe pasive siç janë masazhet, ultratingujt ose elektrostimulimin. Terapia aktive përbëhet nga ushtrimet e zgjatjes, ushtrime kardiovaskulare, ushtrime për forcimin muskujve të shpinës dhe të barkut, ushtrimet për të rivendosur lëvizshmërisë,
hidroterapi.

Disa pacientë kanë përmirësime edhe me disa programe të tjera ushtrimesh si pilates, yoga ose tai chi. Ekzistojnë edhe metoda të tjera alternative për trajtimin e dhimbjeve të pjesës së poshtme të shpinës, të lartë përmendurat nuk janë gjithëpërfshirëse.

Trajtimi kirurgjikal i dhimbjes në pjesën e poshtme të shpinës

Për trajtimin kirurgjikal të dhimbjes në pjesën e poshtme mendohet vetëm pas dhimbjes së fortë kronike që nuk kalon me trajtimin konservativ pas 6-12 javësh. Ka pak raste tek të cilat kërkohet ndërhyrje e menjëhershme, si lëndime ose çrregullime të funksionit të nervave me paralizë të muskujve dhe humbje të kontrollit të urinimit, si dhe zbrazjen e zorrës së trashë. Në shumicën e rasteve të tjera, vendimi për ndërhyrjen kirurgjikale varet nga nevojat dhe dëshirat e vet pacientit.

Vendimi për ndërhyrjen kirurgjikale varet nga disa faktorë. Është shumë e rëndësishme që të përcaktohet shkaku i saktë i dhimbjes, domethënë ndryshimet të jenë të dukshme në inçizimet. Nëse nuk gjendet ndonjë ndryshim definitiv, nuk rekomandohet ndërhyrja kirurgjikale. Ndërhyrja kirurgjikale rekomandohet gjatë dhimbjeve të forta, gjë që e dëmton funksionimin ose aftësinë për punë të pacientit. Dhimbje të lehta dhe të moderuara të cilat qetësohen me terapinë konservative, pas së cilës pacienti ka periudha relativisht pa dhimbje, nuk rekomandohet trajtimi kirurgjikal.

Ekziston një numër i madh i llojeve të ndryshme të intervenimeve kirurgjikale për trajtimin e dhimbjeve të pjesës së poshtme të shpinës, varësisht shkakut të dhimbjes dhe gjendjes së përgjithshme të pacientit.

Një grup i madh janë të ashtuquajturat ndërhyrje dekompresive për gjendjet tek të cilat shkaku kryesor i dhimbjes është presioni mbi strukturat nervore, si për shembull në herninë e diskut intervertebral. Në këto ndërhyrje, largohet indi i cili i shtyn nervat. Këto ndërhyrje janë më pak invazive, pasuar nga një periudhë e shkurtër rehabilitimi dhe kthimi i shpejtë në aktivitetin e përditshme. Një tjetër grup i madh i ndërhyrjeve janë edhe ndërhyrjet e fuzionit kurrizor (bashkimi i segmenteve, domethënë dy ose më shumë vertebra fqinje për gjendjet si spondilolisteza, deformimet etj.). Tek këto ndërhyrje, largohen indet e buta midis vertebrave dhe bashkohen me ndihmën e metalit, kockave ose zëvendësues kockash, përmes një sërë teknikash, varësisht nga gjendja e pacientit. Këto ndërhyrje janë më të thella se ndërhyrjet e dekompresionit dhe pasohen nga periudha më të gjata shërimi dhe rehabilitimi.

Përveç këtyre llojeve më të përdorura të intervenimeve kirurgjikale, ekzistojnë edhe ndërhyrje të tjera për disa gjendje. Me përparimin e mjekësisë dhe teknologjisë, këto ndërhyrje përmirësohen çdo ditë, duke zvogëluar kështu invazivitetin dhe ndërlikimet, ndërsa rrisin efikasitetin.