Dr. Danica Popovska: Sëmundja degjenerative e diskut intervertebral është një nga shkaqet e dhimbjes kronike të pjesës së poshtme të shpinës (2)

Dhimbja shfaqet atëherë kur, proceset e çrregullimeve dhe degjenerimit t'i kapërcejnë mekanizmat natyror për shërimin e indeve

Dhimbja kronike në pjesën e poshtme të shpinës shfaqet atëherë kur, proceset e çrregullimeve dhe degjenerimit t’i kapërcejnë mekanizmat natyror për shërimin e indeve. Dhimbja kronike shoqërohet edhe me simptoma të tjera, si pagjumësia, irritimi dhe të ngjashme.

Shkruan: Dr. Danica Popovska, specialiste e ortopedisë

Shkaktarë e dhimbjes kronike të pjesës së poshtme të shpinës janë të shumta dhe mund të shfaqen si pasojë e çrregullimeve të çdo pjese të shtyllës kurrizore, muskujt dhe ligamentet lidhëse ose kombinimi i tyre. Çrregullimet e tilla mund të jenë:

  • Sëmundja degjenerative e disqeve intervertebrale – disqet janë në një lloj jastëku midis vertebrave, të cilat kanë përmbajtje të lartë të ujit dhe e amortizojnë stresin nga pesha trupore e cila transmetohet përmes shtyllës kurrizore në drejtim të legenit dhe këmbëve. Me kalimin e viteve, përmbajtja e ujit zvogëlohet, ato degjenerohen, e humbin elasticitetin, gjë që bën të ndjeni dhimbje në këto segmente. Mund të ndodhë dëmtimi i disqeve, duke shkaktuar ngushtimin e kanalit kurrizor dhe llojeve të ndryshme të presionit mbi nervat;
  • Hernia diskale lumbare – Kur disku intervertebral të fryhet ose çahet, bërthama e butë del dhe bën presion dhe irritim të rrënjëve nervore dhe dhimbje të këmbëve;

Çrregullimi i nyjeve të facetit – në mes të çdo dy vertebrave fqinje në pjesën e prapme ka dy nyje të vogla, të cilat kanë kërc nyjor, mbështjellës dhe lidhje nyjore, të cilat janë mjaft të furnizuara me nerva. Sëmundjet degjenrative të këtyre nyjeve shkaktojnë dhimbje mekanike të pjesës së poshtme të shpinës, të cilat mund të izolohen ose të shoqërohen nga dhimbja e diskut ndërvertebror;

  • Stenoza e shtyllës kurrizore – është ngushtimi i kanalit kurrizor ku kalojnë rrënjët nervore dhe mund të paraqitet në një ose më shumë nivele. Dhimbja zakonisht përhapet në këmbë, varësisht nga segmenti që është i zënë dhe është më i theksuar gjatë lëvizjes;
  • Spondilolisteza – është zhvendosja e vertebrave në raport me njëri-tjetrin. Shkakton dhimbje në shpinë për shkak të jostabilitetit dhe irritimit lokal të strukturave në atë pjesë të shpinës ose dhimbje të këmbëve për shkak të presionit të nervave të cilat dalin nga ajo pjesë e shtyllës kurrizore;
  • Deformimi – lakimi i shtyllës kurrizore – degjenerimi i diskut dhe nyjeve të facetit mund të çojë në shtrembërimin e vonshëm të shtyllës kurrizore dhe përkeqësimin e degjenerimit ose shfaqjen e jostabilitetit dhe çrregullimi i pozicionit të trupit me përkeqësimin e dhimbjeve;
  • Trauma – frakturat ose zhvendosja e vertebrave si rezultat i lëndimit shkaktojnë dhimbje akute, për të cilat është i nevojshëm ekzaminimi dhe trajtimi i menjëhershëm;
  • Frakturat kompresive – frakturat e vertebrave cilindrike, tek të cilat kocka shkatërohet pa ndonjë traumë të rëndësishme, zakonisht për shkak të osteoporozës. Ata mund të shkaktojnë papritmas dhimbje dhe më të zakonshme janë tek personat e moshuar;

Gjithashtu, dhimbja në shpinë ose në këmbë mund të shfaqet edhe për shkak të sëmundjeve tjera, në organe të tjera jashtë sistemit muskulo-skeletor. Për shembull, gurët në veshka ose tumoret në pjesën e pasme të stomakut mund të manifestohen si dhimbje të pjesës së poshtme të shpinës. Dhimbjet në këmbë mund të vijë edhe nga çrregullimet e qarkullimit të gjakut (klaudikacioni). Prandaj, është e nevojshme që gjatë dhimbjes kronike të bëhen ekzaminime për të përcaktuar shkaktarin e saktë të dhimbjes.

Nganjëherë është e mundur që të mos përcaktohet shkaku definitiv i dhimbjes. Në raste të tilla, trajtimi fokusohet në mjekimin e simptomave dhe përmirësimin e cilësisë së jetës. Në dhimbjen kronike, trajtimi e zvogëlon intensitetin dhe frekuencën e dhimbjes dhe e parandalon progresin e sëmundjes.

Ndonjëherë, pas inçizimeve të bëra mund të vihet re ndonjë nga gjendjet e përmendura më lartë, ndërsa pacienti të mos ketë simptoma ose shkaku i dhimbjes të jetë diçka tjetër.

Caktimi i diagnozës

Përcaktimi i shkaktarit të saktë të dhimbjes është i rëndësishëm për zgjedhjen e mënyrës së trajtimit të pacientit. Në fillim, pacientit i kërkohet të japë një përshkrim të hollësishëm për mënyrën se si filloj dhimbja, intensiteti dhe kohëzgjatja e dhimbjes, si dhe prania e simptomave të tjera. Gjithashtu, të rëndësishme janë edhe të dhënat për profesionin e pacientit (nëse ka të bëjë me të qëndruarit ulur gjatë, ngritjen e ngarkesave), aktiviteti fizik ose dëmtime të mundshme.

Kontrolllimi i pacientit është i rëndësishëm për përcaktimin e shkakut të dhimbjes. Zakonisht konsiston në përcaktimin e funksionimit të të gjitha grupeve të muskujve të këmbëve (për shembull, ngritja e gishtave dhe thembrave, shtrirja dhe mbledhja e gjurit, përhapja e ijeve) dhe kontrollimi i ndjeshmërisë dhe reflekset e këmbëve. Gjithashtu, kontrollohet lëvizshmëria e belit dhe nyjeve të këmbëve, si dhe shfaqja e dhimbjes gjatë shtrirjes së nervave ose presioni në vendet ku kalojnë nervat.

Zakonisht, anamneza (të dhënat e pacientit) dhe ekzaminimi i detajuar lejojnë që të përcaktohet shkaku i dhimbjes së pjesës së poshtme të shpinës edhe pa ekzaminim të mëtejshëm. Në një numër të vogël rastesh janë të nevojshme edhe kontrolle të tjera për të zbuluar shkakun e dhimbjes. Sidoqoftë, tek pacientët me dhimbje kronike lumbale shpesh kryhen edhe ekzaminime të tjera për të përcaktuar nivelin e saktë të çrregullimit, shkallën e përparimit të çrregullimit, ose, nëse është e nevojshme të bëhet plani për trajtimin kirurgjikal.

Ekzaminime shtesë

Testimet më të zakonshme që përdoren janë si më poshtë:

Imazhe me rreze X të pjesës lumbale të shtullës kurrizore – ato mund të tregojnë çrregullime si spondiloartrozë, fraktura, zhvendosja e vertebrave (spondilolisteza), zvogëlimi i gjatësisë së diskut ndërvertebror dhe deformime të tjera.

Tomografi kompjuterike – kjo metodë gjithashtu përdor rrezet X që kalojnë përmes shtyllës kurrizore dhe pastaj analizohen me program kompjuterik, nga çka merren informacion të detajuar për pjesën e kockore të shpinës, llojet e frakturave ose zhvendosjes së tyre ose ekzistencës së ndonjë tumori.

Rezonancë magnetike – me këtë metodë, e cila nuk përdor rrezatimin me rreze X, në mënyrë të detajuar paraqiten indet e buta të shtyllës kurrizore, shihet gjendja e disqeve ndërvertebrore, ligamenteve, nyjeve, nervave dhe mbështjellësit e trurit në kanalin kurrizor.

Injeksione lokale në zonën e shtyllës kurrizore – Gjatë kontrollit me rreze X injektohet anestetik lokal me steroid në zonën e strukturave të caktuara anatomike – nyjet e facetit ose rreth rrënjëve nervore. Në këtë mënyrë ato përdoren për diagnostifikimin – përcaktohet burimi i dhimbjes (nëse dhimbja zvogëlohet, kjo vjen nga struktura ku vendoset injeksioni) dhe në lehtësimin e dhimbjeve veprojnë edhe terapeutikët.

(Vijon: Trajtimi i dhimbjes së pjesës së poshtme të shpinës)