Shkruan: Dr. Elizabeta Babushku
Radiodiagnostikuese-subspecialiste e mamografisë
Kur bëhet vetë-ekzaminimi
- Dy ditë pas përfundimit të ciklit menstrual, gjatë ciklit të rregullt menstrual.
- Ata që marrin pilula kontraceptive ekzaminimin duhet ta bëjnë me tabelën e parë nga kutia e re.
- Nëse gruaja është në menopauzë, ekzaminimi duhet të bëhet çdo muaj në të njëjtën datë.
Si bëhet vetë-ekzaminimi
Qëndroni përpara një pasqyre të madhe dhe vëzhgoni gjinjtë në disa pozicione:
♦♦♦ Me duart e lëshuara përkrah trupit
♦♦♦ Me shuplakat e vendosura në ije
♦♦♦ Me duart e ngritura mbi kokën
♦♦♦ Me shpatulla të hedhura mbas shpine
♦♦♦ Shtrihuni në shpinë dhe vendosni jastëk nën njërën shpatull. Dorën që është nga ana ku është vendosur jastëku, ngrijeni dhe vendoseni nën kokën tuaj.
♦♦♦ Me majën e gishtit tregues, të mesëm dhe gishtin e unazës së dorës së lirë kryeni lëvizje rrethore, me presion të ndryshëm, në varësi të faktit nëse vini re struktura sipërfaqësore ose të thella të gjirit.
♦♦♦ Presioni i gishtave duhet të jetë përshtatshëm me qëllim që të jetë në gjendje të ndjehet dhe të njihet struktura e gjirit.
♦♦♦ Kontrolloni me lëvizje lart-poshtë ose me lëvizje drejt dhe nga thithat.
♦♦♦ Të njëjtin vetë-ekzaminim bëjeni edhe në gjoksin tjetër.
♦♦♦ Të njëjtën gjë aplikojeni edhe në pozicionin duke qëndruar në këmbë.
Nëse vëreni ndonjë ndryshim, menjëherë shkoni për vizitë tek mjeku
Dhjetë arsye për mamografinë
Mamografia është metodë me rreze të ulta me rreze X dhe është standardi i artë për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit dhe ndryshimeve të tjera patologjike në gji.
- Jo gjithmonë mund të ndjeni gungën në gjoksin tuaj. Mamografia mundëson që gunga të zbulohet deri në dy vjet para se të ndjehet gjatë prekjes.
- Zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit nënkupton gjasa edhe më të mëdha të kurimit.
- Mamografia është procedurë e shpejtë që nuk zgjat më shumë se 20 minuta.
- Ekzaminimi është pa dhimbje dhe nuk shkakton siklet.
- Edhe pse shumica e femrave mendojnë se rrezet X janë shkaktarë potencial të kancerit, mjetet bashkëkohore të mamografisë ofrojnë kontroll të sigurt, pa efekte anësore.
- Mamografia është procedurë e rekomanduar diagnostikuese për gratë me histori familjare të kancerit të gjirit (nëna, gjyshja, motra, tezja), sidomos pra gratë që mbartin gjenin e mutuar BRCA1 / BRCA2.
- Ekzaminimin mamografik gjithashtu duhet ta kryejnë edhe të gjitha gratë që marrin ose kanë marrë terapi hormonale për trajtimin e infertilitetit dhe sëmundjeve të ngjashme gjinekologjike.
- Mosha ndikon në incidencën e shfaqjes së kancerit të gjirit. Prandaj, ekzaminimin e parë mamografik duhet ta kryhej çdo grua midis moshës 35 dhe 40 vjeçare, çdo dy vjet. Ekzaminimin duhet ta bëjnë edhe gratë që nuk ndjejnë asnjë simptomë.
- Studimet kanë treguar se deri më tani ekzaminimi mamografik është metoda e vetme për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, i cili mund të shpëtoj jetë.
- Bëhuni shembull. Nëse bëni mamografi të rregullta, gratë përreth jush do të inkurajohen të bëjnë të njëjtën gjë.