Dr. Emilija Hristovska
Specialiste e mjekësisë profesionale
Me ekzaminimet mjekësore parandaluese, domethënë me ekzaminimet sistematike, përcaktohet gjendja shëndetësore e punonjësve dhe aftësia e tyre për punë dhe rekomandohen aktivitete dhe masa për mbrojtjen dhe promovimin e shëndetit.
Këto kontrolle në Maqedoni janë detyrim ligjor i punëdhënësit, në përputhje me zbatimin e rregulloreve evropiane dhe Ligjit për siguri dhe shëndet gjatë punës, dhe kryhen në intervale kohore specifike (12, 18 dhe 24 muaj) në varësi të vendit të punës dhe rreziqeve profesionale specifike ndaj të cilave janë të ekspozuar punonjësit.
SËMUNDJET MË TË ZAKONSHME SIPAS FREKUENCËS DHE VDEKSHMËRISË
Shqyrtimet sistematike nuk janë të nevojshme vetëm për shkak të legjislacionit, por edhe për shkak të rritjes së vazhdueshme të listës së sëmundjeve të vlerësuara sipas shpeshtësisë dhe vdekshmërisë.
Sot, sipas shpeshtësisë dhe vdekshmërisë, në vend të parë qëndrojnë sëmundjet e sistemit kardiovaskular, pasuar nga sëmundjet malinje, më pas nga sëmundjet e frymëmarrjes, reumatike dhe sëmundjet tjera. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shkaktarët më të zakonshëm të vdekjes janë: sëmundja ishemike e zemrës, sulmi në tru, sëmundja pulmonare obstruktive kronike, infeksionet e traktit të poshtëm respirator, kanceri i mushkërive, trakeja dhe bronket, diabeti.
Ndër faktorët e rëndësishëm që kontribuojnë në këto sëmundje, përveç predispozitave gjenetike, janë: mënyra jo e shëndetshme e jetesës, kequshqyerja, stresi, pirja e duhanit, aktiviteti jo i mjaftueshëm fizik dhe zbatimi i papërshtatshëm dhe marrja e masave parandaluese. Rritja e frekuencës së tensionit të lartë të gjakut, diabeti, mbipesha dhe yndyra e lartë në gjak, çojnë në dëmtimin e enëve të gjakut, infarktin e miokardit, kardiomiopatinë dhe sulmin në tru.
ÇFARË ËSHTË EKZAMINIMI PARANDALUES DHE PSE DUHET TA BËNI
Kontrollet sistematike, përveç se ofrojnë diagnostikimin e faktorëve të rrezikut në fillimin e ndonjë sëmundjeje, si dhe sugjerime që i referohen mënyrës së shëndetshme të jetesës kanë rëndësi të madhe në zbulimin e hershëm të sëmundjeve të ndryshme siç është hipertensioni, diabeti, yndyra e lartë në gjak, cerma, sëmundjet inflamatore të veshkave dhe mëlçisë.
Me zbulimin e hershëm të këtyre gjendjeve dhe marrjen e masave të duhura për trajtimin e tyre të përshtatshëm, mund të parandalohet ndjeshëm shfaqja e sëmundjeve më të rënda siç është sulmi në zemër, sulmi në tru, gangrea e këmbëve, dëmtimi i dukshëm i shikimit dhe dëgjimit, si dhe të ulet vdekshmëria në këto gjendje.
ÇELËSI ËSHTË ZBULIMI I HERSHËM I SËMUNDJEVE
Diagnostifikimi i hershëm është çelësi për parandalimin, trajtimin dhe mjekimin efektiv, ndërsa ekzaminimet parandaluese ose sistematike dhe skrining-testet e shumta rutinë janë mënyra e vetme për të zbuluar shenjat e hershme të çrregullimit shëndetësor, mundësisht në një fazë të kthyeshme. Kjo është veçanërisht e rëndësishme, thotë bashkëbiseduesja jonë, për zbulimin e hershëm të sëmundjeve malinje siç është kanceri i gjirit, gjëndrës tiroide, qafës së mitrës, prostatës, traktit gastrointestinal, etj., pasiqë zbulimi i hershëm i tyre mund të sigurojë shërim të plotë.
Përmbajtja dhe elementet e kontrolleve sistematike janë të ndryshme, por zakonisht ato përfshijnë:
- Analizat laboratorike të gjakut dhe urinës
- Ekzaminimi klinik i të gjithë trupit me histori familjare dhe personale
- Diagnostikimi fizik me dëgjimin e zemrës dhe mushkërive
- Matja e tensionit të gjakut
- EKG
- Ekzaminime antropometrike dhe BMI
- Spirometria
- Audiometria
- Ekzaminimi oftalmologjik dhe përcaktimi i funksionit të të shikuarit
- Ekzaminimi neurologjik
- Ekzaminimi i otorinolaringologut dhe testimi psikologjik
Megjithatë, struktura e kontrollit sistematik duhet të varet nga mosha, gjinia, si dhe nga fakti nëse ekzistojnë sëmundje të caktuara në familjen e atij që është duke u kontrolluar.
INDIVIDUALIZIMI DHE SHQYRTIMI I PLOTË
Me individualizimin e kontrollit sistematik, fitohet një cilësi dukshëm më e mirë e ekzaminimit. Ekzaminim i plotë sistematik, i cili zakonisht kryhet tek ata të cilët janë të ekspozuar çdo ditë ndaj stresit dhe kanë jetë dinamike, duhet të përfshijë edhe ekzaminime shtesë si, ekzaminim të plotë kardiologjik me ekokardiografi dhe sipas indikacionve stres-test, ekzaminim me ultratinguj të gjëndrës tiroide, ekzaminim me ultratinguj të barkut, gjinjëve, mamografi sipas indikacionit klinik (tek femrat mbi 40 vjeç), ekzaminimi i plotë gjinekologjik (ekzaminimi me ultratinguj, PAP-test, kolposkopi dhe briset vaginale), ekzaminimet urologjike përfshirë ekzaminimin me ultratinguj dhe përcaktimin e PSA (për meshkujt mbi 40 vjeç) dhe tumor shënuesit sipas indikacionit klinik.
PËR JETË MË TË GJATË DHE MË CILËSORE
Përveç mënyrës së shëndetshme të të jetuarit, ekzaminimet mjekësore parandaluese janë masë e rëndësishme dytësore për parandalimin e sëmundjeve të ndryshme dhe përmirësimin e cilësisë së jetës. Përgjegjësia dhe investimi në shëndetin e vetë duhet të jetë domosdoshmëri për çdo individ, ndërsa kjo do të rezultojë në jetë më të gjatë dhe më cilësore.