Shkruan: Dr. Fanka Gilevska
specialist – oftalmolog
Keratokonusi është sëmundje progresive e kornesë që manifestohet nga dobësimi dhe nga theksimi i kornesë në formën e një koni. Si pasojë e kësaj forme, drita thyhet në mënyrë të parregullt kur hyn në sy, duke shkaktuar shtrembërimin e imazhit.
Shkaktarët e shfaqjes
Shkaktarë për këtë është mutacioni i gjeneve përgjegjëse për strukturën e kornesë, që në thelb është e dobët dhe e prirur për deformime. Kornea e tillë mund të fitojë keratokonusin në qoftë se ajo është e ekspozuar ndaj faktorëve të caktuar nga mjedisi që e shkaktojnë atë.
Faktorët që e nxisin këtë gjendje janë: kruajtja e ashpër e syve (fërkimi mekanik i kornesë), alergjitë e shpeshta, inflamacione dhe irritime nga mjedisi.
Hulumtimet e reja rëndësi të veçantë u japin hormoneve në zhvillimin e keratokonusit. Kështu, kortizoli (hormoni i stresit) konsiderohet si një nga shkaktarët kryesorë të jetesës moderne. Gjithashtu, ekuilibri i estrogjeneve dhe progesteronit gjatë shtatëzanisë, mund të shkaktojë progres të shpejtë të sëmundjes.
Simptomat
Simptomat fillestare janë: fokusimi i vështirë gjatë natës, shpërndarja e dritës rreth një burimi të dritës në formën e aureolës ose yjeve. Në dritën e ditës, nga ana tjetër, shfaqet foto-ndjeshmëria ose mbindjeshmëria ndaj dritës. Në kontrollet te oftalmologu mund të vihet re rritja e shpejtë e dioptrisë dhe cilindrit, ose ndryshimi në boshtin e cilindrit. Ata që mbajnë thjerrëza bëhen tepër të ndjeshme ndaj thjerrëzave, por më pas edhe me çfarëdo pajisje (syze ose thjerrëza) nuk arrijnë shikim të mirë.
Në një fazë shumë të avancuar të sëmundjes, kur kornea të bëhet shumë e hollë, në të mund të shfaqen çarje të vogla, gjë që shkakton dhimbje në sy dhe shikim të turbullt.
Trajtimi
Metoda crosslinking (corneal collagen cross-linking ose CXL) është ndërhyrje e syrit që kryhet për të ndaluar ose ngadalësuar progresin e mëtejshëm të sëmundjes. Tek të rinjtë nën moshën 30 vjeçare, ndërhyrja kryhet menjëherë!
Metoda realizohet si më poshtë:
- Hiqet epiteli (shtresa e jashtme mbrojtëse e kornesë);
- Vendosen pika riboflavin (vitaminë B2), derisa të mbushet e tëra (si një sfungjer);
- Nëpërmjet rrezatimit ultraviolet rrezatohet kornea, deri sa të aktivizohet riboflavina në të.
Kjo metodë zgjat 60 deri në 90 minuta, kryhet sipas një protokolli të përcaktuar në mënyrë të saktë (Dresden Protocol) për rezultate më të mira.
Vet metoda nuk është e rrezikshme për syrin apo shikimin, mund të kryhet shumë herë, por zakonisht nevojitet vetëm një cross-linking gjatë jetës, pasiqë efektet e tij zgjasin për rreth 20 vjet.
Studimet kanë treguar se në 99% e pacientëve, kornea mbetet e qëndrueshme ose ka përmirësim në lidhje me formën e konit (nivelim), gjë që është shumë e rëndësishme, sepse çon në përmirësimin subjektiv të shikimit, zvogëlimit të dioptrisë, duke bërë që pajisjet (syzet ose thjerrëzat optike) të jenë më mira dhe mundësojnë korrigjim më të mirë të shikimit. Metoda crosslinking mundëson që tek njerëzit me keratokonus shumë progresive kornea të ruhet, që përndryshe mund të çoj në humbjen e shikimit, si dhe nevojën për transplantim urgjent të kornesë.
Trajtimi postoperativ
Pas ndërhyrjes, pacientët mbajnë thjerrëza të buta për disa ditë, derisa të shërohet shtresa sipërfaqësore e syrit (epiteli). Ndërsa si terapi përdoren pikat antibiotike dhe pikat anti-inflamatore për rreth 6 javë. Kontrollet kryhen në dy javë për shkak të matjes së tensionit intraokular dhe ekzaminimit të kornesë, shërimit, si dhe riboflavinës në të. Vetëm disa ditë pas ndërhyrjes, pacientët mund t’u kthehen punëve dhe obligimeve jetësore.
Efektet e cross-linking në lidhje me forcimin dhe rrafshimin e kornesë shfaqen gradualisht, që nga dita e ndërhyrjes, deri në 6-8 muajt e ardhshëm, por madje edhe pas një vit pas ndërhyrjes. Në ditën e ndërhyrjes, vetëm aktivizohet riboflavina (substanca fotoaktive), e cila pastaj krijon lidhje kimikisht të forta në strukturën e kornesë për disa muaj. Kjo është arsyeja pse kontrollet bëhen disa muaj pas ndërhyrjes.
Mprehtësia e shikimit
Ajo që u intereson më së shumti personave me keratokonus është nëse ata mund të shohin më mirë dhe kur. Trajtimi i keratokonusit është i ngadalshëm dhe kërkon durim. Në fund, pasi të kemi arritur një korne të fortë dhe të rrafshët përmes metodës cross-linking dhe pasi kemi përcaktuar stabilitetin e sëmundjes, mund t’i qasemi korrigjimit.
Gjithmonë, së pari korrigjohet shikimi me syze. Në varësi të dioptrisë dhe lartësisë së cilindrit, pacientit mund t’i propozojmë thjerrëza optike: të buta ose gjysmë të forta. ROSE K janë thjerrëza të veçanta të destinuara për korne me keratokonus. Me ta mund të arrijmë shikim të mprehtë të shkëlqyeshëm tek njerëzit me keratokonus, kështu që vetë sëmundja nuk është pengesë edhe në kryerjen e profesioneve specifike që kërkojnë shikim të skatë (shofer, punëtor në fabrikë ose web-dizajner).