Dr. Haxhi Antonovski: Fëmijët duhet të ecin këmbëzbathur nëpër shtëpi dhe jo me këpucë!

Fëmijët duhet të kenë regullisht aktivitete të përditshme në hapësira të hapura dhe të sigurta, ku ata do të munden të vrapojnë. Nuk mjafton vetëm ecja nëpër shtëpi.

Kur bëhet fjalë për zhvillimin e hershëm të shputave të fëmijëve më e rëndësishme është lëvizja. Shumë pak nga deformimet e shputave janë të lindura, numri më i madh vijnë si rezultat i mosaktivitetit, veseve dhe këpucëve të këqija. Periudha e dimrit dhe moti i ftohtë, nganjëherë edhe ajri i ndotur në disa qytete na bën që të mbyllim në shtëpi dhe të mos lëvizim mjaftueshëm.

Shkruan: Dr. Antoni Haxhi Antonovski, specialist ortoped

Fëmijët duhet të kenë aktivitete të përditshme në hapësira të hapura dhe të sigurta, ku ata do të munden të vrapojnë duke mos i mbajtur për dore. Nuk mjafton vetëm ecja nëpër shtëpi. Faza më e rëndësishme në ecjen e fëmijëve është të ecurit në gishta në vitet e para, pikërisht kjo ecje i përmison të gjitha deformitetet ekzistuese të shputave.

Gjatë periudhave të dimrit, një nga gjërat më të rëndësishme përveç aktivitetit janë edhe këpucët. Ato duhet të jenë të buta dhe elastike në pjesën e gishtave. Sa herë që bleni këpucë kontrolloni elasticitetin e tyre.

Prindër! Deri në moshën dhjetë vjeçare ju duhet që t’ju merrni këpucët fëmijëve dhe t’i zgjeroni ato në pjesën e gishtave. Fëmijët nuk kanë aq forcë dhe peshë për ta bërë atë vetë, ndërsa këpucët e forta do ta bëjnë që të ecë në shputa, në vend që të ecë në gishta.

Këpucët e dimrit shpesh janë shumë të forta. Nëse, fëmija juaj sapo ka filluar të ecë nuk besoj se do të mund të ecë çdo ditë në borë. Prandaj, për të gjithë prindërit, sidomos ato të qytetet të ndotura që pjesën më të madhe të kohës e kalojnë nëpër qendra tregtare, le të ju mbathin fëmijëve atlete dhe jo çizme. Nëse rastësisht fëmija do të ecë nëpër borë atëhere do të kryenin punë një palë çizme prej gome.


 

 

Dy rregullat të cilat vlejnë për tërë vitin, jo vetëm për stinën e dimrit, që më duhet ti përmend në lidhje me këpucët janë madhësia dhe lloji i këpucës.

 

 


Kur blejmë këpucë për fëmijët e moshës deri 4 vjeçare, këpuca duhet të jetë 1cm më e madhe sesa shputa. Shputat e fëmijëve rriten shumë shpejt, prandaj fëmija mbath këpucët përafërsisht një muaj, por kjo mund të zgjas dhe më pak. Një herë në dy javë është e rëndësishme që kontrolloni a është rritur shputa e fëmijës, dhe këtë më së miri do ta bënit nëse e largoni shtresën nga këpuca dhe e krahasoni me shputën. Nuk mund të përcaktoni nëse këpuca është në rregull ose jo vetëm duke e prekur gishtin e madh, sepse fëmijët kur qëndrojnë në këmbë i mbledhin gishtat.

Sa i përket llojit të këpucës ajo duhet të jetë anatomike, dhe jo ortopedike. Këpucët ortopedike blehen vetëm atëherë kur sugjeron ortopedi se fëmija ka nevojë për këpucë të tilla për përmisimin e deformimeve. Këto këpucë bëhen me masë nga prodhuesit e specializuar të pajisjeve ortopedike. Që do të thotë, fëmija i shëndoshë nuk duhet të mbath këpucë të tilla, “këpucët ortopedike” nuk duhet të blehen në dyqane të rëndomta, pa rekomandimin e ortopedit.

Këpucët anatomike e ndjekin shputën, e cil në vitet e para është e rrafshët, vetëm me aktivitet dhe duke ecur në gishta formohet harku në pjesën e mesme të brendshme të këmbës.

Fëmijët në shtëpi duhet të ecin këmbëzbathur ose me çorapë që janë me gomë në pjesën e poshtme. Jo këpucë nëpër shtëpi! Këpuca më e mirë është ajo që i mundëson këmbës të lëviz  sikur të jetë e zbathur, prandaj edhe quhet këpucë anatomike sepse e ndjek anatominë e këmbës së zbathur.