Shkruan: Dr. Lidija Palanova
mjeke interniste
Në praktikën e përditshme, mbajtja e holterit është një nga procedurat më të zakonshme të diagnostikimit në ordinancat kardiologjike. Gjatë analizimit të të dhënave të marra, fitohet pasqyrimi i ritmit të zemrës, ndryshimeve të frekuencës së zemrës, ekzistencës së ekstrasistoleve (rrahjeve jo të rregullta të zemrës), bllokimet kardiake (pauzë në përçueshmërinë kardiake), si dhe ekzistencën e CT-segmentit denivelimi (ndryshime që tregojnë për isheminë kardiake).
ÇFARË NA TREGON HOLTER-EKG?
Holter-EKG është procedurë diagnostikuese gjatë së cilës kryhen 24 orë regjistrime të vazhdueshme të EKG-së (elektrokardiografia – regjistrimi i impulseve të aktivitetit elektrik të muskulit të zemrës) gjatë kryerjes së të gjitha aktiviteteve të zakonshme të pacientit.
Vet procedura është jo-invazive, e rehatshme, pasi pacienti gjatë regjistrimit të EKG-së nuk është i kufizuar në aktivitetet e tij të zakonshme, mirëpo ekziston edhe mundësia që procedura të përsëritet në një afat të shkurtër.
Paisja përmes kabllove është e lidhur me elektrodat vetë-ngjitëse të cilat vendosen në gjoks – gjithsej shtatë. Vetë paisja regjistron tre kanale EKG të cilat analizohen më së shpeshti. Regjistrimi i fituar i EKG-së nëpërmjet kartës memorike transferohet në hard-diskun e kompjuterit për analiza të mëtejshme.
KUR PËRDORET HOLTERI
Si tregues kryesor për zbatimin e kësaj procedure diagnostike është dukuria e çrregullimit të ritmit të zemrës, gjendje të paqarta të kolapsit dhe të pacientëve me dhimbje gjoksi, tek të cilët nuk është e mundur të kryhet stres-testi koronar. Gjatë analizimit të të dhënave fitojmë një pasqyrë të ritmit të zemrës, ndryshimeve në frekuencën e zemrës, ekzistencën e aktivitetit ektopik (ekstrasistolet), pauzë në përçueshmëri (bllokime të zemrës), QT intervali (ndryshimet në përçueshmëri), si dhe ekzistencën e CT-segmentit denivelimi.
HOLTERI PËR SHTYPJEN E GJAKUT
Vendosja e holterit për tensionin është një procedurë diagnostikuese, nëpërmjet së cilës kryhen matje 24-orëshe të tensionit arterial të gjakut, gjatë së cilës pacienti i kryen normalisht aktivitetet e përditshme.
Procedura kryhet në mënyrë të tillë që, pacientit rreth belit i montohet një pajisje që është në madhësinë e një telefoni celular dhe e njejta lidhet me manshetë, e cila vendoset në pjesën e sipërm të krahut të pacientit.
Vet pajisja është e programuar në mënyrë kompjuterike që në çdo gjysmë ore të masë tensionin arterial të gjakut dhe pulsin, ndërsa vlerat e fituara pastaj kompjuterizohen dhe analizohen, ku përfitohet një paraqitje grafike e vlerave të fituara. Nga analizat e kryera kemi një pasqyrë në variacionet e ditës dhe natës të tensionit arterial të gjakut, të pulsit dhe vlerës mesatare të tensionit arterial të gjakut.
PROCEDURA RUTINË GJATË TENSIONIT TË LARTË
Në shumë vende të botës, kjo procedurë diagnostike është rutinë në diagnostikimin e vetë sëmundjes (hipertensionit). Në vendin tonë, gjithashtu, indikacioni më i zakonshëm është diagnostikimi i vetë sëmundjes, gjatë së cilës shmanget dukuria e kërcimit të tensionit arterial të gjakut në ordinancat mjekësore, hipertensioni arterial i parregulluar, si dhe përshtatshmëria e terapisë së dhënë antihipertensive.