Dr. Liljana Brajeviq: Çfarë ndodh kur shfaqet ujë tek mushkëritë?

Krijimi i lëngjeve në hapësirën pleurale dhe absorbimi i tij është proces dinamik për shkak të krijimit të ekuilibrit dhe absorbimit të lëngut. Çdo gjendje që shqetëson këtë ekuilibër çonë në efuzion pleural.

Shkruan: Dr. Liljana Brajeviq

specialiste në kirurgjinë e përgjithshme


Pleura është membranë seroze që e mbështjell murin e kraharorit nga pjesa e brendshme dhe sipërfaqja e mushkërive, duke formuar kështu një hapësirë të vogël në të cilën, nën kushte normale, ka disa mililitra lëng pleural. Kjo sasi e vogël e lëngut pleural lejon ulje të fërkimit midis dy fletëve të pleurit gjatë lëvizjes pulmonare, duke lehtësuar kështu procesin normal të frymëmarrjes.

Çdo sasi më e madhe e lëngjeve në këtë zonë, tregon për efuzion pleural ose gjendje patologjike të etiologjisë së ndryshme.

Krijimi i lëngjeve në hapësirën pleurale dhe absorbimi i tij është proces dinamik për shkak të krijimit të ekuilibrit dhe absorbimit të lëngut. Çdo gjendje që shqetëson këtë ekuilibër çonë në efuzion pleural.

Lëngu në hapësirën pleurale, mund që të mos tregojë simptoma nëse bëhet fjalë për një sasi më të vogël lëngu, mirëpo mund të manifestohet me dhimbje dhe kollë (për shkak të stimulimit të efuzionit pleural) ose vështirësi në frymëmarrje (kolapsi i mushkërive për shkak të presionit të lëngut mbi të dhe pamundësia për shkëmbimin e gazrave).

Efuzioni pleural ndahet në transudat dhe eksudat.

Transudat ndodh gjatë tensionit të lartë në pjesën arteriale të kapilarëve, dmth., një sasi më e vogël e lëngut mund të riabsorbohet në pjesën venoze të kapilarëve, duke prodhuar kështu lëng të varfër me proteina. Pleura në këtë rast është e padëmtuar, pa ndryshime. Ndodh gjatë dështimit të zemrës, dështimit të mëlçisë, nivelet e ulëta të albuminës, sarkoidozës, embolisë pulmonare, dializës peritoneale, etj.

Eksudat, krijohet atëherë kur pleura është prekur nga procesi patologjik, që dëmton murin e kapilarëve, duke e bërë atë më të prirur për proteina. Lëngu përmban mbi 3 gram për decilitër proteina. Zakonisht paraqitet gjatë proceseve malinje, pneumoni bakteriale ose virale, hemotoraks…

Për të përcaktuar nëse ka rrjedhje në hapësirën pleurale përdoren rrezet X të mushkërive, echo-sonografia e pleurës dhe tomografia kompjuterike e mushkërive. Pasi të jetë caktuar rrjedhja, është e nevojshme të merren 30-50 ml kampion për analiza. Kjo mund të bëhet nga torakocenteza (evakuimi i lëngut me gjilpërë) ose me anë të torakoskopisë (procedurë operative gajtë së cilës evakuohet lëngu dhe nëse është e nevojshme kryhet biopsia). Lëngu dërgohet më pas për analiza citologjike, mikrobiologjike, biokimike, imunologjike etj.

Trajtimi i efuzionit pleural varet nga shkaku i shfaqjes së tij. Nëse bëhet fjalë për efuzion pleural transudativ, nuk nevojiten procedura të tjera diagnostikuese. Bëhet evakuimi i rrjedhjes dhe më pas vazhdohet me trajtimin e sëmundjes parësore. Sidoqoftë, nëse parametrat biokimikë dhe vlerësimi klinik tregojnë për efuzion pleural eksudativ, nevojiten analiza të mëtutjeshme dhe trajtim të përshtatshëm.

Gjatë efuzionit të përsëritur (zakonisht të etiologjisë malinje) mund të veprohet në nivel lokal përmes evakuimit të lëngut dhe aplikimin e talc në hapësirën pleural, procedurë kjo e quajtur pleurodesis talc.

Kjo procedurë lejon krijimin e një lidhjeje midis dy fletëve të pleurit për të parandaluar rikrijimin e lëngjeve, gjë që përmirëson frymëmarrjen e pacientit. Tek pacientët që janë në një gjendje të rëndë të përgjithshme ose që kanë kundërindikacion për trajtim operativ, në klinikë mund të vendoset katetër (pleurocat) në zonën pleurale për evakuim që zgjat më shumë të lëngut, pas së cilës pacienti lihet në kujdesin shtëpiak.