Shkruan: Dr. Liljana Brajeviq, kirurge
Sëmundja e hemorroideve është sëmundje shumë e zakonshme në ditët e sotme dhe mendohet se rreth gjysma e të rriturve kanë ndonjë vështirësi në lidhje me ekzistencën e hemorroideve.
Nyjet hemorroidale janë strukturë normale anatomike në përfundimin e zorrës së trashë, që është anusi. Ata janë ndërtuar nga një shumëllojshmëri e enëve të gjakut arteriale dhe venoze dhe janë pjesë e rëndësishme anatomike në ruajtjen e funksionit normal të anusit, siç është mbajtja e nevojës dhe gazrave.
Çfarë janë hemorroidet?
Hemorroidet janë venë të ënjtura, të zgjeruara në hapjen anale.
Ato shfaqen si rezultat i rritjes së tensionit të gjakut në enët e gjakut në legen, ndërsa formohen në mënyrë të ngjashme me venat e zgjeruara të këmbëve. Hemorroidet janë enë normale të gjakut, të cilat nën ndikimin e tensionit të tepërt, zgjerohen, zgjaten, fryhen, inflamohen dhe fillojnë të dalin. Nëse paraqiten dhe zbulohen në një fazë më të hershme, ata mund të kthehen në gjendje normale, por nëse zbulohen në një fazë të avancuar, atëherë ata nuk mund të largohen dhe e vetmja zgjidhje është mënyra kirurgjikale për t’i larguar.
Problem i zakonshëm që nuk merret seriozisht
Inflamacioni mund të qetësohet, qarkullimi i gjakut mund të riparohet dhe vendet e ënjtura të largohen, por njerëzit që janë të prirur ndaj hemorroideve duhet t’i kushtojnë vëmendje të ushqyerit dhe të marrin sa më shumë lëngje në mënyrë që të mos kenë kapsllëk ose diarre. Hemorroidet relativisht janë mjaftë të zakonshme dhe mund të jenë shumë të dhimbshme, megjithatë, ato nuk merren si problem serioz mjekësor. Fakti është se ky është një problem jo i këndshëm dhe shumë njerëz turpërohen që të shkojnë tek mjeku për kontroll, dhe për vite me radhë përpiqen që të kurohen vetë me krema, pika, të cilat vetëm përkohësisht mund të përmirësojnë situatën, por nuk e zgjidhin problemin.
Nga kruajtja deri te anemia e rëndë
Hemorroide klasifikohen në katër faza – nga ato më seriozet deri te hemorroidet që kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale.
Shkaktarët më të zakonshëm që e çrregullojnë qarkullimin normal janë: kapsllëku kronik, sëmundjet e mëlçisë, shtatzënia, puna që ka të bëj me të ndejturit ulur gjatë, lloji i caktuar i ushqimit, faktori trashëgimtar… Pacientët zakonisht ankohen për shfaqjen e gjakut në nevojën e madhe, kruajtje, dhimbje të herëpashershme, tromboza (mpiksja) e nyjeve hemorroidale, prolapsi (rënia) i hemorroideve përmes anusit, dhe të ngjashme.
Gjakderdhja e shpeshtë dhe për një kohë të gjatë mund të çojë në anemi të rëndë te pacientët, gjë që mund të jetë edhe kërcënuese për jetën. Diagnoza caktohet përmes ekzaminimit rektal dhe anoskopisë. Te pacientët e moshës mbi 50 vjeçare, domosdoshmërisht duhet të kryhet kolonoskopia, në mënyrë që të anashkalohet prania e kancerit në zorrën e trashë.
Ndërhyrja kirurgjikale
Metoda HAL-RAR është procedurë minimale invazive për trajtimin e të gjitha llojeve të hemorroideve simptomatike, gjendja e të cilave nuk është përmirësuar me trajtimin konservator. Operacioni kryhet me anestezion të përgjithshëm, pas ekzaminimit dhe vlerësimit paraprak nga anesteziologu. Parimi i kirurgjisë është reduktimi i rrjedhjes së gjakut në vargëzimin e hemorroideve nga enët e gjakut arteriale.
Në mënyrë transanale vendoset një lloj i veçantë dopler sondë ultrasonografike, nëpërmjet të cilit identifikon degët përfundimtare të arterieve hemorroidale. Skajet vendosen në pjesën e zorrës që nuk ka nerva të ndjeshme, që do të thotë se dhimbja tek pacientët pas operacionit është minimale. Zakonisht gjenden nga 5 deri në 8 arterie, por ky numër ndryshon nga pacienti në pacient, varësisht nga anatomia dhe shkalla e prolapsit të hemorroideve. Pjesa e dytë e procedurës është të korrigjohet prolapsa e mukozës dhe të submukozës me shtrëngimin e skajeve dhe ndërhyrja zgjat rreth 60 minuta. Pacientët pas operacionit qëndrojnë në spital një ditë, ndërsa një numër i madh i tyre mund t’u kthehen aktiviteteve të tyre të përditshme brenda pak ditësh. Shërim i plotë ndodh pas 6-8 javëve. Gjatë kësaj periudhe, pacientët mund të ndjenjë djegie gjatë kryerjes së nevojës, dhimbje të herëpashershme të cilat qetësohen me analgjetikë, gjakderdhje të lehta nga vendi i skajeve të plasuara, çrregullim të përkohshëm në mbajtjen e nevojës etj.