Shkruan: Dr. Liljana Tevdovska
Interniste
Dhimbja jo-kardiake e gjoksit është term që përdoret për të përshkruar dhimbjet në gjoks që kujton anginozën te pacientët që nuk kanë sëmundje të zemrës. Dhimbja zakonisht ndjehet prapa sternumit dhe përshkruhet si shtrëngim i padurueshëm ose ndjenjë presioni. Mund të përhapet në qafë, krahun e majtë ose në shpinë. Mund të shkaktohet nga marrja e ushqimit dhe mund të zgjasë për një kohë të ndryshueshme, jo më gjatë se 1 orë. Pacientët gjithashtu mund të ankohen për simptoma që kanë të bëjnë me sëmundjen e refluksit (kthimi i acidit të lukthit), si gromësima, ndjesi djegieje në gjoks ose ndjesi abdominale si rezultat i kthimit të lëngut të lukthit në gjoks, madje e shoqëruar me shije të thartë ose të hidhur në gojë.
Çfarë mund të nënkuptojë dhimbje jo-kardiake e gjoksit? A duhet të mendojmë për sulm në zemër?
Dhimbja është e ngjashme me sëmundjet e zemrës, kështu që pacientët dhe mjekët shpesh herë fillimisht mendojnë për dhimbje kardiake në gjoks. Për shkak të kësaj, pacientët pranohen së pari në shërbimet e urgjencës së qendrave të kardiologjisë dhe i nënshtrohen një numri procedurash diagnostike kardiologjike (EKG, testeve laboratorike, testet e stresit, por madje edhe angiografisë koronare). Meqenëse testet e tilla kardiologjike nuk konfirmojnë sëmundje të zemrës, pacientët diagnostikohen me dhimbje jo-kardiake të gjoksit dhe kthehen te mjeku amë me rekomandim për të kërkuar shkaktarë të tjerë të dhimbjes në gjoks.
Si quhet ndryshe?
Përveç dhimbjes jo-kardiake të gjoksit, ekzistojnë edhe emra të ndryshëm të tjerë që e përshkruajnë këtë gjendje. Shpesh quhet si: dhimbje atipike në gjoks, dhimbje në gjoks me origjinë të pacaktuar, dhimbje funksionale të gjoksit, zemër e irrituar, astina neuro-qarkulluese ose dhimbje në gjoks me angiogram normal koronar. Kjo gjendje gjendet në të gjitha kombet, ndërsa shkalla e frekuencës sillet midis 8 dhe 28% të popullsisë. Dhimbja jo-kardiake e gjoksit është shkak i zakonshëm për të kërkuar ndihmë mjekësore dhe arsye e zakonshme për të munguar në punë.
Pse është e ndryshme dhimbja kardiake e gjoksit nga ajo jo-karidake?
Zemra dhe ezofagu ndodhen në gjoks afër njëra-tjerës dhe kanë të njëjtat nerva shqisore. Prandaj dhimbja e këtyre organeve mund të ketë karakteristika shumë të ngjashme, gjë që e bën të vështirë dallimin e dhimbjes së zemrës nga dhimbja e ezofagut. Kjo, nga ana tjetër, sugjeron që shkaku kryesor jo kardiovaskular i dhimbjes në gjoks buron nga ezofagu.
Cilët janë shkaktarët e dhimbjes jo-kardiake në kraharor?
Shkaktarët e kësaj dhimbje mund të grupohen në ezofageale dhe jo-ezofageale. Disa studime kanë treguar që rreth 60% e pacientëve me dhimbje gjoksi jo-kardiak në të vërtetë vuajnë nga dhimbjet në ezofag, kryesisht për shkak të refluksit, por shpesh herë diagnostikohen si sëmundje refluksi gastroezofageal (GERD). Kështu që, pacientët që kanë dhimbje në gjoks, por kanë pasur gjetje negative nga vlerësimi kardiak, shpesh referohen tek specialist-gastroenterolog për të vlerësuar gjendjen e ezofagut si burim i dhimbjes së tyre në gjoks.
Shkaktarët që kanë të bëjnë me ezofagun
- GERD OSE REFLUKSI
Shkaku më i zakonshëm i dhimbjes jo-kardiake në kraharor është sëmundja e refluksit të ezofagut, e njohur si sëmundja e refluksit gastroezofageal – GERD ose refluksi acidik. Dhimbja mund të jetë simptomë e izoluar ose e shoqëruar me gromësira dhe kthimit të përmbajtjeve acidike në ezofag.
- NGËRÇE
Shkaqe të tjera të dhimbjes në gjoks përfshijnë edhe çrregullimet e tkurrshmërisë së muskujve të ezofagut, siç janë kontraktimet e muskujve të pakoordinuar (ngërçe të ezofagut), kontraktimet që krijojnë presion jashtëzakonisht të lartë në ezofag. Herë pas here çrregullimi karakterizohet nga mungesa e tkurrjes së muskujve ezofageale për shkak të humbjes së qelizave nervore të ezofagut (achalasia). Është e rëndësishme që të njihet akalasia pasi ky çrregullim duhet të trajtohet.
- MBINDJESHMËRIA
Pacientët me dhimbje gjoksi jo-kardiake mund të kenë “mbindjeshmëri instinktive të ezofagut”, ku edhe ndryshimi më i vogël i presionit në të ose ekspozimit ndaj acidit mund të rezultojë me dhimbje të forta. Kjo më së miri konfirmohet nëpërmjet balloon-dilation test.
SI TRAJTOHET DHIMBJA?
Pasi të përjashtohen shkaktarët kardiak të dhimbjes në gjoks, pacientët zakonisht trajtohen me inhibitorët e pompës protonike ose me ilaçe të quajtura antagonistët e receptorëve H2. Në disa raste kur ky lloj trajtimi nuk arrin efekt të favorshëm, doza të ulëta nga grupi i antidepresantëve triciklik ose antagonistëve të receptorit serotonin janë gjithashtu të dobishme. Pacientët tek të cilët kjo qasje nuk ka përgjigje, ndërsa ato vuajnë nga sindromi depresiv, ankthi dhe sulmet e panikut duhet të kërkojnë konsultë dhe trajtim psikiatrik.
SHKAKTARËT QË NUK KANË TË BËJNË ME EZOFAGUN
Dhimbja e kraharorit jo-kardiake, nëse nuk ka të bëj me ezofagun, mund të jetë për shkak të çrregullimeve muskulore-skeletore të murit të gjoksit ose shtyllës kurrizore, çrregullimeve pulmonare, sëmundjeve të pleurit dhe perikardit, madje edhe çrregullimeve të tretjes, siç është ulçera, sëmundjet e tëmthit dhe pankreasit.
EDHE STRESI SHKAKTON DHIMBJE?
Pacientët që vuajnë nga stresi, depresioni, ankthi ose sulmet e panikut, nuk është e qartë nëse stresi çon në dhimbje kraharori, ose nëse dhimbja çon në çrregullim emocional. Trajtimi i këtyre gjendjeve është komponent i rëndësishëm në trajtimin e dhimbjeve në gjoks.