Dr. Liljana Tevdovska: Pse janë të rëndësishëm faktorët e rrezikut te kanceri pankreatik?

Për shkak të fillimit asimptomatik të sëmundjes, rëndësi e madhe duhet t'i kushtohet, ndër të tjera, faktorëve të rrezikut për shfaqjen e kancerit pankreatik.

Shkruan: Dr. Liljana Tevdovska

interniste


Kanceri i pankreasit karakterizohet me rritjen e shpejtë dhe agresive të tumorit, duke u përhapur në organet më të afërta dhe në drejtim të nyjeve limfatike dhe duke krijuar metastaza të largëta. Rreziku i zhvillimit të sëmundjes rritet me kalimin e moshës dhe rrallëherë shfaqet tek personat më të rinj se 30 vjet.

Kanceri i pankreasit në fazën e hershme nuk shkakton simptoma, dhe se pikërisht për shkak të fillimit asimptomatik të sëmundjes, shumica e rasteve në kohën e diagnostikimit tashmë janë në një fazë të avancuar. Nga këtu del fakti se mbijetesa gjatë pesë viteve me këtë sëmundje është më pak se 20%. Prandaj, theksi më i madh duhet të vendoset, ndër të tjera, faktorëve të rrezikut të kësaj sëmundje.

Rreziku i zhvillimit të sëmundjes rritet me kalimin e moshës dhe rrallëherë shfaqet tek personat më të rinj se 30 vjet.

NUMRI I FAKTORËVE TË RREZIKUT NUK ËSHTË VENDIMTAR

Faktorët e rrezikut mund t’i ndajmë në dy grupe – faktorët ekzogjen (të jashtëm) ndaj të cilëve mund të ndikohet dhe faktorët endogjen të cilët nuk mund t’i ndryshojmë.

Ekzistimi i një ose më shumë faktorëve të rrezikut jo domosdoshmërisht do të thotë shfaqja e sëmundjes. Ka pacientë me kancer pankreatik që kanë pasur pak ose nuk kan qenë aspak të ekspozuar ndaj faktorëve të rrezikut.

Te publiku profesional citohen disa faktorë që mund të rrisin rrezikun e shfaqjes së kancerit të pankreasit, shumica e të cilave kanë të bëjnë me karcinomën e pjesës ekzokrine të pankreasit.

NË ÇFARË MUND TË NDIKOJMË

Ekzistojnë rrezik faktorë tek të cilët mund të ndikohet. Ato janë pirja e duhanit, mbipesha dhe ekspozimi ndaj substancave të dëmshme. Pirja e duhanit është një ndër faktorët më të rëndësishëm të rrezikut për kancerin pankreatik. Rreziku i zhvillimit të kancerit të pankreasit është dy herë më i lartë tek duhanpirësit sesa tek jo-duhanpirësit. Mendohet se përmes pirjes së duhanit futen disa substanca kancerogjene nga tymi i cigares të cilat përmes qarkullimit ndikojnë në mënyrë të dëmshme ndaj qelizave pankreatike. Rreth 20-30% e pacientëve me kancer ekzokrin të pankreasit ishin duhanpirës. Mbipesha si faktor gjithashtu luan rol në shfaqjen e kancerit të pankreasit, pasi që njerëzit me mbipeshë kanë rreth 20 përqind më shumë të ngjarë të ju zhvillohet kjo sëmundje. Ekspozimi ndaj substancave të dëmshme siç janë pesticidet, bojërat dhe kimikatet që përdoren në industrinë e metaleve mund të rrisin rrezikun e zhvillimit të kancerit të pankreasit.

NË ÇFARË NUK MUND TË NDIKOJMË

Ekzistojnë edhe faktorë të rrezikut për shfaqjen e kësaj sëmundje ndaj të cilëve nuk mund të ndikohet. Ato janë: mosha, gjinia, raca, sindromi gjenetik, diabeti…

  • Mosha

Rreziku i zhvillimit të kancerit të pankreasit rritet me moshën. Shumica e pacientëve janë më të vjetër se 45 vjeç, ndërsa rreth dy të tretat janë të paktën 65 vjeç.

  • Gjinia

Tek gjinia mashkullore ky lloj i kancerit është rreth 30% më i përhapur sesa tek femrat. Shumë interpretime thonë se të paktën në një farë mase është rezultat i faktit se shumica e duhanpirësve dhe përdoruesve të alkoolit janë meshkuj.

  • Rasa

Mendohet se afrikano-amerikanët janë në rrezik të rritur nga kanceri i pankreasit, sesa të bardhët. Arsyet e statistikave të tilla nuk janë të qarta, por fakti është se edhe përqindja e faktorëve të tjerë të rrezikut, si diabeti, pirja e duhanit dhe mbipesha në këtë grup, është më e lartë.

  • Historia familjare

Është raportuar se kanceri i pankreasit është më i zakonshëm në disa familje. Në disa prej këtyre familjeve rreziku i lartë është për shkak të ndonjë sindromi të trashëguar. Tek të tjerët, gjeni që mund të rrisë rreziku nuk është i njohur.

  • Sindromat gjenetike

Ndryshimet (mutacionet) e trashëguara të gjeneve mund të transmetohen nga prindi tek fëmija. Rreth 10% e kancerit të pankreasit mund të lidhen me disa sindroma gjenetike (pankreatiti kronik familjar, tumoret neuroendokrine).

  • Diabeti

Kanceri i pankreasit është ne raport të caktuar me diabetin. Si faktorë rreziku konsiderohet diabeti i tipit 2, i cili zakonisht fillon tek të rriturit dhe shpesh shoqërohet me mbipeshën. Diabeti i tipit 1 nuk është provuar të jetë faktor i rëndësishëm rreziku. Pacientët me kancer pankreatik shpesh zhvillojnë diabet.

  • Pankreatiti kronik

Është gjendje e inflamacionit kronik të pankreasit dhe, veçanërisht te duhanpirësit, shpesh shoqërohet me rrezik të lartë të zhvillimit të kancerit të pankreasit, por vetëm te një pjesë e pacientëve. Megjithatë, një numër i vogël i pankreatitit kronik ndodh si pasojë e mutacionit të trashëguar të gjeneve.

  • Cirroza e mëlçisë

Cirroza e mëlçisë është transformim kronik fibrotik i mëlçisë si rezultat i dëmtimit, kryesisht nga pirja e alkoolit ose për shkak të hepatitit. Pacientët me cirrozë të mëlçisë gjithashtu kanë rrezik të lartë të kancerit të pankreasit.

  • Probleme me lukthin

Gastriti dhe sëmundja e ulçerës së lukthit, që shoqërohen me infeksionin e helicobacter pylori, si dhe rritjen e sekretimit të acidit të lukthit janë gjithashtu faktorë rreziku për kancerin e pankreasit.

SIMPTOMAT NË FAZË TË HERSHME DHE TË AVANCUAR

Simptomat që shfaqen në fazat e hershme të sëmundjes janë jospecifike dhe i atribuohen një game të gjerë sëmundjesh dhe gjendjesh. Të tilla janë ndjenja e fryrjes në stomakut pas ngrënies, ndjenja e parehatisë në bark, të përziera, anoreksi, humbje peshe… Simptomat që janë më specifike për sëmundjen zakonisht shfaqen kur rritet tumori. Ato janë dhimbjet e barkut, të vjellat dhe zverdhja.

Simptoma kryesore është dhimbja në pjesën e sipërme të barkut, që përhapet në shpinë. Gjatë zhvillimit të sëmundjes vjen deri te rënia e oreksit dhe humbja e peshës. Në 50% të rasteve, në varësi të vendndodhjes së tumorit, shfaqet verdhëza në lëkurë dhe tek e bardha e syve. 

Shfaqja e verdhëzës, e cila nuk shoqërohet me dhimbje, mund të jetë simptoma e parë dhe kryesore e fillimit të ekzaminimeve.

DIAGNOSTIKIMI DHE TRAJTIMI

Echo-tomografia abdominale dhe tomografia kompjuterike, si dhe rritja e disa markerëve të tumorit, janë ekzaminime të rëndësishme që mund të çojnë në diagnozë të saktë të sëmundjes. Kolangiopankreatografia retrograde endoskopike (ERCP) mundëson vizualizimin, dhe së bashku me biopsinë e pankreasit dhe verifikimin histologjik kontribuojnë në konfirmimin e diagnozës. Trajtimi varet nga faza e sëmundjes. Në fazë të hershme, kur tumori është i lokalizuar vetëm në pankreas, kryhet ndërhyrje kirurgjikale. Fazat më të avancuara i nënshtrohen edhe kimioterapisë por edhe radioterapisë.

Ushqimi dhe Alkoolizmi

Ushqimi me shumë mish të kuq dhe produktet e mishit, rrisin rrezikun e kancerit të pankreasit. Në të kundërtën, ngrënia e frutave dhe perimeve e zvogëlon atë rrezik. Abuzimi i tepërt me alkoolin çon në pankreatitin kronik ose cirrozë të mëlçisë, të cilat nga ana tjetër e rrisin rrezikun e kancerit të pankreasit.