SHKRUAN:
Dr. Lulzim Agai,
neurokirurg
♦♦♦♦♦♦♦
Një vajzë 16 vjeçe me shoqet e saja shkon në një aheng. Atmosfera është e këndshme, muzika e qëlluar. Nikoqirët i ofrojnë koktej të ndryshëm me shije të ëmbël dhe alkoolike. Vajza i pinë me kënaqësi. Që pas gotës së parë fillon të ndihet hareshëm, i pëlqen pa masë muzika, batutat e shoqeve, çdo gjë i duket e bukur dhe e përsosur. Pas gotës së dytë mendja fillon t’i turbullohet, diskretisht i’a sjellin edhe gotën e tretë, të katërt… Më vonë vajza e humb vetëdijen. Në gjendje të tillë e marrin disa djem, e shtrijnë në një shtrat dhe e dhunojnë radhazi. Pasi këndellet nga dehja dhe e kupton se ç’kishte ndodhur, vajza nga dëshpërimi hidhet nga një urë e lartë në ujërat e turbullt të lumit dhe e përfundon jetën që sapo e kishte filluar…
Një djalë 17 vjeç për datëlindje merr dhuratë të veçantë nga i ati: BMË X5. Vetura e re është shumë e bukur, e shpejtë dhe me sistem muzikor të përsosur. I ngazëlluar e lëshon muzikën deri në kulm, e shkel gazin dhe kënaqet me shpejtësinë marramendëse të makinës së re. Në mendje i shkojnë vajzat e bukura që do të mahniten nga makina e tij vezulluese, shokët që do të plasin nga zilia dhe e shtyp gjer në fund gazin. Nga shpejtësia e madhe nuk arrin ta tejkalojë me kohë një kamion, përplaset me të, vetura e re rrotullohet disa herë dhe pastaj përfundon në një humnerë. Djali vdes në vend…
Një djalë 15 vjeç e huazon motorin e shokut të tij dhe e nget në gjendje të dehur. Në udhëkryq rrëshqet dhe pasi bie nga motori, trupi i tij vazhdon me shpejtësi të madhe të lëviz nëpër rrugë dhe koka e tij e pambrojtur (pa helmetë) përplaset në një dru afër rrugës. Arrijnë ta transportojnë të gjallë në spital, por lëndimet e kokës janë fatale dhe vdes pas disa ditësh…
Këto janë tri storje fiktive, por shpesh na ndodh të lexojmë në kronikat e zeza për fatkeqësi të ngjashme. Këta tre të rinj viktima të rrethanave të këqija: të tre janë janë adoleshentë (teenagers), pra të rinj të moshës 13-19 vjeç. Kjo moshë është e ndjeshme për shkak të disa specifikave të trurit të tyre. Kombinimi i kësaj moshe me disa faktorë të tjerë nganjëherë mund të jetë burim problemesh…
Ç’është e veçanta e trurit të njeriut në këtë moshë? Ku qëndron dallimi mes trurit të të rriturit dhe trurit të adoleshentit?
Jo shumë moti mendohej se zhvillimi i trurit të njeriut përfundon me mbarimin e fëmijërisë. Por të dhënat bashkëkohore neuroshkencore flasin se ky proces zhvillohet madje gjer në moshën 25 vjeçe.
Mosha adoleshente është periudhë e zhvillimit shumë intenziv të trurit. Ndryshimet e hovshme në trupin e fëmijës gjatë pubertetit ndodhin si pasojë e dyndjeve të mëdha hormonale. Paralelisht me këto ndryshime trupore, është edhe truri ai që përjeton ndryshime rrënjësore në këtë periudhë.
Potenciali i trurit të adoleshentit
Truri i adoleshentit zhvillohet intenzivisht dhe në këtë moshë është në gjendje të mësojë shumë. Ka mjaft njerëz të famshëm që në këtë moshë kanë shfaqur momente të mendjemprehtësisë së tyre.
Në trurin e adoleshentit lidhjet mes pjesës emotive dhe asaj të arsyeshme të trurit ende nuk janë të zhvilluara plotësisht. Për këtë arsye adoleshentët janë jashtëzakonisht të ndjeshëm, nga ndonjëherë reagojnë vrullshëm dhe më vonë nuk janë në gjendje të sqarojnë se ç’kanë bërë gjatë një akti të pamatur.
Ja disa shembuj:
Bobi Fisher (Bobby Fischer), shahisti gjenial amerikan, e meritoi titullin e kryemjeshtrit që në moshën 15 vjeçare.
Shkrimtarja Meri Shelli (Mary Shelley), nëna e fantashkencës, e shkroi veprën e saj të famshme “Frankenshtajni” në moshën 18 vjeçare.
Kantautorja londineze Kate Bush, ishte 19 vjeçare kur u frymëzua nga vepra klasike letrare “Lartësitë e stuhishme” (Wuthering Heights) të shkrimtares Emili Bronte (Emily Brontë),për të krijuar këngën e mrekullueshme me po të njëjtin titull.
Eruditi francez Lui Brai (Louis Braille) që pati fatkeqësinë të verbohet si fëmijë 3 vjeçar, në moshën 15 vjeçare krijoi sistem universal për shkrim-lexim, që edhe sot e kësaj dite përdoret nga personat e verbër. Ky sistem e mban emrin e tij.
Zhvillimi neurologjik te vajzat është dy vite më përpara djemve. Djemtë arrijnë ta barazojnë këtë disavantazh diku nga mosha 25 vjeçare. Për atë vajzat duken më të pjekura gjatë pubertetit se moshatarët e gjinisë tjetër.
Ndjeshmëria e moshës adoleshente
Pavarësisht nga koeficienti i inteligjencës, mosha adoleshente është moshë e brishtë dhe në këtë periudhë fëmijët nganjëherë mund të sjellin vendime të gabuara në situata të caktuara. Nganjëherë kanë prirje për aksione të rrezikshme (nget makinën pa përvojë paraprake, kërcime nga lartësia, rrahje, konsumim i alkoolit, drogës, ikje nga shtëpia). Përveç kësaj, në këtë moshë është jashtëzakonisht i shprehur solidariteti me moshatarët dhe dëshira për tu dëshmuar para tyre me aksione që janë shpesh të pamatura.
Truri i adoleshentit dhe ai i të rriturit funksionojnë ndryshe. Tek të rriturit mendimi formohet në korteksin prefrontal, pjesë kjo e trurit përgjegjëse për të menduarit e arsyeshëm. Të rinjtë mendimin e procesojnë me një pjesë tjetër të trurit, sistemin limbik, që është përgjegjës për reagimet emotive. Kjo tërësi funksionale, përmban në vete një strukturë anatomike të ngjashme me frutin e bajames, që quhet amigdala. Amigdala është përgjegjëse për emocionet, së bashku me strukturat tjera të sistemit limbik.
Në procesin e zhvillimit të trurit të adoleshentit, sistemi limbik është më i zhvilluar se korteksi prefrontal, për këtë shkak reagimi emotiv është më i shprehur se ai racional.
Në trurin e adoleshentit lidhjet mes pjesës emotive dhe asaj të arsyeshme të trurit ende nuk janë të zhvilluara plotësisht. Për këtë arsye adoleshentët janë jashtëzakonisht të ndjeshëm, nga ndonjëherë reagojnë vrullshëm dhe më vonë nuk janë në gjendje të sqarojnë se ç’kanë bërë gjatë një akti të pamatur.
Një aspekt shumë i rëndësishëm i sjelljes së adoleshentit është shoqëria. Një i ri i kësaj moshe mund të ketë një model të sjelljes në rrethin familjar, dhe një sjellje krejtësisht ndryshe në prani të moshatarëve dhe shoqërisë së vet. Prania e shoqërisë mund ta nxit të bëjë aksione të pamatura nga dëshira që të jetë në qendër të vëmendjes dhe të mos ketë konsideratë për pasojat e një sjelljeje të tillë.
Nuk do të doja t’i përgjithësoj këto konstatime. Shumica e të rinjve të kësaj moshe janë të mrekullueshëm dhe sjellja e tyre është shembullore. Këtu luajnë rol edukata familjare, roli dhe përkrahja e prindit si dhe individualiteti i vet fëmijës. Por ndjeshmëria e kësaj moshe është një fakt i pamohueshëm që duhet të njihet nga prindërit që të jenë të vëmendshëm dhe mbështetës.
Si mund të na ndihmojë shkenca?
Deri para 20 vitesh shkenca nuk kishte dijeni për faktin se truri vazhdon me zhvillimin e tij edhe pas moshës 20 vjeçare. Por zhvillimi i hovshëm i neuroshkencave dhe i teknikave radiologjike të inçizimit si rezonanca magnetike funksionale (fMRI), dëshmuan se truri vepron me një koordinim të jashtëzakonshëm të funksioneve të veçanta si shikimi, dëgjimi, nuhatja etj. Po këto të dhëna imazherike vërtetojnë se proceset koordinuese në tru përjetojnë zhvillim të hovshëm edhe pas moshës njëzet vjeçare.
Në saje të hulumtimeve shkencore dhe të të dhënave imazherike, janë zbuluar disa faza të zhvillimit të trurit të fëmijës: gjatë fëmijërisë substanca gri e trurit rritet jashtëzakonisht shpejtë. Kjo rritje e bën korteksin e trurit (pjesën ku janë qendrat më të rëndësishme) më të dendur dhe më të ngjeshur në fazën e hershme të adoleshencës. Një tru i këtillë është mjaft i ngarkuar dhe ka nevojë të përjetojë ndryshime. Kjo ndodh ashtu që në vitet e mëvonshme të adoleshencës vjen te asgjësimi i qelizave të tepërta të trurit (anglisht – pruning – tëharrje, krasitje), proces ky i nevojshëm për arritjen e pjekurisë së trurit. Paralelisht me këtë proces të tëharrjes/krasitjes zhvillohet dhe procesi i mielinizimit (mbështjelljes) të rrugëve nervore. Ky proces mund të krahasohet me ndërtimin e autostradave të gjera që mundësojnë transportin e shpejtë të impulseve nervore dhe funksionimin optimal të trurit.
Mosha adoleshente është periudhë e zhvillimit të hovshëm të trurit, me plot mundësi, momente të bukura, por edhe situata të papritura.
Pra, truri i adoleshentit mund të krahasohet me një zonë të madhe të ndërtimtarisë, ku punojnë me mijëra punëtorë, makinat e transportit lëvizin prore në të gjitha anët, ekskavatorët gërryejnë dheun anembanë, buldozerët e shtyjnë tutje, kamionët e bartin në vend tjetër…
Por, rezultati i kësaj pune të madhërishme është magjepsës: në fund të rekonstruksionit, truri e arrin kulminacionin e funksioneve të tij, që është kryevepër e evolucionit dhe është i gatshëm të ballafaqohet me sfidat më të mëdha të jetës…
Edhe një fakt nga neuroshkenca: zhvillimi neurologjik te vajzat është për dy vite më përpara djemve. Djemtë arrijnë ta barazojnë këtë disavantazh diku nga mosha 25 vjeçare. Për atë vajzat duken më të pjekura gjatë pubertetit se moshatarët e gjinisë tjetër.
Keqpërdorimi i adoleshentëve
Veçantia e trurit të adoleshentit mjerisht keqpërdoret në shumë vende anembanë botës, qoftë për punë të rënda, qoftë për ushtri. 46 vende të botës (sipas të dhënave nga viti 2018) rekrutojnë ushtarë nga mosha 17 vjeçare, gjysma e këtyre shteteve rekrutojnë që nga mosha 16 vjeçare. Disa shtete rekrutojnë madje edhe me moshë më të re.
Truri i adoleshentit mund të krahasohet me një zonë të madhe të ndërtimtarisë, ku punojnë me mijëra punëtorë,me makina lëvizëse, ekskavatorë, buldozerë dhe kamionë. Rezultati përfundimtar i kësaj pune të madhërishme është magjepsës: në fund të rekonstruksionit, truri e arrin kulminacionin e funksioneve të tij, që është kryevepër e evolucionit dhe është i gatshëm të ballafaqohet me sfidat më të mëdha të jetës…
Eprorët ushtarakë i dinë fare mirë karakteristikat e trurit të adoleshentit – tru që për një kohë të shkurtë mund t’i thithë dijenitë dhe shkathtësitë e duhura ushtarake. Kjo ndodh ngase është më se i zhvilluar për këtë qëllim, ka më shumë qeliza se i rrituri, me mundësi më të mëdha për të zhvilluar sinapsa (lidhje) mes neuroneve (qelizave të trurit). Por nga ana tjetër, truri i tyre dominohet nga pjesa emotive. Shtoje këtu mungesën e përvojës jetësore, nevojën për tu dëshmuar para moshatarëve, të gjithë këta faktorë i bëjnë fëmijët më të brishtë, të paaftë për të sjellë vendime të duhura dhe të prirur për të mos e vlerësuar realisht rrezikun.
Fëmija mund të manipulohet dhe të kontrollohet lehtë dhe të bindet të luftojë për kauza jo profitabile si për qëllime fetare, nder, hakmarrje etj.
Shpesh këta ushtarë të rinj vriten nëpër aksione të ndryshme. Ata që mbijetojnë, ballafaqohen me probleme të shumta shpirtërore dhe e kanë vështirë t’i kthehen jetës civile. Aty i pret betejë tjetër e konkurrencës, ku do të kenë vështirësi të gjejnë punë për shkak të shkollimit të mangët. Kjo i bën të prirur për jetë të shthurur, varësi nga alkooli, droga, vjedhje, akte kriminale, me një fjalë shkatërrohen ende pa e filluar jetën si duhet.
Si përfundim, mosha adoleshente është një periudhë e zhvillimit të hovshëm të trurit, me plot mundësi, momente të bukura, por edhe situata të papritura.
Rreziqet që i kërcënohen kësaj moshe janë të lidhura me alkoolin, nget makinën para moshës së pjekurisë, futet në makinë me shofer të dehur, konsumon lënde narkotike, seks pa mbrojtje, bredhje nëpër vende të dyshimta.
Ajo që rekomandohet janë aventurat e shëndosha (sport, muzikë, vallëzim, shëtitje, udhëtime). Eksplorimi i botës është më se i nevojshëm për zhvillimin e shëndoshë të trurit. Por edhe shprehitë e shëndetshme kanë ndikim të fuqishëm: gjumë i mjaftueshëm, kufizim i rrjeteve sociale, ushqim i shëndetshëm, shoqërim me bashkëmoshatarët.
“Të duhet guxim që të rritesh dhe të bëhesh ai që je”
(“It takes courage to groë up and become ëho you really are.”)
Ky mendim i fuqishëm i poetit amerikan Edward Estlin Cummings i sublimon të gjitha ato që u thanë më sipër.