Shkruan: Dr. Martin Ivanovski
Specialist i biokimisë mjekësore
Për caktimin e statusit të përgjithshëm shëndetësor, për skriningun, diagnozën ose për monitorimin e sëmundjeve të ndryshme dhe gjendjeve që ndikojnë në qelizat e gjakut, siç është anemia, infeksioni, inflamacioni, gjakderdhja ose kanceri është e nevojshme të kryhet pasqyra e plotë e gjakut të pacientit.
Gjaku testohet si pjesë e ekzaminimit mjekësor rutinë, kur ekzistojnë indikacione se kjo procedurë duhet të kryhet. Pasqyra e gjakut, si pjesë e ekzaminimi mjekësor rutinë, kryhet kur keni shenja ose simptoma që mund të lidhen me gjendjen që i prek qelizat e gjakut, në intervalet e monitorimit të trajtimit, ose kur pacienti është në trajtim që dihet se ndikon në qelizat e gjakut.
SI KRYHET PASQYRA E PLOTË E GJAKUT?
Procedura e marrjes së gjakut për ekzaminim është e njohur për të gjithë. Mostra merret nga vena e dorës së pacientit ose mostër kapilare nga gishti. Tek të sapolindurit zakonisht merret nga thembra. Pas marrjes së mostrës, procedura fillon në varësi të asaj që duhet të ekzaminohet. Pasqyra e plotë e gjakut paraqet test që i vlerëson qelizat që qarkullojnë në gjak.
Gjaku përbëhet nga tre lloje qelizash që pezullohen në lëngun e quajtur plazmë: qelizat e bardha të gjakut ose leukocitet, qelizat e kuqe të gjakut ose eritrocitet dhe trombocitet.
Ato zhvillohen dhe piqen kryesisht në palcën e eshtrave dhe, në kushte normale, sipas nevojës lëshohen në qarkullimin e gjakut. Analiza zakonisht kryhet me ndihmën e instrumentave të automatizuar të quajtur numërues hematologjik, i cili mat parametra të ndryshëm, përfshirë numrin e qelizave të pranishme në mostrën e gjakut. Rezultatet e pasqyrës së gjakut mund të japin informacion jo vetëm për numrin e llojeve të ndryshme të qelizave, por edhe për karakteristikat fizike të disa prej qelizave.
PROCEDURA STANDARDE DHE TESTET SHTESË
Procedura standarde për kryerjen e pasqyrës së plotë të gjakut përfshin tre lloje vlerësimi:
- Vlerësimi i leukociteve, gjatë së cilës përcaktohet numri i leukociteve dhe pasqyra diferenciale.
- Vlerësimi i eritrociteve, gjegjësisht numri i eritrociteve, hemoglobinë, hematokritë dhe indeksi i eritrociteve te të cilët bëjnë pjesë: MCV – vëllimi i mesëm korpuskular, MCH – hemoglobina korpuskulare e mesme, MCHC – përqendrimi i hemoglobinës korpuskulare të mesme dhe RDW – shpërndarja e eritrociteve. Vlerësimi i eritrociteve mund, por jo domosdoshmërisht, të përfshijë numërin e retikulociteve.
- Vlerësimi i trombociteve, dmth., numri i trombociteve, gjatë së cilës mund, por jo domosdoshmërisht, të përfshihen edhe MPV vëllimi i mesëm i trombociteve dhe PDW – shpërndarja e trombociteve.
Anomalitë e rëndësishme në një ose më shumë prej popullatave të qelizave të gjakut mund të tregojnë praninë e një ose më shumë gjendjeve. Duke vepruar kështu, zakonisht bëhen teste shtesë për të përcaktuar shkakun e testeve anormale.
NDIHMË DHE SKRINING PËR ÇDO GJENDJE DHE SËMUNDJE TË NDRYSHME
Pasqyra e plotë e gjakut shpesh përdoret si skrining-test për përcaktimin e gjendjes së përgjithshme shëndetësore. Ose në mënyrë më të detajuar, mund të përdoret si ekzaminim për një gamë të gjerë të gjendjeve dhe sëmundjeve, për të ndihmuar në diagnostikimin e gjendjeve të ndryshme si anemi, infeksion, inflamacion, gjakderdhje ose leukemi, më pas për të monitoruar statusin dhe / ose efikasitetin e trajtimit pas diagnozës së caktuar, si dhe monitorimin e trajtimit që dihet se prek qelizat e gjakut siç është kimioterapia ose terapia me rrezatim.
KUR JEPET URDHËR QË TË KRYHET PASQYRA E PLOTË E GJAKUT?
Pasqyra e plotë e gjakut është ekzaminim shumë i zakonshëm dhe kryhet gjatë ekzaminimeve rutinore shëndetësore. Nëse një person i shëndetshëm ka vlera që janë brenda kufijve normal, atëherë ai person nuk do të ketë nevojë për pasqyrë të plotë të përsëritur derisa statusi i tyre shëndetësor të ketë ndryshuar ose mjeku ta ketë urdhëruar atë. Pasqyra e plotë e gjakut mund të urdhërohet në rast se pacienti ka shenja dhe simptoma që mund të lidhen me çrregullimet që prekin qelizat e gjakut. Si dhë rast se personi ndjehet i lodhur ose i dobët, ka infeksion, inflamacion, mavijosje ose gjakderdhje, për të ndihmuar në diagnostikimin e shkaktarëve dhe / ose të përcaktojë ashpërsinë e gjendjes.
Nëse pacient diagnostikohet me ndonjë sëmundje për të cilën dihet se ndikon në qelizat e gjakut, pasqyra e plotë e gjakut shpesh urdhërohet në intervale të rregullta për të monitoruar gjendjen e tyre. Gjithashtu, nëse personi është duke marrë trajtim për ndonjë sëmundje të lidhur me gjak, pasqyra e plotë e gjakut shpesh urdhërohet të përcaktojë efikasitetin e trajtimit. Disa terapi, siç është kimioterapia, mund të ndikojnë në prodhimin e qelizat e gjakut në palcën e eshtrave. Disa ilaçe mund të ulin numrin e përgjithshëm të leukociteve. Pasqyra e plotë e gjakut mund të urdhërohet rregullisht për të monitoruar këto trajtime.