Shkruan: Dr. Sci. Farm. Stevçe Acevski
Sa herë jeni ndjerë në siklet derisa qëndroni të ulur në heshtje në farmaci dhe prisni, derisa farmacisti punon “diçka” para se t’ju jap juve terapinë e përshkruar?
Jeni larguar nga farmacia dhe akoma nuk e keni të qartë përdorimin e ilaçeve dhe mënyrën e marrjes së terapisë?
Ju ka ndodhur ndonjëherë që të largoheni nga farmacia, por akoma të keni dyshime nëse ilaçi duhet të merret para ose pas ushqimit?
A e dini se shumica e ilaçeve nuk duhet të merren me lëng grejpfruti, ndërsa disa antibiotikë nuk duhet të kombinohen me qumësht, jogurt ose produkte të tjera të qumështit?
Jam befasuar kur kam dëgjuar që farmacistët janë ata që qëndrojnë pas zyrës, duken të rreptë, bëjnë diçka “serioze dhe misterioze” kur japin ilaçet. Në realitet, praktika farmaceutike është një nga lidhjet më të rëndësishme në zinxhirin e kujdesit shëndetësor, ndërsa farmacistët janë profesionistë të shëndetit, të cilët janë më të disponueshëm për pacientin dhe kanë njohuri më të detajuar për ilaçet dhe mënyrën e veprimit të tyre.
Detyra e farmacistit nuk është vetëm përgatitja dhe dhënia e ilaçeve të përshkruara nga mjeku, por duhet që edhe të ofrojë kujdes më të mirë farmaceutik, duke vlerësuar nëse ai ilaç është i përshtatshëm për shëndetin e pacientit, duhet të sigurohet që të njoh historinë mjekësore të pacientit, si dhe të kontrollojë çdo ndërveprim të mundshëm dhe efektet anësore që mund të ndodhin gjatë përdorimit të terapisë së përshkruar, së bashku me ilaçet tjera.
Më e rëndësishmja, kujdesi farmaceutik përfshin komunikimin dhe bashkëveprimin me pacientin, në mënyrë që të jepen udhëzime të qarta mbi ilaçin, qëllimin e përdorimit të ilaçit, efektet nga përorimi i ilaçit, si dhe mënyrën e dozimit dhe administrimin e ilaçit.
Përgjegjësia sociale e farmacistëve perceptohet në implementimin e promovimeve të shëndetit publik, siç janë seancat edukative për një fushë të caktuar shëndetësore, ose për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve të caktuara, p.sh. promovimi i jetesës së shëndetshme, regjimi i të ushqyerit të shëndetshëm, këshilla mbi vaksinimin, etj. Disa farmacistë specializohen në zona të caktuara mjekësore, kështu që ata mund të japin këshilla specifike dhe ndihmë për pacientët, për shembull këshilla për pacientët me astmë, si të përdorin në mënyrën e duhur inhaluesit, ose këshilla për pacientët me diabet, si të llogaritni njësitë e sheqerit në gjak, si ta përdorin në mënyrën e duhur terapinë me insulinë, regjimi të ushqimit dhe të ngjashme. Gjatë bashkëbisedimit me pacientin, farmacisti duhet të identifikojë dhe të vlerësojë të gjitha aspektet e rëndësishme shëndetësore, të cilave duhet t’u kushtohet vëmendje e veçantë.
Si të gjitha profesionet e tjera shëndetësore, ashtu edhe farmacia po ndryshon dhe po u përshtatet metodave më të reja të kujdesit shëndetësor. Përmes konsultimeve me profesionistë të tjerë të shëndetit: mjekët e përgjithshëm, mjekët specialistë, stomatologët dhe farmacistët, krijojnë një ekip shëndetësor “virtual” për kujdesin shëndetësor, ekip ky i cili ka qasje holistike për zgjidhjen e problemit shëndetësor të pacientit.
Një nga ndryshimet më dramatike në 20 vitet e fundit është ndryshimi në perceptimin e prodhuesve të ilaçeve në drejtim të profesionistëve shëndetësorë, që kanë rol specifik në trajtimin e një problemi të veçantë mjekësor. Ky ndryshim thekson nevojën për njohuri klinike të sëmundjes, në veçanti se si mund të ndikojë në disa gjendje shëndetësore, përmes ndryshimit të stilit të jetës ose zakonet e jetesës, p.sh. roli këshillues i farmacistëve është aq i madh sa që ata duhet të përfshihen plotësisht në studimin e profilit mjekësor të pacientit, të rekomandojnë terapi përmes së cilës do të arrihet efekt optimal mjekësor, ndërsa do të shmanget shfaqja e efekteve anësore ose ndërveprimeve me ilaçet tjera që i përdor pacienti.