Shkruan: Dr. sci. Lidija Veterovska Miljkoviq
Specialiste e mjekësisë interne në spitalin e specializuar për geriatrikë dhe mjekësi paliative “13 Nëntori” – Shkup
Implikimet e rritjes globale të popullsisë në moshë të vjetër ndaj shëndetit dhe kujdesit shëndetësor
Shndërrimet demografike tek të moshuarit po ndikojnë në nevojat e rritura për trajtim mjekësor dhe përkujdesje ndaj popullatës më të vjetër, dhe meqënëse më shumë njerëz po e përjetojnë moshën e përparuar, e rëndësishme është të fitohet kuptimi më i madh i sëmundjeve të individualizuara në pleqëri – multimorbiditeti, i cili ndikon në cilësinë e jetës së tyre, të vlerësohet imazhi global i të moshuarve, të shikohet rënia e aftësisë së tyre funksionale, si dhe problemet sociale dhe psikologjike që i ndjekin. Për dallim nga stereotipat e mëparshëm, të moshuarit sot po bëhen gjithnjë e më heterogjenë, jo shumë të ngjashëm, ndërsa të kuptuarit e këtij procesi është sfidë kryesore në mjekësinë geriatrike.
Këto shndërrime demografike kanë implikime ndaj shoqërisë në përgjithësi. Nga pikëpamja ekonomike, plakja e popullsisë do të ndikojë në rritjen ekonomike, kursimet, investimet dhe konsumin, tregun e punës, pensionet dhe taksat. Gjithashtu, ky fenomen do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në barazinë dhe solidaritetin ndër-gjenerues dhe brenda brezave, të cilat janë themelet e shoqërisë sonë. Në sferën sociale, plakja e popullsisë do të ndikojë ndaj kujdesit shoqëror dhe shëndetësor, jetesën familjare dhe strehimit.
Rritja e tillë e shpejtë do të kërkojë rregullime të gjera ekonomike dhe sociale në shumicën e vendeve. Ekziston edhe çështja e sistemeve të arsimit profesional shëndetësor dhe kujdesit adekuat shëndetësor në fushën e mjekësisë geriatore në të gjithë botën.
Ka të dhëna se si sistemet shëndetësore në të gjithë botën po përgatiten për të përballuar rritjen e pacientëve gjithnjë e më të moshuar me më shumë sëmundje kronike, degjeneruese. Përballja me numrin e rritur të popullsisë së moshuar kërkon kujdes efektiv shëndetësor, i cili do të jetë sfidë e frikshme për të gjitha vendet në të ardhmen. Si rezultat i këtyre ndryshimeve, mjekët dhe personeli i kujdesit shëndetësor po përballen me një “lloj të ri” të pacientëve që shfaqen me një numër të gjendjeve klinike shoqëruese. Këto kombinime të gjendjeve rezultojnë me shkallë të ndryshme të deficiteve funksionale, çrregullimeve kognitive, problemeve nutritive dhe sindromave geriatrike (delirium, rënie, inkontinencë), shpesh në kushte të mbështetjes së pamjaftueshme sociale dhe burimeve financiare. Ky kompleks “i ri” një pacient i moshuar përfaqëson një shkallë të kompleksitetit që më herët nuk ishte i përshtatshëm dhe i diskutuar në protokollet mjekësore.
Sistemi i themeluar tradicional i kujdesit shëndetësor, pavarësiht nëse bëhet fjalë për shëndetësi shtetërore ose private, është sfidë për një pacient kaq të ndërlikuar.
Përgjigja ndaj sfidës së kompleksit “pacient i moshuar” është heterogjene në të gjithë botën; ndryshimet në disponueshmërinë e burimeve dhe problemeve ekonomike dhe kulturore janë të ndryshme në organizata të ndryshme në sistemet e kujdesit shëndetësor. Përveç kësaj qasjet metodologjike të adoptuara nga sistemet e vlerësimit të nevojave të pacientëve të tillë kompleks janë mjaft të ndryshueshme dhe nuk janë mjaftueshëm të standardizuara. Në mënyrë të veçantë, organizimi i shërbimeve geriatrike të kujdesit për pacientët, përfshirë vlerësimin dhe menaxhimin geriatrik, është shumë i ndryshueshëm në të gjithë vendet.
Në 20 vitet e fundit ka pasur disa zhvillime domethënëse edhe në disponueshmërinë e shërbimeve mjekësore për të moshuarit. Në vitin 1988, mjekësia geriatrike njihej si “specialitet i veçantë” nga Shoqata Amerikane e mjekësisë interne dhe Shoqata Amerikane e mjekësisë familjare. Nga viti 2006, mjekësia geriatrike u bë specializim i veçantë në Shtetet e Bashkuara dhe në shumë vende të Evropës.
Politika ndërkombëtare në kujdesin e të moshuarve
Vendet e zhvilluara po krijojnë strategji për mënyrën sesi sistemet shëndetësore në të ardhmen do të përballen me këtë problem, si në aspektin e kapacitetit dhe burimeve, ashtu edhe në ngarkesën financiare. Caktohen institucione që merren seriozisht me patologjinë e njerëzve të rritur nga pikëpamja shkencore dhe praktike. Një rrjet shërbimesh shëndetësore po zhvillohet në spitalet geriatrike, shtëpi për kujdes afatgjatë, shërbime për kujdes shtëpiak dhe shërbimet e kujdesit për të moshuarit në shtëpinë e tyre. Ajo që aktualisht është politikë në shumicën e vendeve evropiane dhe Shtetet e Bashkuara është ekzistenca dhe zhvillimi i rrjeteve të kujdesit shëndetësor për të moshuarit, të përshtatur me ligjet e kujdesit shëndetësor dhe mënyrat e sigurimit shëndetësor dhe fondet shëndetësore.
Repartet geriatrike zakonisht janë të vendosura në spitale speciale të trajtimit geriatrik, me shërbime këshilluese ambulatore, specialistike dhe nën-specialistike, me departamente të trajtimit spitalor, neurologjik spitalor, departamente të rehabilitimit fizik, njësi të demencës, njësi të kujdesit paliativ, spital ditor. Nga departamentet geriatrike, pacientët zakonisht kthehen në shtëpitë e tyre ose vendosen në ambiente të kujdesit afatgjatë.
Të dhënat nga disa vende evropiane tregojnë se numri i shtretërve për të moshuarit, në të ashtuquajturat “shtëpi pleqsh”, varion nga 21 shtretër për një mijë njerëz mbi 65 vjeç deri në një numër të madh prej 80 shtretërve, me një mesatare prej 49 shtretërish. Në shumë vende evropiane ekzistojnë shumë shërbime mjekësore në kushte shtëpie, përfshirë mjekët e familjes, si dhe shërbimet mjekësore në kushte shtëpiake. Agjencione speciale ofrojnë ndihmë për të moshuarit nga pikëpamja sociale, si ndihmë në shtëpi në kryerjen e detyrave të përditshme, blerjeve, ku përfshihen edhe vullnetarët.
Edhe vendi ynë duhet të përballet me shfaqjen e kësaj pandemie të të moshuarve dhe të krijojë politika shëndetësore dhe sociale, që do të sigurojnë jetë cilësore në pleqëri.
Kjo do të përfshijë zgjerimin e kapaciteteve, krijimin e një rrjeti shërbimesh që do të dallojnë me saktësi qëndrimin dhe trajtimin në institucionet geriatrike, dhe qëndrimin në shtëpitë e kujdesit afatgjatë me financat që janë në përputhje me sigurimin e tyre shëndetësor dhe shumën e pensionit që ato marrin.