Shkruan: Dr. Simonida Kotlarova – Poposka
gjinekologe
Human papilloma virusi – HPV shkaktohet nga infeksioni më i zakonshëm që transmetohet seksualisht në botë dhe është përgjegjës për pothuajse të gjitha rastet e kancerit të qafës së mitrës. Infeksioni gjenital me human papilloma virusin mund të ndahet në infeksion me rrezik të ulët (që shkakton lytha gjenitale) dhe infeksion me rrezik të lartë (që shkakton neoplazi intraepiteliale të qafës së mitrës dhe kancere të qafës së mitrës dhe të tjera).
Edhe pse shumica e infeksioneve me human papilloma virusin zgjidhen spontanisht brenda dy viteve, disa me rrezik të lartë qëndrojnë dhe konsiderohen si shenjë paralajmëruese e kancerit.
Vlerësohet se 80-100 përqind e vajzave midis moshës 18-25 vjeçe vijnë në kontakt me këtë virus seksualisht të transmetueshëm, ndërsa 30 përqind e vajzave zhvillojnë simptoma të infeksionit. Shkak për këtë është vetë-shërimi spontan, proces ky që varet shumë nga gjendja e sistemit imunitar të personit të infektuar.
LLOJET E RREZIKSHME
Janë identifikuar rreth 130 lloje të human papilloma virusit. Kjo është një grup i viruseve të ADN-së që infektojnë qelizat epiteliale të njeriut. Rreth 40 prej tyre shkaktojnë sëmundje gjenitale, ndërsa 15 lloje janë me rrezik të lartë që mund të shkaktojnë lezione intraepiteliale dhe kancere të qafës së mitrës dhe të tjera. Megjithëse kanceri i qafës së mitrës nuk është më i zakonshëm në botën e zhvilluar për shkak të skriningut përhapur gjerësisht, ai vazhdon të mbetet kanceri i tretë më i zakonshëm tek femrat në botë.
HPV-infeksioni është infeksioni më i zakonshëm që transmetohet seksualisht tek gratë. Rreth 80 përqind e femrave seksualisht aktive infektohen me HPV gjatë jetës së tyre.
Por infeksioni zakonisht është kalimtar dhe pa simptoma. Prevalenca e lythave gjenitale, manifestimi më i dukshëm i HPV infeksionit, shfaqet vetëm një përqind të grave seksualisht aktive. Pacientët me simptoma klinike përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të popullatës me infeksion latent. Infeksioni kronik me HPV rrit rrezikun e kancerit të qafës së mitrës për 65 herë, ndërsa tek llojet onkogjene me rrezik të lartë për 130 herë.
Tek shumica e femrave me test HPV pozitiv nuk do të shfaqen lythat gjenitale ose displasia e qafës së mitrës, megjithëse te femrat tjera infeksioni HPV është i lidhur me shfaqjen e kancerit të qafës së mitrës.
Dobësimi i sistemit imunitar për shkak të stresit kronik emocional ose stresit tjetër, kequshqyerjes, alkoolit dhe pirjes së duhanit mund të jetë shkaku i ndryshimit të përgjigjes imune, që mund të fillojë aktivitetin e virusit.
TRANSMETIMI I VIRUSIT
HPV transmetohet nga kontakti me lëkurën gjenitale të infektuar ose mukozën. Lythat gjenitale janë shumë infektive për shkak të hyrjes së tyre të lartë virale, pra deri në 65 përqind të kontakteve seksuale zhvillojnë infeksion. Periudha e zakonshme e inkubacionit për lythat është nga tre javë në tetë muaj, me një mesatare prej 2,9 muajsh. Infeksioni oral me HPV llojet gjenitale mund të ndodhë, por rreziku i transmetimit është i ulët. Transmetimi perinatal gjithashtu mund të ndodhë, por është i rrallë.
SIMPTOMAT
Tek meshkujt lythat gjenitale shfaqen në kokën e penisit, ndërsa tek femrat në buzët e vogla, në të gjithë sipërfaqen e vaginës, perineumit, ose rreth anusit. Nëse numri i lythave është i moderuar, atëherë edhe kruajtja është e moderuar.
Në rast të një numri më të madh të lythave, dhe nëse ato janë në grup, është e mundshme gjakderdhja dhe atëherë lythat janë shumë të dhimbshme. Infeksioni me llojet me rrezik të lartë mund të shoqërohet ose të shfaqet i izoluar, dhe zakonisht zbulohet përmes HPV-brisit nga qafa e mitrës, i cili rekomandohet për anomalitë në PAP testin.
ZHVILLIMI KLINIK DHE MANIFESTIMET
HPV infeksioni mund të jetë latent, subklinik ose klinik.
Mund të jetë infeksion viral i ulët pa sëmundje klinike, ose infeksion viral i lartë me sëmundje klinike. Një sëmundje e tillë mund të manifestohet si lythat gjenitale ose si lezionet intraepiteliale me shkallë të ulët ose të lartë. Në 90 përqind të atyre të infektuar me HPV të lartë ose të ulët, infeksioni pastrohet brenda dy viteve. Koha mesatare për pastrimin e lythave gjenitale pas trajtimit është rreth gjashtë muaj. Tek femrat, deri në 30% të rasteve të lythave gjenitale largohen spontanisht brenda katër muajve.
Nuk është e qartë nëse ky regresion imuno i ndërmjetësuar e eliminon infeksionin apo e shtyp atë përgjithmonë, por në të dyja rastet virusi pushon së manifestuari lezione. Në një numër më të vogël të rasteve kur infeksioni nuk pastrohet, ekziston rreziku i përparimit në malinj.