Shkruan: Dr. Stefanka Ivanova
Endokrinologe
Gjëndra tiroide e cila ka formën e fluturës, gjendet në pjesën e përparme të qafës, është rregullator kryesor i shumë proceseve metabolike në organizëm. Rregullon menstruacionin, peshën e trupit dhe nivelin e kolesterolit. Sintezës së hormoneve të gjëndrës tiroide i nevojitet jod, ndërsa burimet kryesore të jodit janë ushqimi dhe uji.
Kur flasim për tiroiden dhe funksionin e saj, një nga pyetjet më të zakonshme është nëse ekziston lidhje midis gjëndrës tiroide dhe shtatzënisë dhe si do të zhvillohet shtatzënia nëse keni ndonjë problem me gjëndrën tiroide? Për t’u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, duhet të dimë ndikimin e gjëndrës tiroide gjatë periudhës së shtatëzanisë.
Hormonet e gjëndrës tiroide janë të rëndësishme për zhvillimin e duhur të trurit të fetusit, sidomos gjatë tremujorit të parë. Ekziston një lidhje midis zhvillimit intelektual të fëmijës dhe niveleve të hormoneve në trupin e nënës. Ato mund të jenë shkak i aborteve dhe lindjes së hershme të fëmijës. Kjo është arsyeja pse çdo grua duhet të planifikojë shtatzëninë. Para se të vendosni të bëheni nënë, duhet të kontrollni hormonet e gjëndrës tiroide.
HIPOTIREOZA
Nëse konstatohet se një femër vuan nga hipotiroidizmi, kjo do të thotë se ka ulje të sekretimit të hormoneve të gjëndrës tiroide dhe atëherë ka çrregullime menstruale dhe ndërprerje të ovulacionit, ndërsa kështu edhe vështirësi në ngjizje. Më pas shfaqet llodhja, shtimi në peshë, depresioni dhe lëkura e thatë, ndërsa shpesh herë mund të ketë edhe nivele të larta të kolesterolit. Kur të konstatohet shtatzënia, endokrinologu duhet të rrisë menjëherë dozën e medikamentit dhe të analizohen hormonet e gjëndrës tiroide çdo 4 javë gjatë shtatëzanisë. Qëllimi është të ruhet TSH nën 2.5 ml U/ L. Analiza e antitrupave – ATPO është gjithashtu e nevojshme, për shkak të rrezikut të lartë të abortit. Në rast të antitrupave të lartë ATPO dhe praninë e patologjisë tiroide te të afërmit, gratë shtatzëna duhet të monitorohen hormonalisht një herë në muaj. Kontrollet e rregullta dhe dozimi i duhur i ilaçeve do të lejojë që shtatzënia të jetë pa probleme.
HIPERTIREOZA
Nëse konstatohet hipertiroidizmi, kjo do të thotë se ka sekretim të rritur të hormoneve të gjëndrës tiroide. Edhe gjatë kësaj gjendje shkaktohen çrregullime në trupin e nënës, të tilla si gjakderdhje të shpeshta dhe gjakderdhje ndërmjet-cikleve, si dhe problem me ngjizjen. Mund të ndodh edhe humbje peshe, nervozë, ankth, çrregullim i funksionit të zemrës dhe probleme me shikimin. Gjatë tremujorit të parë nivelet e larta të hormoneve të mbetura në trup mund të shkaktojnë nivele pak më të larta të hormoneve tiroide. Zakonisht ndodh tek gratë që kanë më shumë të ngjarë të shfaqet nauza dhe të vjellat. Kjo formë e hipertiroidizmit shkaktohet nga simptomat e shtatzanisë dhe nuk kërkon trajtim.
SËMUNDJA E GRAVES
Sëmundja e Graves është forma më e zakonshme e hipertiroidizmit tek femrat e reja. Gjatë kësaj sëmundje, gjëndra tiroide sulmohet nga antitrupat e saj që nuk mund ta njohin atë si pjesë të trupit dhe e sulmojnë atë si organ të huaj. Nëse nuk trajtohet ky lloj i hipertireozës, mund të jetë i rrezikshëm si për nënën ashtu edhe për fëmijën. Ilaçet që përdoren për të trajtuar sëmundjen mund të shkaktojnë komplikime gjatë lindjes. Propylthiouracil është opsioni më i sigurt në tremujorin e parë të shtatzënisë. Një nga variantet është heqja e gjëndrës tiroide me anë të operacionit ose terapisë me jod radioaktiv përpara ngjizjes. Atëherë nuk ka nevojë të përdoren ilaçe. Një tjetër variant është vazhdimi i marrjes së ilaçeve, por në doza minimale. Për këtë arsye, është e rëndësishme të konsultoheni me endokrinologun sapo të jetë konstatuar shtatzënia.
SKRINING PËR DIAGNOSTIKIM NË TREMUJORIN E PARË TË SHTATËZANISË
Për shkak të mbizotërimit të lartë të sëmundjeve të gjëndrës tiroide, skriningu për diagnostikimin e sëmundjeve të gjëndrës tiroide gjatë tremujorit të parë të shtatëzanisë është me interes të madh dhe ka qenë objekt i studimeve të shumta. Prandaj është logjike të bëhet skriningu te çdo grua shtatzënë me faktorë të rrezikut. Këta faktorë rreziku janë mbi moshën 35 vjeç, simptoma që sinjalizojnë mosfunksionim e gjëndrës tiroide, probleme hormonale, anamnezë familjare dhe të tjera. Ekzaminimi konsiston në analizat e gjakut për TSH, antitrupat-ATPO dhe ultrazë të gjëndrës tiroide.
USHQIMI I SHTATZËNAVE SI MBROJTJE
E rëndësishme është të dihet se mënyra e të ushqyerit është shumë e rëndësishme gjatë shtatëzanisë. Gratë shtatzëna duhet të ushqehen me mënyrë të shëndetshme dhe të marrin rregullisht hekur, selen dhe jod, duke e rritur kështu mbrojtjen kundër sëmundjeve të gjëndrës tiroide. Edhe pse këto minerale mund të merren gjithashtu në formën e suplemeteve, ose si shtojca dietike, mjekët rekomandojnë që ato të përfshihen në ushqime. Dhe në fund është veçanërisht e rëndësishme që problemet e gjëndrës tiroide të njihen dhe trajtohen në kohën e duhur për të lejuar një shtatzëni normale dhe fëmijë të shëndetshëm.