Shkruan: Dr. Verçe Todorovska
dermatolog
Pothuajse kudo në botë, realizohen programet parandaluese, fokusi kryesor i të cilave është zvogëlimi i numrit të rasteve të reja të kancerit të lëkurës, duke zvogëluar ekspozimin ndaj rrezatimit UV, duke rritur ndërgjegjësimin publik për efektet e dëmshme të rrezeve të diellit, si dhe edukimin se si të mbrohen në mënyrën e duhur. Për shembull, në Australi si vendi me incidencën më të lartë, programi Sun smart dhe slogani, Slip, slop, slap and wrap janë zbatuar që nga fillimi i viteve ’80, ato pranohen nga popullata e gjerë dhe mund të thuhet se rezultatet e aplikimit të tyre janë të dukshme. Trendi i zvogëlimit të incidencës së rasteve të reja në popullatën më të re “sun smart” fillon nën moshën 30 vjeçare, popullatë që, prej moshës së vogël i përmbahet rregullave për mbrojtjen nga rrezatimi i diellit.
Në vitin 1999, në Belgjikë u formua EUROMELANOMA, e cila shpejt u rrit në një organizatë pan-evropiane me më shumë se 30 shtete anëtare ndër të cilat edhe shteti ynë. Qëllimi kryesor është ofrimi dhe promovimi i informatave për parandalimin e kancerit të lëkurës, organizimi i fushatave, ndër të cilat dallohet edhe ekzaminimi skrining pa pagesë nga dermatologët vullnetarë, gjë që kryhet edhe në vendin tonë, çdo vit në muajin maj, i cili është muaji që i dedikohet luftës me melanomën.
Edhe këtë vit midis datës 28 dhe 30 maj, do të realizohen skrining ekzaminimet pa pagesë për melanomën dhe kancerin e lëkurës në departamentet dermatologjike të institucioneve shëndetësore publike, por edhe në ordinancat private dermatologjike.
EUROMELANOMA siguron edukimin e popullsisë rreth rreziqeve të melanomës, si ta parandalojë atë, se si të sillemi siç duhet nën rrezet e diellit dhe mbrojtjet adekuate nga rrezet UV. Çdo melanomë e zbuluar herët, do të thotë një jetë e shpëtuar, do të thotë një pacient më pak në departamentin e onkologjisë, do të thotë ruajtjen e burimeve të konsiderueshme financiare, të cilat nëse përdoren për qëllime parandaluese do të sjellin përfitime edhe më të mëdha për shëndetin e përgjithshëm të popullatës dhe për zvogëlimin e numrit të vdekjeve.
Melanoma është kanceri i vetëm që mund të shihet me sy, mirëpo vetëm nëse zbulohet në kohë mund të kurohet me sukses.
Sigurisht që një fushatë tre-ditore, dhe një muaj i tërë i dedikuar melanomës dhe kancerit të lëkurës, nuk është aq e mjaftueshme. Parandalimi primar që synon faktorët kancerogjen të mjedisit që çojnë në shfaqjen e kancerit të lëkurës, duhet të realizohen në nivel kombëtar me një strategji të zhvilluar mirë për tërë vitin dhe përfshirjen e profesionistëve nga të gjitha fushat, kryesisht dermatologë, kirurgët plastikë, onkologë, patologë, gjenetistë. Çdo shtet ka një trup përbërës të veçantë i cili është kompetent dhe i detyruar të realizojë programe parandaluese për të gjitha llojet e sëmundjeve malinje.
Ekzistojnë një numër mundësish dhe mënyrash që mund të jenë parandaluese:
- Implementimi i marketingut multimedial social kombëtar për rritjen e ndërgjegjësimit të kancerit të lëkurës dhe mbrojtjen nga dielli;
- Ndalimi i solariumeve, sidomos për të miturit;
- Përdorimi i zgjidhjeve të reja digjitale më të pranueshme për të rinjtë (rrjetet sociale, aplikacionet mobile);
- Praktikimi i sun smart programeve edhe në institucionet parashkollore;
- Mbrojtja e punonjësve në ambiente të hapura me legjislacion të veçantë;
- Përdorimi i mediave dhe shtypit për ngritjen e ndërgjegjësimit publik;
- Angazhimi i sektorit joqeveritar në zbatimin e punëtorive edukative.
Parandalimi dytësor është zbulimi i hershëm
- Popullarizimi i ekzaminimeve dermoskopike parandaluese në të gjithë popullatën, të paktën një herë në vit (të tilla si PAP testi, echo të gjirit, echo të prostatës)
- Përfshirja e SKIN STATUS në ekzaminimet sistematike. Melanoma zakonisht shfaqet tek grupmosha midis 30 dhe 60 vjeç, që do të thotë se tek popullata e shëndetshme dhe e aftë për punë, e cila përveç ekzaminimeve sistematike të detyrueshme, rrallë paraqitet për ekzaminim.
- Trajnimi i sa më shumë dermatologëve për dermoskopi.
- Edukimi i personelit të përgjithshëm mjekësor për njohjen e lezioneve të dyshimta. Mirëpo, edhe të personelit jo mjekësor – kosmetolog, frizer, masazhes, të cilët kanë më shumë gjasa që të jenë në kontakt me popullatën.