Dr. Violeta Hristova-Janiq: Ndryshimet e mëlçisë të shkaktuara nga alkooli manifestohen në hepatitin yndyror, alkoolik dhe cirrozën

Alkooli nuk mund të ruhet në organizëm, por përpunohet në mëlçi nëpërmjet enzimave. Këto enzima, përmes përpunimit të alkoolit, çojnë në prodhimin e proteinave toksike të cilat shkaktojnë vdekjen e qelizave të mëlçisë.

Shkruan: Dr. Violeta Hristova-Janiq

Internist, gastroenterohepatolog


Alkooli është armiku më i madh i mëlçisë, i cili mund të çojë në shkatërrimin e plotë të tij, si dhe në tërë organizmin e njeriut. Nuk ka qelizë në trup që nuk preket nga ky helm. Pirja e alkoolit për jë kohë të gjatë dhe në mënyrë të tepruar është një nga shkaktarët kryesor të zhvillimit të sëmundjeve të mëlçisë. Edhe pse alkooli është toksinë direkte për mëlçinë, hepatiti alkoolik dhe cirroza nuk zhvillohen në të gjithë pacientët që e konsumojnë. Shpjegim për këtë është fakti se, dëmtimi i mëlçisë ndikohet nga disa faktorë: gjinia, ushqimi, faktorët gjenetikë, sa kohë konsumohet dhe çfarë sasi konsumohet.

FAKTORËT

Gjinia është faktor i rëndësishëm, pasi që femrat janë më të ndjeshme ndaj sasive më të vogla të alkoolit dhe kanë prirjen që më shumë të përkeqësojnë sëmundjen. Faktorët trashëgues luajnë rol të rëndësishëm, para së gjithash, në shkallën e eleminimit të alkoolit nga organizmi, i varur nga enzimet. Të ushqyerit vepron në mënyrën që mungesa e proteinave thekson efektet toksike dhe vetitë e alkoolit. Në një farë mase, ushqimi cilësor mund të mbrojë mëlçinë.

KATEGORITË E PRIRURA NDAJ RREZIKUT

Rreziku i sëmundjeve të mëlçisë është më i lartë tek alkoolistët dhe duhanpirësit. Tek alkoolistët me virusin e hepatitit B, dëmtimi i mëlçisë paraqitet edhe me pirjen e sasive të vogla të alkoolit. Alkooli nuk mund të ruhet në organizëm, por përpunohet në mëlçi nëpërmjet enzimave. Këto enzima, përmes përpunimit të alkoolit, çojnë në prodhimin e proteinave toksike të cilat shkaktojnë vdekjen e qelizave të mëlçisë.

TRE FORMAT E SËMUNDJES

Ndryshimet e shkaktuara nga alkooli mund të manifestohen përmes tre formave: mëlçisë yndyrore, hepatiti alkoolik dhe cirroza e mëlçisë (dëmtime të përhershme).

  • Mëlçia yndyrore

Yndyra konsiderohet si ndryshimi fillestar i sëmundjes pa dëme të përhershme. Mëlçia yndyrore është e pranishme në më shumë se 90% të pacientëve që kanë pirë alkool për një kohë të gjatë. Kjo është forma më e zakonshme e sëmundjes alkoolike dhe zakonisht është pa simptoma ose manifestohet nga lodhja ose dhimbja nën brinjën e anës së djathtë. Nëse pacienti vazhdon të pijë, yndyra mund të kthehet në cirrozë. Mëlçia yndyrore mund të jetë dukuri e kthyeshme pas abstenencës së alkoolit, d.m.th pas ndërprerjes së marrjes së alkoolit, mëlçia mund të kthehet në gjendje normale brenda disa javëve.

  • Hepatiti alkoolik

Ky hepatit paraqet përkeqësim të sëmundjes, që shfaqet si pasojë e pirjes së sasive të mëdha të alkoolit ose nëse pini përsëri pas abstenencës. Prognoza për këtë hepatit është serioze, ndërsa shkalla e vdekshmërisë është e lartë. Simptomat janë: dobësi, ethe, nauze, të vjella, diarre, nganjëherë zverdhje të lëkurës dhe mukus, temperaturë, lëng stomaku (askit), por mund të ndodh edhe dështim i mëlçisë ose veshkave. Gjysma e këtyre pacientëve tashmë kanë cirrozë, ndërsa tek pjesa tjetër mund të zhvillohet.

  • Cirroza

Ky është dëmtim i përhershëm i mëlçisë, gjatë të cilit mëlçia zvogëlohet, krijohet ind lidhës (plagë) dhe humbet funksioni. Cirroza e alkoolit nuk ndryshon nga cirroza për një arsye tjetër. Sëmundja mund të jetë pa simptoma ose të shfaqen simptomat si ndërlikimi i cirrozës: grumbullimi i lëngjeve në stomak, gjakderdhja nga enët e zgjeruara të gjakut të ezofagut, çrregullime të trurit ose veshkave, çrregullime neurologjike, kardiovaskulare, respiratore dhe hematologjike. Si tek të gjitha cirrozat, ashtu edhe tek kjo ekziston rreziku i lartë për zhvillimin e kancerit të mëlçisë.

Çfarë sasie alkooli e shkakton cirrozën

Pirja e përditshme e alkoolit është shumë më e rrezikshme se ajo me raste. Sa kohë duhet për të zhvilluar sëmundje të mëlçisë varet nga fakti se sa pini. Për shembull, 10 gram etanol ose alkool të pastër ka në 330 mililitra birrë ose 100 mililitra verë. Sëmundja e mëlçisë tek burrat do të shfaqet me marrjen e më shumë se 60-80 gram etanol në ditë gjatë një periudhe prej rreth 8-10 vjet, ndërsa te femrat marrja prej 20-40 gram etanol në ditë. Futja e më shumë se 160 gram etanol në ditë jep një rrezik prej 25 herë më të madh të zhvillimit të cirrozës. Me pirjen e vetëm 20-50 gram etanol në ditë tek pacientët me hepatit C rritet rreziku i shfaqjes së cirrozës. Përafërsisht cirroza do të zhvillohet nëse pini rreth një litër verë në ditë për 20 vjet.

Nga ekzaminimi deri te transplantimi

Në laborator pacienti mund të ketë vlera të larta të enzimave të mëlçisë (AST, ALT, GGT). Për dëmtime më të avancuara ka ulje të nivelit të albuminës, çrregullim të koagulimit të gjakut, vlera të larta të bilirubinës, anemi… Se sa është e dëmtuar mëlçia mund të vlerësohet përmes ekotomografisë. Trajtimi është heqja dorë nga alkooli dhe ushqimi i përshtatshëm me kalori të larta. Barna të caktuara e përmirësojnë mbijetesën e pacientëve me hepatit alkoolik dhe cirrozë, por në të njëjtën kohë ndikojnë në parandalimin e komplikimeve. Transplantimi i mëlçisë bëhet vetëm pas abstenencës, pasi që pacientët lehtësisht i kthehen përsëri alkoolit.