Shkruan: Dr. Vlatko Cvetanovski
Kirurg kardiovaskular
Sulmi në tru është sëmundje që është gjithnjë e më e zakonshme në raportet dhe statistikat mjekësore, ndërsa sipas vdekshmërisë tashmë është në vendin e tretë, menjëherë pas sëmundjeve të zemrës dhe atyre malinje. Sulmi në tru është sëmundje e indeve të trurit dhe pasojë e çrregullimit të qarkullimit të trurit, brenda ose jashtë tij. Fillon papritur dhe mund të jetë shkak për paaftësi të përhershme, invaliditet ose vdekje. Sëmundja është e njohur që nga koha e Hipokratit, ndërsa sot numri i rasteve të reja në Evropë varion nga 2 deri në 4 promil, ndërsa në disa vende deri në tetë promil.
Tek më shumë se 80% e rasteve të sulmit në tru shkaktarë është ateroskleroza.
Ky është proces i akumulimit të yndyrës, qelizave të gjakut dhe kalciumit në murin e brendshëm të enës së gjakut, pas së cilës gradualisht bllokohet. Procesi i depozitimit në muret e enëve të gjakut fillon që në fëmijëri dhe përparon me ritëm të ndryshëm gjatë gjithë jetës. Përshpejtimi ndikohet nga tensioni i lartë i gjakut, diabeti, pirja e duhanit, mbipesha, rritja e yndyrës në gjak, stresi, pasiviteti fizik, alkooli…
MOS I NEGLIZHONI SIMPTOMAT QË JANË ZHDUKUR PËR NJË DITË
Sulmit në tru i paraprijnë disa shenja paralajmëruese. Ato janë simptomat e njëjta si të sulmit në tru, me ndryshimin se ato zhduken plotësisht brenda 24 orëve. Prandaj është shumë e rëndësishme që këta pacientë menjëherë pas simptomave të kryejnë ekzaminim serioz tek neurologu, angiologu dhe kirurgu vaskular.
Sot ekzistojnë një numër procedurash që mund të sqarojnë rastin më të ndërlikuar të sulmit në tru. Metodat ndahen në invazive dhe jo-invazive.
- Nga ato jo-invazive më e përdorur është Doppleri i enëve e gjakut karotide, angiografia me tomografi kompjuterike dhe me rezonancë magnetike.
- Nga ato invazive më e zakonshme është angiografia sipas metodës Seldinger.
Sulmi në tru është gjendje urgjente, e cila trajtohet në institucione të specializuara, ndërsa pjesa më e rëndësishme është transporti i shpejtë dhe i sigurt deri tek një strukturë e tillë mjekësore, diagnostikimi i shpejtë, ndërsa më pas edhe marrja e masave për trajtim. Pacientët që shkojnë te mjeku deri në tre orët e para pas fillimit të simptomave mjekohen në mënyrë më efektive.
Me ilaçet trombolitike moderne shkatërrohet dhe dekompozohet mpiksja që i bllokon arteriet dhe me këtë normalizohen funksionet e trurit. Tek pacientët e tjerë aplikohen ilaçe që e parandalojnë mpiksjen e gjakut ose ilaçet që e parandalojnë grumbullimin e trombociteve.
EKZAMINIMI I RREGULLT I ENËVE TË GJAKUT TË QAFËS
Pjesa më e rëndësishme e luftës kundër sulmit në tru është parandalimi, domethënë lufta me rrezik faktorët. Te disa prej tyre, si mosha, gjinia dhe faktorët gjenetikë, nuk mund të ndikohet, por te shumë nga rrezik faktorët si tensioni i lartë i gjakut, pirja e duhanit, stresi, diabeti, kolesteroli i lartë, pasiviteti fizik dhe të tjerë, mund të ndikohen me ndryshimin e mënyrës së jetës. Për të shmangur sulmin në tru veçanërisht të rëndësishme janë ekzaminimet parandaluse mjekësore, gjatë të cilave me metodat jo-invazive mund të zbulohen ndryshimet në enët e gjakut në qafë, edhe atë shumë herët, përpara se sulmi në tru të fillojë të manifestohet.
Pas zbulimit të ndryshimeve në enët e gjakut në qafë, pacientët i nënshtrohen ndërhyrjes kirurgjikale – endarterektomia e trombit karotid. Me këtë pastrohen depozitat yndyrore dhe largohet ngushtimi i arterieve karotide.
Shenjat e sulmit në tru
Lloji më i zakonshëm i sulmit në tru është i ashtuquajturi ishemik. Vdekshmëria gjatë një sulmi të tillë është 20% deri në 40% të rasteve, ndërsa zkonisht shkaktohet nga proceset aterosklerotike të arterieve karotide (60%). Atë mund ta shkaktojën edhe arterioskleroza e arterieve të trurit në kafkë (30%), ndërsa më rrallë edhe shkaktarët si trombet e zemrës dhe aneurizmat. Gjatë sulmit ishemik mund të manifestohet një spektër i tërë pa simptoma, në varësi të qendrës së trurit të prekur nga arterioskleroza. Sidoqoftë, simptomat më të zakonshme janë: frymëmarrja e personit, të folurit e përkeqësuar, kokëdhimbje të forta, njolla të zeza…