Shkruan: Dr. Zlatko Pendovski
Kirurg – urolog
Shfaqja e gjakut në urinë është simptomë shumë e zakonshme tek pacientët, gjë që mund të shkaktohet nga faktorë të shumtë. Ndonjëherë nuk është i nevojshëm trajtimi, por ndonjëherë është simptomë e sëmundjeve urologjike shumë të rënda. Pikërisht për këtë arsye duhet të shkohet në vizitë te mjeku. Prania e gjakut në urinë jo gjithmonë është e dukshme.
Kur sasia e qelizave të kuqe të gjakut në urinë është e ulët, atëherë ajo duket normale. Këtë lloj dukurie e quajmë mikrohematuri, sepse qelizat e kuqe të gjakut shihen vetëm nën mikroskop. Kur gjaku në urinë është i dukshëm, atëherë ajo duket si ngjyrë rozë, ndërsa zakonisht është e kuqe. Një sasi shumë e vogël e gjakut në urinë jep ngjyrë të kuqe shumë të theksuar. Kështu, për shembull, nëse vendosim një gram gjaku në urinë, ajo do të jetë në ngjyrë të kuqe të theksuar.
Hematuria mund të shfaqet vetëm në fillim të urinimit, nga fillimi deri në fund të urinimit ose vetëm në fund të urinimit. Këto ndryshime mund të tregojnë se nga cila pjesë e traktit urinar buron gjaku që gjendet në urinë. Përndryshe, gjurmët e gjakut në urinë janë normale. Përndryshe, rreth një milion qeliza të kuqe të gjakut normalisht largohen përmes urinës çdo ditë. Por ky fenomen nuk shihet dhe nuk konsiderohet si hematuri.
Statistikat thonë se rreth 10% e të gjithë njerëzve gjatë jetës së tyre, për arsye të ndryshme, kanë hematuri.
Fillimisht, sipas simptomave që e pasojnë hematurinë, mund të jetë gjendje në të cilën shfaqja e gjakut në urinë shoqërohet me dhimbje. Mund të jenë në zonën e veshkave dhe më së shpeshti tregojnë për praninë e gurëve në veshka. Dhimbja mund të jetë në zonën e fshikëzës, kështu që mund të tregojë inflamacion, gur fshikëz dhe shumë sëmundje të tjera.
Hematuria e dhimbshme është forma më e rrezikshme e kësaj gjendje dhe zakonisht pas kësaj fshihen sëmundje të rënda. Hematuria spontane është ajo që vjen pa ndonjë shkak të veçantë, ndërsa e provokuar shfaqet pas provokimeve të dukshme siç është puna fizike, vrapimi, ngarja e veturës në rrugë jo të rrafshët, dhe zakonisht tregon për gur në traktin urinar.
Në përgjithësi, shkaktari më i zakonshëm i hematurisë tek njerëzit më të rinj se 40 vjet janë gurët në veshka dhe në kanalet urinare dhe infeksioni i traktit urinar. Në një moshë më të përparuar, sidomos nëse hematuria nuk shoqërohet me dhimbje, ka të ngjarë të shkaktohet nga kanceri i fshikëzës, veshkave dhe prostatës.
Shkaqet më të zakonshme të hematurisë
- Gurë në veshka
- Infeksioni i traktit urinar
- Infeksioni i organeve gjenitale (zakonisht tek gratë)
- Bllokimi i kanaleve urinare me gur
- Presion ndaj indeve që e rrethojnë
- Kanceri i veshkave, fshikëzës ose prostatës
- Sëmundje të ndryshme të veshkave
- Lëndime
- Tensioni i lartë i gjakut
- Disa ilaçe (disa lloje të caktuara të antibiotikëve, analgjetikëve si aspirina, antikoagulantë)
- Sëmundje kronike si diabeti
- Anemia
- Infeksione virale
- Inflamacioni i veshkave
- Tuberkulozi i traktit urinar
- Çrregullimi i koagulimit të gjakut dhe gjendjeve dhe sëmundjeve të tjera
- Adenoma e prostatës që është shkak i zakonshëm i hematurisë tek pacientët më të vjetër
Urina merr ngjyrë të kuqe si nga ushqimi ashtu edhe nga ilaçet
Urina mund të jetë ngjyrë rozë, e kuqe ose kafe e errët për shkak se nuk lidhen me gjakderdhjen e traktit urinar. Urina merr ngjyrë të kuqe për shkak të disa ilaçeve si laksativë dhe ilaçeve kundër dhimbjeve, ushqimi si panxhar, boronica, ngjyrat e ëmbëlsirave… Ngjurën e urinës gjithashtu mund ta ndryshojnë edhe sëmundjet e mëlçisë.
Kur tregon gjaku për praninë e gurëve në veshka dhe infeksioneve të traktit urinar?
Guri në veshka, përveç hematurisë, mund të shkaktojë edhe dhimbje shumë të forta në pjesën e poshtme të shpinës dhe barkut, të përziera dhe të vjella, urinim të shpeshtë, ndjesi djegieje gjatë urinimit. Simptoma të ngjashme shkaktojnë edhe infeksionet e traktit urinar. Ato shpesh ndiqen nga urinimi shumë i shpeshtë, urina e turbullt, ethet dhe temperatura e lartë.
Si trajtohet hematuria?
Kur shfaqet hematuria, ajo duhet të ekzaminohet dhe të gjendet shkaktari i gjakderdhjes. Nëse shfaqet gjak në urinë, nuk duhet të përpiqeni të trajtoni vet veten tuaj. Gjithmonë duhet të trajtohet në mënyrë të arsyeshme. Fillimisht të gjendet shkaku dhe më pas të trajtohet. Mjekësia moderne njeh shumë metoda për shqyrtimin e shkaktarëve të hematurisë. Shumë shpesh është i nevojshëm ekzaminimi urologjik. Përmes bisedës me pacientin mund të zbulohen shumë shkaktarë të gjakut në urinë, ndërsa në dispozicion na qëndrojnë shumë ekzaminime laboratorike, me rreze X, ekzaminime echo-tomografike dhe endoskopike.