Ecja në gjumë llogaritet si çrregullim i gjumit, e quajtur ndryshe parasomnia. Këto janë sjellje të pazakontë që ndodhin gjatë gjumit, duke përfshirë ecjen në gjumë, makthet dhe çrregullimet e REM fazës së gjumit.
Parasomnia shpesh mund të përkeqësohet gjatë një periudhe stresuese, por në disa raste mund të jetë pasojë e ankthit dhe depresionit.
Tipari kryesor i ecjes në gjumë është shfaqja e sjelljes automatike gjatë natës. Personi që ec në gjumë nuk u përgjigjet stimujve të jashtëm ose personave që ndodhen në afërsi.
Ecja në gjumë zakonisht përfshin ecjen nëpër shtëpi, por mund të përfshijë edhe aktivitete të tjera të njohura si larjen, veshjen, pregatitjen e kafesë ose çajit… Ecja në gjumë mund të shkaktohet nga nevoja për urinim, kështu që personi ngrihet nga shtrati, kryen nevojën dhe kthehet të flej, ndërsa në mëngjes nuk i kujtohet aspak se është ngritur gjatë natës.
Duke pasur parasysh se aktivitetet gjatë ecjes në gjumë mund të jenë të rrezikshme, është gabim që këta persona të mos zgjohen në ato momente. Sigurisht, vëmendja është e nevojshme në momentin e zgjimit, në mënyrë që të shmangen dëmtimet.
Incidenca e ecjes në gjumë nuk është plotësisht e njohur, por prevalenca mendohet të jetë 15-20% gjatë gjithë jetës. Njerëzit rrallë herë shkojnë për trajtim, përveç, nëse lëndohen gjatë ecjes në gjumë. Më e zakonshme është tek fëmijët, sidomos midis moshës tre dhe shtatë vjeçare. Fëmijët këtë gjendje e tejkalojnë me kalimin e viteve, duke zvogëluar sasinë e gjumit të thellë.