Faktorët e rrezikut të demencës mund të ndryshojnë me kalimin e viteve

Demenca është sëmundje e komplikuar dhe rezultatet e parashikimeve të rrezikut duhet t'i përshtaten individit, theksojnë mjekët.

Faktorët e rrezikut të demencës duket se ndryshojnë me kalimin e viteve dhe ekspertët besojnë se kjo njohuri mund t’i ndihmojë njerëzit të ndryshojnë stilin e jetës së tyre për të zvogëluar rrezikun e zhvillimit të sëmundjes.

Demenca është sëmundje e ndërlikuar dhe rezultatet e parashikimeve të rrezikut duhet t’i përshtaten individit, theksojnë mjekët.

Njerëzit me diabet në moshën 55-vjeçare kanë katër herë më shumë gjasa të zhvillojnë demencë më vonë sesa ata pa diabet në atë moshë.

Gjithashtu, njerëzit me presion të lartë të gjakut (hipertension) mbi moshën 55 vjeç kanë më shumë gjasa të zhvillojnë demencë, ndërsa rreziku rritet me rreth 12% me çdo rritje të presionit të gjakut sistolik me 10 mmHg.

Individët që kishin sëmundje të zemrës, por jo sulm në tru në moshën 65-vjeçare, kishin dy herë më shumë gjasa të zhvillonin demencë, treguan rezultatet e studimit.

Njerëzit në të 70-at që kishin diabet dhe sulm në tru kishin më shumë gjasa të zhvillonin demencë, ndërsa ata në të 80-at që kishin sulm në tru ose diabet kishin nga 40% deri në 60% më shumë gjasa për të zhvilluar demencë.