Më shumë se një milion njerëz në mbarë botën janë rikuperuar nga koronavirusi i ri, tregojnë të dhënat zyrtare nga Universiteti John Hopkins. Por, ekspertët thonë se rruga për shëndet të plotë nuk është e njëjtë për të gjithë.
Koha e rikuperimit varet kryesisht nga ashpërsia e sëmundjes. Disa pacientë do të shërohen shumë më shpejt, për disa mund të duhen javë, madje edhe muaj për t’u rikuperuar, ndërsa për të tjerët, efektet e COVID-19 mund të lënë probleme të përhershme shëndetësore. Mosha, gjinia dhe sëmundjet tjera kronike rrisin rrezikun e simptomave serioze gjatë infeksionit.
Sa më invaziv dhe i zgjatur trajtimi që merr pacienti, aq më gjatë do të zgjasë shërimi i sëmundjes.
- Çfarë nëse kemi vetëm simptoma të buta?
Shumica e njerëzve që zhvillojnë COVID-19 do të zhvillojnë vetëm simptomat themelore – kollë ose temperaturë të lartë. Por ata gjithashtu mund të përjetojnë dhimbje në trup, lodhje, dhimbje të fytit dhe dhimbje koke. Kolla fillimisht është e thatë, por disa njerëz në fund mund të fillojnë të kenë kollë me sekret që përmban qeliza të vdekura të mushkërive të vrara nga virusi. Këto simptoma trajtohen me pushim në shtrat, shumë lëngje dhe ilaçe për lehtësimin e dhimbjeve.
Personat me simptoma të buta, sipas përvojës së mëparshme, shërohen mirë dhe shpejt.
Ethet duhet të qetësohen në më pak se një javë, megjithëse kolla mund të zgjasë më gjatë. Analiza e të dhënave kineze të Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) thotë se duhen mesatarisht dy javë që pacientët me këtë lloj simptome të shërohen.
- Çfarë nëse kemi simptoma më serioze?
Për disa pacientë, sëmundja mund të jetë shumë më serioze. Kjo ka tendencë të ndodhë rreth shtatë deri në 10 ditë pas fillimit të infeksionit. Ndryshimi mund të jetë i menjëhershëm dhe i papritur. Frymëmarrja bëhet e vështirë dhe mushkëritë bëhen të inflamuara. Kjo për shkak se sistemi imunitar i trupit përpiqet të mbrojë veten e tij – gjë që paraqet reagim të tepruar, ndërsa trupi përjeton dëmtim kolateral. Disa njerëz madje do të duhet të shtrohen në spital me terapinë e oksigjenit. Dr. Sarah Jarvis thotë: “Mund të zgjasë shumë kohë që gulçimi të përmirësohet. Mund të duhen dy deri në tetë javë që pacienti të shërohet, me ndjenjë të vazhdueshme lodhjeje.
- Çfarë nëse kemi nevojë për kujdes intenziv?
OBSH vlerëson se një në 20 persona të infektuar kanë nevojë për kujdes intensiv, i cili mund të përfshijë qetësim dhe vendosje të respiratorit. Do të duhet kohë që pacienti të shërohet pas kujdesit intensiv. Para se një pacient i tillë të lëshohet në shtëpi, ai fillimisht duhet të transferohet në një repart të rregullt.
Dr. Alison Pitthard, Dekan i fakultetit të kujdesit intenziv, thotë se pacientit mund t’i duhen 12 deri në 18 muaj që të kthehet në normalitet.
Qëndrim i gjatë në shtratin spitalor çon në humbje të masës muskulore te individi, ndërsa kërkon kohë që muskujt të rindërtohen. Disa prej tyre kanë nevojë për terapi fizike, në mënyrë që të fillojnë përsëri të ecin.
“Duket se ka element shtesë për këtë sëmundje – lodhja virale, që është padyshim një faktor i madh,” thekson Paul Towes, fizioterapist për kujdesin kritik.
Ekzitojnë raporte nga Kina dhe Italia për pacientë që kanë përjetuar dobësi në të gjithë trupin, gulçimi edhe gjatë lodhjes më të vogël, kolla e vazhdueshme dhe frymëmarrja e parregullt, ndërsa kanë nevojë për më shumë gjumë.