Ekspertët nga Hong Kong-u njoftuan se kanë zbuluar rastin e parë të konfirmuar në botën e ri-infeksionit me koronavirusin e ri, por theksojnë se është shumë herët për të nxjerrë konkluzione përfundimtare nga kjo.
“Ky rast tregon se ri-infeksion mund të ndodhë vetëm disa muaj pasi personi është shëruar nga infeksioni i parë”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Mikrobiologjisë të Universitetit të Hong Kong (HKU), sipas së cilës, kaluan katër muaj e gjysmë midis dy infeksioneve te ai person.
Sipas studiuesve, analiza gjenetike tregoi se këto ishin dy infeksione të njëpasnjëshme në të njëjtin pacient, të shkaktuar nga dy lloje të ndryshme të virusit SARS-CoV-2, përgjegjës për KOVID-19.
“Rezultatet tona sugjerojnë se SARS-CoV-2 mund të vazhdojë të qarkullojë në popullatë, siç është rasti me koronaviruset e tjerë përgjegjës për ftohjen e zakonshme, edhe pse pacientët kanë fituar imunitet”, thanë ekspertët e HKU.
“Për shkak se imuniteti nuk mund të zgjasë shumë pas infeksionit, vaksinimi duhet të konsiderohet për ata që tashmë janë infektuar,” thanë ata.
Pacienti 33-vjeçar nga Hong Kongu doli pozitiv për herë të parë në 26 Mars pasi tregoi simptoma të COVID-19, të tilla si kollitje, dhimbje koke, dhimbje të fytit dhe ethe.
Kur u shërua, ai u testua dy herë dhe doli dy herë negativ. Por, më 15 gusht, ai përsëri testoi pozitiv. Por herën e dytë nuk kishte kurrëfarë simptoma; sëmundja e tij u zbulua gjatë një testi në aeroportin Hong Kong kur po kthehej nga Spanja përmes Britanisë së Madhe.
“Imuniteti kolektiv nuk ka të ngjarë të eliminojë SARS-CoV-2, megjithëse infeksionet e reja mund të jenë më pak të rënda se të parat, siç ka treguar rasti i këtij pacienti”, thanë ekspertët e studimit.
Studimin e pranoj revista mjekësore amerikane Clinical Infectious Diseases dhe është në pritje të botimit.
Në muajt e fundit, në të gjithë botën janë raportuar disa raste të ri-infeksionit të mundshëm, por nuk ka pasur asnjë konfirmim të qartë.
Sidoqoftë, ekspertë dhe specialistë, si dhe Organizata Botërore e Shëndetit, paralajmërojnë se përfundimet nuk duhet të nxitohen me konkluzione të bazuara në një rast.