Gratë që kanë hequr të dyja vezoret para menopauzës kanë rrezik pesë herë më të lartë për të zhvilluar sëmundjen e Parkinsonit vite më vonë, sipas një studimi ku morrën pjesë më shumë se 5000 gra.
Sipas ekspertëve, rezultatet nuk vërtetojnë se operacioni shkakton sëmundjen e Parkinsonit. Por ato janë në përputhje me disa studime të kaluara – dhe mbështesin teorinë se humbja e parakohshme e hormonit të estrogjenit mund të kontribuojë në sëmundjen e Parkinsonit te disa gra.
Sëmundja e Parkinsonit është sëmundje e trurit që me kalimin e kohës shkatërron ose pamundëson qelizat që prodhojnë dopaminë, përbërës kimik që ndihmon në rregullimin e lëvizjeve dhe reagimeve emocionale. Simptomat më të dukshme të sëmundjes së Parkinsonit lidhen me lëvizjen – dridhjet, ngurtësimin e gjymtyrëve dhe problemet me koordinimin – por efektet janë të gjera dhe përfshijnë depresionin, nervozizmin dhe problemet me kujtesën dhe aftësitë e të menduarit.
Sëmundja e Parkinsonit është rreth dy herë më e zakonshme tek meshkujt sesa tek femrat, duke sugjeruar se mund të ketë efekt mbrojtës të estrogjenit në qelizat që prodhojnë dopaminë.
Përndryshe, vezoret janë burimi kryesor i estrogjenit në trupin e femrës. Nëse një gruaje i hiqen vezoret para menopauzës, do të ketë rënie të papritur të estrogjenit.
Vlen të përmendet se heqja e të dyja vezoreve në një moshë më të madhe nuk u shoqërua me rrezik në rritje të sëmundjes së Parkinsonit.
Burimi: JAMA Network Open