Fjala stent zbatohet në shumë fusha të jetës, por sot ajo është një nga fjalët më të përdorura në shumë disiplina mjekësore. Hulumtimi i Medline i vitit 1995, mbi frekuencën e përdorimit të kësaj fjale tregoi se, “stenti” u shfaq në mbi 500 artikuj, edhe atë në titull ose si subjekt i artikullit të botuar.
Në shekullin 21 stentat përdoren në shumë ndërhyrje të ndryshme mjekësore, duke përfshirë kështu rikonstruksioni e hundës, në gjinekologji, në kanale të ndryshme dhe enë të gjakut të cilat duhet të rikonstruktohen, në kirurgjinë e trakesë, në kirurgjinë plastike, në trajtimin e nofullës së poshtme, por më të njohura dhe zakonisht të përdorura janë në kardiologji, radiologji dhe kirurgji kardiovaskulare.
Në vitin 1974, Andreas Grinzig kreu angioplastinë e parë të enëve periferike të gjakut me anestezi lokale tek njeriu, ai gjithashtu tregoi dilatimin e suksesshëm të një ene gjaku të stenuar të zemrës. Së bashku me Miller dhe Han, në vitin 1977 në San Francisko dhe më pas në Cyrih, gjatë zhvillimit të urëzimit të arterieve koronare, Andreas Grinzig bëri angioplastën e parë koronare, ndërsa më pas më 16 shtator të vitit 1977, për herë të parë në historinë e mjekësisë, zhvilloi edhe ndërhyrje koronare perkutane të pavarur.
Zbulime të rëndësishme në kardiologjinë ndërhyrëse u shfaqën në vitin 1986, kur në Tuluz, Francë, Jacques Puel, por më pas në vitin 1987, edhe Ulrich Sivwar dhe bashkëpunëtorët e tij vendosën stentin e parë intrakoronar, gjë që mundësoi përdorimin më të gjerë të ndërhyrjeve koronare perkutane anembanë botës.
Arsyeja kryesore për futjen e tyre në radiologjinë ndërhyrëse, ishte zvogëlimi i numrit të restenozave të cilat ndodhnin pas angioplastikës, si dhe mbështetje më të mirë të enës së gjakut të dilatuar ose kanalit tubular.
Në fillimin e dekadës së parë të shekullit 21, filloi edhe përdorimi klinik i risive të reja teknike – stenta të mbështjellura me ilaçe. Ato sot kryesisht përdoren në praktikën klinike, ndonëse akoma nuk kanë treguar avantazh gjatë infarktit akut të miokardit në lidhje me stentat metalike themelore.