Historia e ultrazërit

Ultratinglli është tingull, frekuenca e të cilit është mbi kufirin e sipërm të dëgjimit normal të njeriut dhe është 20 kHz. Sfera e ultratingujve në mjekësi zhvillohet vazhdimisht në drejtim të diagnostifikimit dhe trajtimit.

Historia e ultrazërit dhe valëve të ultratingujve mund të ndiqet që prej vitit 1970. Në atë kohë Lazzaro Spallanzani zbuloi se lakuriqët e natës e përdorin zërin/dëgjimin gjatë lëvizjes, ndërsa më pak përdorin shikimin. Në vitin 1826 fizikanti dhe inxhinier zvicerian Jean Daniel Colladon zbuloi sonografinë duke përdorur një zile nënujore. Në atë përpjekje, shpejtësia e zërit nën ujë u përcaktua me saktësi, gjë që hapi mundësi të mëdha në fushën e zhvillimit të ultrazërit. Revolucioni i vërtetë ndodhi diku më vonë (në vitin 1881), kur Pierre Curie gjeti lidhjen midis tensionit elektrik dhe kristalit, gjë që hapi rrugën për zhvillimin e ultrazërit me sondë, i cili përdoret tani.

Menjëherë pas fundosjes së Titanikut, Paul Langevin krijoi një hidrofon që të zbulonte dhe të shmangte ajsbergët. Aparati funksiononte në parimin e dërgimit dhe pranimit të valëve të zërit me frekuencë të ulët. Hidrofoni u përdor gjatë Luftës së Parë Botërore për zbulimin e nëndetëseve. Dr. Karl Dussik (psikiatri austriak) është i pari që përdori valët e ultrazërit për të diagnostikuar tumorin në tru në fund të viteve të ’30 të shekullit të kaluar. Ai procedurën e quajti “hyperphonography”, ndërsa për diagnostikimin ai përdorte letër të ndjeshme ndaj nxehtësisë. Dr. George Ludwig për herë të parë me ekipin e tij regjistroi rreth vitit 1947 dhe e përshkroi ndryshimin e shpejtësisë së zërit përmes indeve dhe organeve të ndryshme tek kafshët, gjë që ishte një përparim i rëndësishëm në fushën e mjekësisë diagnostifikuese dhe ultrazërit.

Shkencëtari skocez Ian Donald ka shpikur dhe ka avancuar shumë pajisje të cilat janë përdorur për diagnostifikim dhe për patologjinë e shtatzanisë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai zhvilloi edhe teknologjinë e radarëve, ndërsa i njohur u bë rreth vitit 1950, kur takoi një paciente me tumor të paoperueshëm në zgavrën abdominale. Gjatë ekzaminimit të gruas me aparatin e tij të ri, ai zbuloi se tumori i paoperueshëm në fakt ishte një kist i vezoreve dhe gruaja me sukses u operua. Menjëherë pas kësaj, ai u bë “babai” i teknikave gjinekologjike të ultratingujve. Gjithashtu, krijoi ultratingullin 2D.

Në vitet e ’50 dhe ’60 të shekullit të kaluar, Douglas Hauri dhe Joseph Holmes përmirësuan teknologjinë e ultrazërit 2D. Deri atëherë, pacienti duhej të zhytej në ujë për të kryer me sukses ekzaminimin me ultratinguj. Me shpikjen e ultratingujve me sondë, të cilat ishtin në kontakt të plotë me pacientin, u hap rruga për zhvillimin e sistemeve të ultratingujve të cilat përdoren edhe sot.

Dr. John Wilde dhe John Reid modifikuan sistemet standarde të ultrazërit dhe krijuan 2D me sondë e cila mund të “lëkundet” në drejtime të ndryshme, me qëllim që të merren  kënde të ndryshme që ishin të rëndësishme sidomos gjatë ekzaminimit të gjirit.

Pajisje me ultratinguj e përdorur në vitin 1972

Me zhvillimin e elektronikës dhe kompjuterave, teknologjia ultratingujve u bë më e sofistikuar, duke përmirësuar kështu cilësinë e imazheve dhe shfaqjen e imazheve 3D, të cilat për herë të parë i kishte aplikuar Kazunori Baba në vitin 1986 në Tokio, i cili arriti të bënte imazhin tredimenzional të fetusit. Përmirësimi vazhdoi edhe në vitet e ’90 me shfaqjen e imazheve 4D. Biopsitë e udhëhequra nga ultratingujt (ultratinguj endoskopik), gjithashtu filluan që të aplikoheshin në atë periudhë. Më e fundit është se, NASA ka zhvilluar një program për udhëzues virtual për ultratingujt në hapësirë.

Megjithëse sistemet e reja dallojnë krejtësisht nga ato historiket, qëllimi mbetet i njëjtë – të merret diagnoza dhe terapia më e mirë dhe për të përmirësohet shëndeti i njerëzve.