Fëmijët dhe adoleshentët gjithnjë e më shumë po konsumojnë pije energjike dhe studimet tregojnë se kjo mund të rezultojë në depresion. Studiuesit nga Universiteti Tisajd dhe Universiteti i Njukastëll shqyrtuan 57 studime për ta vërtetuar këtë gjë.
Është nënvizuar se sjellja delikuente lidhet me konsumin e pijeve energjike, dhe efekte të tjera psikologjike përfshijnë stresin dhe ankthin. Studimet përfshinin më shumë se 1.2 milionë të rinj nga mosha 9 deri në 21 vjeç nga 21 vende.
Amelia Lejk, dietologe që mori pjesë në hulumtim, thotë se kafeina është një arsye e mundshme për lidhjen midis pijeve energjike dhe efekteve negative shëndetësore.
“Përmbajtja e lartë e kafeinës mbart rreziqe shumë reale për shëndetin, veçanërisht për zhvillimin e trurit dhe trupit”, thotë punonjësja sociale klinike Xheni Lanet Bedsfort.
Nxënësit nuk duhet të konsumojnë më shumë se 100 mg kafeinë në ditë
Ajo thekson se efektet stimuluese të kafeinës mund të rrisin përkohësisht përqendrimin dhe performancën atletike. Megjithatë, konsumi kronik lidhet me gjumin e dobët, ankthin, depresionin dhe madje edhe vetëdëmtimin. “Kjo është për shkak se kafeina ndryshon hormonet e stresit dhe neurotransmetuesit gjatë fazave kyçe të zhvillimit,” shpjegon Bedsfort.
Ajo shton se praktikat aktuale këshillojnë fëmijët e moshës shkollore të konsumojnë jo më shumë se 100 mg kafeinë në ditë, që është më pak se sasia në një pije standarde energjike.
“Tejkalimi i kësaj vlere mund të ndikojë negativisht në sjelljen, mënyrën e jetesës dhe shëndetin mendor. “Një rënie pas një niveli të ngritur përkohësisht të energjisë redukton gjithashtu produktivitetin e përgjithshëm,” përfundon Bedsfort.