Personat të cilët nuk ishin fizikisht aktivë për të paktën dy vjet para pandemisë kishin më shumë gjasa të shtroheshin në spital, të trajtoheshin në njësinë e kujdesit intensiv dhe të vdisnin, thanë studiuesit në punimin e botuar në British Journal of Sports Medicine.
Si rrezik për formën e rëndë të COVID-19, pasiviteti fizik tejkalonte vetëm moshën dhe nëse personi ka ndonjë organ të transplantuar, u zbula në studim.
Në krahasim me faktorët e tjerë të rrezikut që të anketuarit mund të ndikojnë si pirja e duhanit, mbipesha ose tensioni i lartë i gjakut, “aktiviteti fizik është faktori më i madh i rrezikut në të gjitha rezultatet e sëmundjes”, përfunduan autorët e studimit.
Faktorët e rrezikut si mosha e madhe, gjinia mashkullore, diabeti, mbipesha ose sëmundjet kardiovaskulare shoqërohen më shumë me formë të rëndë të koronavirusit, kanë zbuluar studimet e mëparshme.
Deri më tani, mënyra e të qëndruarit ulur nuk është përfshirë në kategorinë e faktorëve të rrezikut.
Për të përcaktuar nëse aktiviteti i pamjaftueshëm fizik rrit shanset e formës së rëndë, shtrimin në spital, njësinë e kujdesit intensiv ose vdekjen, hulumtuesit studiuan të dhëna nga 48 400 të rritur në SHBA të infektuar me COVID-19.
Mosha mesatare e pacientëve ishte 47 vjeç, ndërsa 60 përqind e tyre ishin gra. Mesatarisht, indeksi i masës trupore ishte 31, që është mbi pragun për mbipeshën.
Rreth gjysma e të anketuarve nuk kishin ndonjë sëmundje tjetër si diabeti, sëmundje kronike të mushkërive, sëmundje të zemrës ose veshkave dhe kancer. Gati 20 përqind vuanin nga një prej këtyre sëmundjeve, ndërsa mbi 30 nga dy ose më shumë.
Rreth 15 përqind e përshkruajtën veten si joaktiv, që do të thotë se kishin 0 deri në 10 minuta aktivitet fizik në javë, ndërsa pothuajse 80 u vlerësuan si “pjesërisht aktiv” me rreth 11 deri në 149 minuta aktivitet fizik në javë, dhe shtatë përqind ishin vazhdimisht aktivë në përputhje me rekomandimet kombëtare të shëndetit me më shumë se 150 minuta aktivitet fizik në javë.
Pasi u morën parasysh mosha dhe sëmundjet e tjera, personat fizikisht joaktivë të infektuar me koronavirus kishin më shumë se dy herë më shumë gjasa të përfundonin në spital sesa ata që ishin më fizikisht aktivë. Ata gjithashtu kishin shanse më të larta 73 për qind për të përfunduar në njësinë e kujdesit intensiv, si dhe shanse më të larta prej 2.5 për qind për të përfunduar me vdekje.
Krahasuar me pacientët që ishin herë pas here fizikisht aktivë, individët joaktivë kishin 20 përqind më shumë të ngjarë të shtroheshin në spital, 10 përqind më shumë të ngjarë të pranoheshin në njësinë e kujdesit intensiv në spital dhe 32 përqind më shumë të ngjarë të vdisnin.