Izolimi social rrit rrezikun e sulmit në zemër dhe sulmit në tru me 40 përqind, ndërsa me 50 përqind rrit rrezikun e vdekjes për çfarëdo arsye, zbuloi studimi gjerman i prezantuar së fundmi në një kongres virtual, të Akademisë Evropiane të Neurologjisë.
Rezultatet janë veçanërisht të rëndësishme në izolimin aktual të popullatës për shkak të pandemisë me koronavirusin e ri. Studimi ka treguar gjithashtu se mungesa e burimeve financiare rrit rrezikun e rezultateve negative kardiovaskulare.
Si pjesë e hulumtimit, udhëhequr nga Dr. Janine Gronwold dhe Prof. Dirk Herman nga Klinika Universitare në Essen analizoi të dhënat e mbledhura midis 4,316 të anketuarve të moshës mesatare prej 59 vjeç, midis vitit 2000 dhe 2013. Pjesëmarrësit në studim fillimisht nuk vuanin nga sëmundjet kardiovaskulare të njohura më parë, ndërsa shëndeti i tyre u monitorua për mesatarisht prej 13 vjetësh.
“Në fillim të studimit, mblodhëm informacione për lloje të ndryshme të mbështetjes sociale, dhe integrimi social u vlerësua në bazë të shëndetit fizik. Ky studim sugjeron që marrëdhëniet e forta shoqërore janë të rëndësishme për shëndetin e zemrës te njeriu dhe mund të krahasohen me faktorë të zakonshëm mbrojtës siç janë presioni normal i gjakut, nivelet e pranueshme të kolesterolit dhe pesha normale trupore”, thekson Gronwold.
Sipas studiuesve, “kjo vërejtje është veçanërisht interesante për sa i përket masave të izolimit për shkak të koronavirusit, kur kontaktet sociale në një numër vendesh janë të kufizuara ose deri vonë ishin aktuale”.
Gjatë studimit vijues 13-vjeçar, studiuesit gjetën 339 rezultate negative kardiovaskulare, të tilla si sulmi në zemër ose sulmi në tru, dhe 530 raste vdekjesh.
Pasi përjashtuan shkaqet që mund të kishin kontribuar në rezultate të tilla, faktorët e zakonshëm të rrezikut kardiovaskular, zbuluan se mungesa e integrimit shoqëror rriti rrezikun e ardhshëm të rezultateve negative kardiovaskulare me 44 përqind, ndërsa nga vdekja e parakohshme nga çdo shkak për 47 përqind. Mungesa e fondeve ishte shoqëruar me rrezik më të lartë prej 30 përqind të sulmit në zemër ose sulmit në tru.
“Akoma nuk është i njohur mekanizmi me të cilin vetmia stimulon rrezikun e sulmit në zemër, sulmit në tru dhe vdekje, por është e qartë se marrëdhëniet intensive sociale janë po aq të rëndësishme për ruajtjen e shëndetit kardiovaskular, si dhe për ruajtjen e presionit të gjakut, kolesterolit dhe peshës në kufijt e duhur”, thekson Prof. Herman.