Bakteret e mira që jetojnë në lëkurën tonë mund të ndihmojnë në trajtimin e dermatit atopik, tregoi studimi i ri. Këto rezultate e theksojnë rëndësinë e baktereve të mira për shëndetin tonë, në lëkurë dhe në sistemin digjestiv.
Në këtë studim, bakteria Roseomonas mucosa e cila jeton në lëkurën tonë, u morr nga lëkura e njerëzve të shëndetshëm dhe u aplikua në lëkurën e njerëzve me dermatit atopik të lëkurës.
Pamja klinike e dermatit atopik u zvogëlua pas disa javësh, kështu që disa pacientë nuk kishin më nevojë që të përdornin kremra kortikosteroide për të lehtësuar gjendjen e tyre. Duhet të theksohet se, me aplikimin e kësaj metode të re te pacientët nuk janë vërejtur komplikime gjatë trajtimit të dermatit atopik.
Në përgjithësi 6 nga 10 pacientë të rritur dhe 4 nga 5 fëmijë, deri në fund të studimit kishin përmirësim të simptomave të ekzemës për më shumë se 50 për qind.
Hulumtuesit besojnë se kjo metodë e re e trajtimit të ekzemës, ka potencialin që një ditë të bëhet terapi standarde për miliona pacientë që vuajnë nga dermatiti atopik.
Gjithashtu duhet të theksohet se, përbërësit kimik të njohur si parabenë të cilat shpesh gjenden në produktet e kujdesit të lëkurës, mund të pengojnë rritjen e baktereve Roseomonas mucosa, gjë që sugjeron se këto produkte mund t’i pengojnë lëkurës në mbrojtjen nga dermatit atopik, shkruan “JCI Insight”.