Sëmundja për të cilën shumë pak dihet, përkufizohet si pafuqi afatgjate, e rëndë, paaftësi psikike dhe fizike, pa dobësi të muskujve.
Zakonisht fillon befas dhe shumë pacientë e citojnë si gjendje të ngjashme me infeksionin viral me ënjtje të nyjeve limfatike, lodhje dhe simptoma në rrugët e sipërme respiratore. Simptoma kryesore është dobësimi i theksuar që zgjat të paktën gjashtë muaj dhe në mënyrë të konsiderueshme i pengon aktivitetet ditore. Pamjaftueshmëria kronike në këtë rast nuk është pasojë e përpjekjes akute, ndërsa relasksimi nuk e përmirëson ndjeshëm gjendjen dhe në masë të madhe kufizon punët, aktivitetet shoqërore ose personale të individit.
Shkencëtarët britanikë kanë përdorur një ilaç me emrin interferon alfa. Bëhet fjalë për proteinë që krijohet në trup, por ndër të tjera prodhon qeliza të bardha të gjakut. Përdoret në terapinë kundër hepatitit dhe prodhohet në mënyrë biologjike. Me ndihmën e interferon alfës, ata krijuan artificialisht një model të sindromës dhe zbuluan se pacientët, përgjigja imune e të cilëve ishte fuqishëm aktive ndaj trajtimit, gjithashtu ishin të prirur ndaj zhvillimit të sindromës kronike të lodhjes.
“Për herë të parë kemi arritur të provojmë se sistemi imun tek njerëzit e prirur për zhvillimin e sindromës kronike të lodhjes ishte tepër aktiv para dhe pas injektimit të interferonit alfa”, tha Prof. Alice Russell nga Instituti i Psikiatrisë dhe Psikologjisë në Royal College London, e cila udhëhoqi hulumtimin.
Interferon alfa përdoret për trajtimin e hepatitit C dhe qëllimi i tij është të aktivizojë sistemin imunitar në të njëjtën mënyrë si një infeksion i fortë.
Prof. Russell dhe kolegët i përdorën këto gjetje në studim gjatë së cilit ata matën shkallën e lodhjes dhe dokumentuan markerët e sistemit imunitar në 55 pacientë, para, gjatë dhe pas injektimit të interferonit. Ata konstatuan se 18 nga 55 të anketuar kishin sistem imunitar tepër aktiv edhe para tertmanit, ndërsa gjatë injektimit të interferonit, përgjigja imune ishte hiperaktive.
“Ky rezultat tregon se njerëzit, sistemi imunitar i të cilëve reagon në mënyrë tepër aktive, janë më të prirur ndaj zhvillimit të sindromës së lodhjes kronike”, theksoi Prof. Russell.
Publiku profesionist vë në dukje se rezultatet e këtij studimi janë shumë të dobishme kur bëhet fjalë për njohuritë shkencore lidhur me sindromën e lodhjes kronike, por ato nuk ofrojnë shumë përgjigje se si mund të parandalohet dhe shërohet kjo sëmundje.