Instituti i shëndetësisë publike në vend, ka dalë me disa rekomandime dhe këshilla profesionale se si duhet të mbrohen foshnjat dhe fëmijët nga dielli
0-6 muaj:
- Foshnjat në moshë nën 6 muaj duhen mbajtur larg ekspozimit direkt ndaj rrezeve të diellit.
- Evitoni përdorimin e kremrave për mbrojtje nga dielli. Lëkura e re e foshnjës nuk ka aftësi për t’i metabolizuar dhe për t’i eliminuar kimikaliet që shpesh gjenden në kremrat për mbrojtje nga dielli.
- Vishni foshnjën me veshje të lehta– veshje mbrojtëse që lejojnë depërtimin e ajrit dhe që mbulojnë krahët dhe këmbët.
- Mbroni gjithmonë kokën, fytyrën, veshët dhe qafën e foshnjës tuaj me një kapele me strehë të gjerë dhe/ose një çadër. Foshnja që mban një kapele në muajt e parë do të mësohet ta mbajë atë.
- Përdorni syze dielli me mbrojtje UVA/UVB. Sytë pësojnë dëmtime nga ekspozimi ndaj rrezeve UV.
- Shëtitjet me foshnjën tuaj bëjini herët në mëngjes para orës 10 ose pas orës 17 dhe përdorni një karrocë me ngjyrë të çelur me mbulesë për mbrojtje ndaj diellit.
- Në dritaret e makinës vendosni shtresë mbrojtëse që thith rrezet UV.
6-12 muaj:
- Të gjitha metodat e mbrojtjes që i prezantuam më sipër vlejnë edhe për këtë kategori, por në këtë moshë mund të fillohet edhe përdorimi i kremrave për mbrojtje nga dielli.
- Në konsultim me mjekun ose farmacistin tuaj zgjidhni një krem për mbrojtje nga dielli të dedikuar për lëkurën e fëmijëve.
- Aplikoni një krem për mbrojtje nga dielli me spektër të gjerë me një faktor mbrojtjeje nga dielli prej të paktën 30, sidomos në zonat e ekspozuara si krahët, qafa, veshët dhe këmbët e foshnjës.
- Ajo që është me shumë rëndësi është se kremi për mbrojtje nga dielli duhet të aplikohet 30 minuta përpara se të dilni jashtë dhe të riaplikohet çdo dy orë, ose pas larjes ose djersitjes së tepërt.
Mosha parashkollore:
- Të gjitha metodat e mbrojtjes që i prezantuam më sipër vlejnë edhe për këtë kategori.
- Mbrojtja e fëmijëve të vegjël nga dielli kërkon pak më shumë mendim dhe përpjekje. Është e rëndësishme që ta edukoni fëmijën tuaj dhe kujdestarët.
- Kontrolloni mjedisin e jashtëm ku fëmija juaj luan për t’u siguruar që ka hije të përshtatshme.
- Sigurohuni që fëmijët e vegjël të jenë të mbuluar. Veshjet nga pambuku me mëngë të gjata, me ngjyra të çelura janë të rehatshme dhe në të njëjtën kohë edhe mbrojnë më shumë.