Shkruan: Aleksandra Stojanovska/saska@panacea.mk
Kariesi i dhëmbëve në ditët e sotme, pavarësisht njohjes së mirë të natyrës së sëmundjes dhe masave të mundshme parandaluese, është sëmundja më e përhapur e civilizimit që prek shumicën dërrmuese të njerëzve në botë. Përveç që e rrezikon shëndetin e dhëmbëve dhe mukozën e zgavrës së gojë, kariesi ka ndikim të madh si në shëndetin e përgjithshëm të njeriut, ashtu edhe në cilësinë e jetës. Është i lidhur me sëmundjet kardiovaskulare, sulmin në tru, diabetin, sëmundjet e mushkërive… E gjithë kjo tregon një problem të madh të shëndetit publik që duhet të trajtohet seriozisht, sidomos nëse dihet se mbi 90% e të gjitha sëmundjeve të zgavrës së gojës mund të parandalohen.
Duke pasur parasysh se kariesi nuk paraqitet brenda natës, por është i kushtëzuar nga zakonet tona, higjiena e dhëmbëve dhe një seri faktorësh, ne biseduam me Ass. Dr. Atanas Shukov, specialist i stomatologjisë në Qendrën Klinike Dentare në Shkup.
Çfarë sëmundjesh mund të paraqiten në organizëm, nëse nuk shërohet kariesi i dhëmbëve?
Ass. Dr. Shukov: Kariesi është sëmundje e indit të fortë të dhëmbëve, që çon në shkatërrimin gradual të strukturës së dhëmbëve. Ka një zhvillim progresiv, përhapet me shpejtësi nëpër indet e dhëmbëve dhe nëse nuk trajtohet, mund të shkaktoj pasoja të shumta dhe komplikime të strukturave rrethuese të aparatit mbështetës dentar (ligamenti periodontal, gingiva, kocka), si dhe në organet më të largëta.
Në paraqitjen dhe përhapjen e kariesit marrin pjesë një numër i madh bakteresh. Vetë prania e tyre në lezionin e kariesit, e cila ndihmohet nga higjiena e dobët orale, çon në inflamacionin e mishit të dhëmbëve – gingivitit, periodontitit, si dhe proceseve inflamatore në kockat dhe ligamentin përreth. Nga e gjithë kjo, mund të konkludohet qartë se dhëmbi dhe aparati i tij mbështetës janë një nga rrugët hyrëse të agjentëve bakterial inflamator në organizëm.
Pa marrë parasysh nëse është dhëmb me xhep të inflamuar, i shkatërruar ose dhëmb i thyer… Secili prej tyre paraqet fokus, domethënë votër të baktereve, toksinat dhe metabolitët në organizëm, të cilat mund të rrezikojnë çdo organ në trup.
Si i sulmojnë bakteret organet dhe indet tjera?
Ass. Dr. Shukov: Në rast të rënies së imunitetit ose gjatë veprimit të faktorëve ekzogjen, mund të vjen deri te depërtimi i baktereve në gjak dhe përhapja e tyre në organet e largëta. Atëherë, në varësi të organit të prekur, vjen deri te zhvillimi i simptomave dhe sëmundjeve dhe është shumë e vështirë të përcaktohet sëmundja primare dhe shkaku.
Cilat janë sëmundjet që mund të shfaqen nga përhapja e baktereve nga zgavra e gojës?
Ass. Dr. Shukov: Studimet shkencore në vitet e fundit i lidhin infeksionet në zgavrën e gojës me endokarditin infektiv, miokarditin, artritin reumatoid, problemet dermatologjike, sidomos alopecia areata, hipertensionin, sëmundjet obstruktive të mushkërive…
Shëndeti i varfër oral kohëve të fundit lidhet edhe me kancerin?
Ass. Dr. Shukov: Studimet e fundit të zhvilluara shkencore profesionale, tregojnë lidhshmëri midis sëmundjeve periodontale dhe rrezikut nga kanceri. Gjegjësisht, pirja e duhanit, gjendja socio-ekonomike, mosha, gjinia dhe gjenetika paraqesin faktorët më të zakonshëm potencial që ndikojnë në këtë rrezik.
Mendohet se produktet metabolike kancerogje të cilat janë të pranishme në inflamacionin periodontal mund të kontribuojnë në lidhjen ndërmjet këtyre dy sëmundjeve. Prania e qelizave dhe ndërmjetësve inflamatorë, siç janë kemokinat, citokinat dhe prostaglandinat, të cilat janë të lidhura me tumoret, janë treguesit kryesorë. Analizat e disa studimeve kanë treguar një rrezik në rritje dhe lidhshmëri midis sëmundjeve periodontale dhe kancerit oral, kancerit të pankreasit dhe sistemit gastrointestinal.
Sa të rrezikshëm janë proceset inflamatore?
Ass. Dr. Shukov: Shpesh në rast të ndonjë procesi inflamator purulent në zonën e dhëmbit, i shoqëruar me ënjtje, ndonjëherë edhe me temperaturë të lartë, mund të rezultojë me përhapje të infeksionit përmes indeve të buta dhe të forta, dhe si pasojë mund të rezultojë me celulitin orbital, abscesin e trurit, trombozë në sinusin kavernoz…
Rrezik më të madh përbëjnë pacientët me valvula artificiale të zemrës, si dhe nyje artificiale. Gjegjësisht, në rastin e përhapjes së infeksioneve bakteriale, mund të vjen deri te kolonizimi i transplantit me patogjene dhe komplikime të shumta, siç janë reaksionet autoimune, reagimet ndaj refuzimit, sëmundjet fokale.
Disa njerëz kanë tendencë më të madhe ndaj kariesit të dhëmbëve, ndërsa të tjerë më pak. Pse është kështu?
Ass. Dr. Shukov: Tendenca për zhvillimin e kariesit varet nga shumë faktorë. Ndër më të rëndësishmet janë faktori trashëgues, domethënë predispozita gjenetike, cilësia e ushqimit dhe shprehitë ushqimore, si dhe zbatimi i rregullt i higjienës orale. Ilaçe të ndryshme mund të ndikojnë në qarkullimin dhe dendësinë e pështymës, duke mundësuar kështu mbajtjen më të lehtë të ushqimit dhe krijimin e depozitave. Gjithashtu, edhe të gjitha gjendjet dhe sëmundjet që ndikojnë në përbërjen e pështymës ose e pengojnë procesin normal gjatë zhvillimit të dhëmbëve, duke bërë që dhëmbët të bëhen më të prirur ndaj shfaqjes së kariesit.
Sa herë në ditë duhet të lahen dhëmbët?
Ass. Dr. Shukov: Dhëmbët e shëndetshëm dhe të bukur janë baza e shëndetit të përgjithshëm dhe kënaqësisë së njeriut. Dhëmbët është mirë që të lahen pas çdo vakti ushqimor, të paktën dy herë në ditë, në mëngjes dhe para se të shkoni në shtrat. Dhëmbët duhet të lahen tërësisht, pa lënë asnjë dhëmb mangët. Në të njejtën kohë me brushën e dhëmbëve duhet të masazhohen mishrat e dhëmbëve, dhe në fund të pastrohet gjuha në të cilën mbetet ushqim dhe grumbullohen bakteret. Larja e dhëmbëve duhet të zgjasë rreth tre minuta.