Përktheu dhe përshtati S.N
Aktiviteti fizik gjatë shtatzënisë dhe zbatimi i ushtrimeve terapeutike duhet të përshtatet, zgjidhet dhe dozohet me kujdes në mënyrë që të jenë të sigurta si për nënën ashtu edhe për fetusin, dhe nga ana tjetër të njëjtat do ta arrijnë efektin e dëshiruar për të cilën zbatohen, thotë docent Dr.Maria Gocevska.
Gjatë përgatitjes së shtatzënisë gruaja kalon nëpër disa ndryshime anatomike, fiziologjike dhe psikologjike. Gjatë kësaj kohe gratë janë zakonisht të shëndetshme dhe shumë të motivuara, ndaj ekziston një mundësi për të bërë ndryshime të rëndësishme në stilin e tyre të jetesës. Ekzistojnë shumë studime që tregojnë se zbatimi i ushtrimeve gjatë shtatzënisë ka një rol të rëndësishëm në përgatitjen psikofizike të gruas shtatzënë.
Për atë se cilat ushtrime janë të lejuara gjatë shtatzënisë, cili duhet të jetë intensiteti i tyre, por edhe për atë se çfarë përfitimesh sjellin për shëndetin e nënës, biseduam me docent dr. Maria Gocevska, specialiste e mjekësisë fizike dhe rehabilitimit, udhëheqëse e repartit ambulator-terapeutik në ISHP- Instituti i Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit – Shkup.Ajo flet për rolin e ushtrimeve në përgatitjen psikofizike gjatë shtatzënisë.
Cilat janë përfitimet shëndetësore të aktivitetit fizik gjatë shtatzënisë?
Doc.dr Gocevska: Përfitimet shëndetësore të aktivitetit fizik gjatë shtatzënisë janë të shumta. Kryerja e aktivitetit fizik përgjatë shtatzënisë ndikon pozitivisht në shëndetin fizik dhe mendor të gruas shtatzënë. Aktiviteti fizik dhe ushtrimet gjatë shtatzënisë shoqërohen me rreziqe minimale dhe përfitime të vërtetuara për shumicën e grave shtatzëna. Ushtrimi kontribuon në përmirësimin dhe ruajtjen e aftësisë fizike, rregullimin e peshës trupore dhe në këtë mënyrë redukton rrezikun e zhvillimit të diabetit gestacional. Ushtrimet e shtatzënisë zvogëlojnë dhimbjen në brezin e legenit, dhimbjen e shpinës dhe dhimbjen në nervit shiatik. Pacientët që ushtrojnë rregullisht gjatë shtatzënisë kanë një rrezik më të ulët të mosmbajtjes (inkontinencës) së urinës. Ushtrimi përmirëson proceset metabolike, zvogëlon rrezikun e stazës venoze, trombozës së thellë të venave dhe ngërçeve në këmbë. Është vërtetuar shkencërisht se gratë që janë fizikisht aktive para dhe gjatë shtatzënisë lindin më lehtë dhe shërohen më shpejt nga lindja.
Cilat ushtrime lejohen gjatë shtatzënisë ?
Doc.dr Gocevska: Aktiviteti fizik gjatë shtatzënisë dhe zbatimi i ushtrimeve terapeutike duhet të përshtatet, zgjidhet dhe dozohet me kujdes në mënyrë që të jenë të sigurta si për nënën ashtu edhe për fetusin, dhe nga ana tjetër të njëjtat do ta arrijnë efektin e dëshiruar për të cilën zbatohen. Ato janë:
- ushtrime për frymëmarrje dhe relaks
- ushtrime për mobilizim te legenit dhe shtyllës kurrizore
- ushtrime për qarkullim më të mirë
- ushtrime për përforcimin dhe forcimin e grupeve të përcaktuara të muskujve
- ushtime për ekuilibrim
- ushtrime për kondicion
- ushtrime për forcimin e dyshemesë së legenit
Llojet e ushtrimeve të lejuara gjatë shtatzënisë janë: ecja, noti dhe ushtrimet në ujë, joga për gratë shtatzëna, pilates e modifikuar për gratë shtatzëna, çiklizmi i palëvizshëm, kërcimi dhe ushtrimet aerobike.
Gratë shtatzëna duhet të trajnohen për të adoptuar teknikat e ngritjes së peshave dhe teknikat e mbajtjes së qëndrimit drejt të trupit në mënyrë të duhur.
Me çfarë intensiteti duhet të kryhen ushtrimet?
Doc.dr Gocevska: Rekomandimet që janë për masën e gjërë duhet të zbatohen edhe për gratë shtatzëna duke ulur intensitetin me afërsisht 25%. Nëse gjatë ushtrimit gruaja flet lehtë, kjo tregon se ajo është duke ushtruar me një intensitet të lehtë deri në mesatar, i cili është optimal për shtatzëninë.
Kur gratë shtatzëna duhet të ndërprenë ushtrimet?
Doc.dr Gocevska: Shenjat dhe simptomat që sinjalizojnë pacientin që të ndërprenë me ushtrimet dhe të konsultojë mjekun e saj janë:
- Gjakderdhje vaginale
- Marramendje, shikim i paqartë, zhurmë në vesh
- Dhembje gjoksi
- Kokëdhëmbje
- Dobësi muskulore, dhimbje në pjesën e poshtme të këmbëve
- Kontraksione të shpeshta dhe të dhimbshme të mitrës
- Vështirësi në frymëmarrje dhe rrahje të zgjatura të zemrës
Çfarë duhet pasur parasysh gjatë kryerjes së ushtrimeve gjatë shtatzënisë dhe cilat janë rekomandimet e juaja?
Doc.dr Gocevska: Ushtrimet kryhen me fshikëz të zbrazët dhe dy orë pas vaktit ushqimorë. Hapsira për ushtrime duhet të jetë në kushte të kontrolluara, e ajrosur mirë dhe në një mjedis termoneutral. Rekomandohet të vishni rroba të rehatshme dhe pambuku, të përdorni një shtresë të fortë për stërvitje dhe sigurisht hidratim të mjaftueshëm para, gjatë dhe pas stërvitjes. Ushtrimet duhet të bëhen tre herë në javë në një kohëzgjatje prej 30 deri në 45 minuta. Duhet të merret parasysh mosha, niveli i stërvitjes, të dhënat për aktivitetin e mëparshëm fizik dhe gjendja e përshtatjes me shtatzëninë. Gjatë kryerjes së ushtrimeve, frymëmarrja e duhur është shumë e rëndësishme, rekomandohen ndryshime të shpeshta në pozicionet e stërvitjes, ngritja graduale nga pozicioni i shtrirë në atë në këmbë dhe shmangia e ushtrimeve në pozicionin e shtrirë në shpinë. Para fillimit të ushtrimeve gjatë shtatzënisë e domosdoshme është një vlerësim klinik i detajuar i gruas shtatzënë, pëlqimi dhe leja nga gjinekologu amë! Gratë shtatzëna duhet të konsultohen me një profesionist për të kuptuar ushtrimet dhe për të përcaktuar intensitetin e aktivitetit fizik të përshtatshëm për to.
Në mungesë të komplikimeve dhe kundër indikacioneve obstetrike dhe mjekësore, aktiviteti fizik në shtatzëni është i sigurt dhe i dëshirueshëm dhe gratë shtatzëna duhet të inkurajohen të vazhdojnë ose të fillojnë aktivitetin fizik.