INTERVISTË ME DOC. DR. PLANINKA ZAFIROVSKA: Pacientët duhet ti drejtohen mjekut për çdo dhimbje akute në gjoks

Miokarditi mund të kalojë në mënyrë asimptomatike ose me një pasqyrë të lehtë klinike siç është ftohja apo edhe shpesh gjatë një sforcimi fizik por mund të jetë i ndikuar edhe nga disa shkaqe të tjera të cilat mund të shkaktojnë një reaksion autoimun në formën e dhimbjes në gjoks ose aritmisë.

Pacientët të cilët diagnostikohen me miokardit rekomandohet që të ndërpresin aktivitetin fizik për gjashtë deri në dymbëdhjetë muajt e ardhshëm, në varësi të pasqyrës klinike: Doc. Dr. Planinka Zafirovska, specialiste interniste, subspecialiste kardiologe
SHKRUAN:
Katerina Shekerovska-Dimovska

Zgjerimi dhe dobësimi i zemrës, vdekja e papritur kardiake, aritmitë janë ndërlikimet që mund të çojnë në format e rënda të miokarditit. Inflamacioni i muskulit të zemrës është më i shpeshtë në popullatën e moshës 20-30 vjeç dhe prek më shpesh meshkujt. “Shkaktarët më të zakonshëm janë viruset dhe më rrallë mund të jenë bakteret dhe shkaktarët e tjerë ngjitës, rrezatimi, barnat apo toksinat”, shpjegon Doc. Dr. Planinka Zafirovska, specialiste interniste, subspecialiste kardiologe.

Inflamacioni i zemrës mund të çojë në edemë dhe fibrozë të muskulit të zemrës, e cila më pas mund të dobësojë dhe zvogëlojë fuqinë pompuese të zemrës.

Çfarë është miokarditi dhe cilat janë shkaqet dhe mekanizmat e shfaqjes së tij?

Doc. Dr.Zafirovska: Miokarditi është një inflamacion i muskulit të zemrës dhe mund të ketë pasqyrë klinike të ndryshueshme nga një paraqitje asimptomatike e deri në formë të rëndë të insuficiencës kardiake ose aritmi fatale. Shkaktarët më të zakonshëm janë viruset dhe më rrallë mund të jenë bakteret dhe shkaktarët e tjerë ngjitës, rrezatimi, barnat ose toksinat. Mekanizmi mund të jetë nga dëmtimi i drejtpërdrejtë i qelizave të muskujve të zemrës (miocitet) nga patogjeni (infeksioni ose toksina) ose nga një reagim autoimun i vetë organizmit kundër qelizave të veta që kanë ndryshuar si rezultat i patogjenit dhe tani organizmi i njeh si të huaj dhe i sulmon.

Si ndikon miokarditi në punën e zemrës?

Doc. Dr.Zafirovska: Inflamacioni i zemrës mund të çojë në edemë dhe fibrozë të muskulit të zemrës, e cila më pas mund të dobësohet dhe në këtë mënyrë zvogëlon fuqinë pompuese të zemrës. Si rezultat, pacienti do të ndjenë lodhsi, i zihet fryma dhe ka ënjtje të këmbëve. Përveç kësaj, inflamacioni ose fibroza që mund të paraqitet krijon një mbresë në zemër që është një burim i mundshëm i aritmive kardiake nga ekstrasistola në aritmi malinje si takikardia ventrikulare dhe fibrilacioni që shpesh përfundojnë fatalisht.

Cilat janë ndërlikimet që mund të çojnë format e rënda të miokarditit?

Doc. Dr.Zafirovska: Zgjerim dhe dobësim i zemrës, vdekje e papritur kardiake, aritmi.

Edhe pse sëmundjet kardiovaskulare më së shpeshti lidhen me popullatën e moshuar, miokarditi nuk dallon moshë ajo mund të shfaqet tek çdo moshë, madje edhe tek fëmijët. A ekzistojnë grupe rreziku që mund të atakojë miokarditi dhe a bën dallimin gjinia për sa i përket shfaqjes së tij?

Doc. Dr.Zafirovska: Miokarditi mund të prekë edhe popullatën më të re, më rrallë më të moshuarit, por më së shpeshti është te popullata e moshës 20-30 vjeç dhe më shpesh prek gjininë mashkullore.

Inflamacioni i zemrës mund të çojë në edemë dhe fibrozë të muskulit të zemrës, e cila më pas mund të dobësohet dhe në këtë mënyrë zvogëlon fuqinë pompuese të zemrës. Si rezultat, pacienti do të ndjenë lodhësi, i zihet fryma dhe ka ënjtje të këmbëve. Përveç kësaj, inflamacioni ose fibroza që mund të paraqitet krijon një mbresë në zemër që është një burim i mundshëm i aritmive kardiake nga ekstrasistola në aritmi malinje si takikardia ventrikulare dhe fibrilacioni që shpesh përfundojnë fatalisht.

Si fillon sëmundja, cilat janë simptomat më të shpeshta dhe si mund të dallohet dhimbja në gjoks nga ataku në zemër – infarkti?

Doc. Dr. Zafirovska: Miokarditi klinikisht mund të paraqitet në katër mënyra:

  • Shfaqja e dhimbjes akute e gjoksit e shoqëruar me ndryshime në EKG dhe rritje të troponinës. Dhimbja ngjan shumë me një infarkt akut të miokardit dhe zakonisht është e padallueshme në fillim. Me metodën e vizualizimit të arterieve koronare (koronarografia) përjashtohen bllokimet e enëve të gjakut të cilat do të kishin qenë shkaku shkaku i një ataku kardiak, ndërsa rezonanca magnetike e zemrës mund të vizualizojë inflamacionin dhe mbresës dhe të shfaqet miokarditi.
  • Shfaqja e insuficiencës akute e zemrës me përparim të shpejtë të sëmundjes. Shpesh këta pacientë mund të përfundojnë në qarkullimin mekanik ekstrakorporal që do t’i mbajë ata në jetë derisa inflamacioni të ulet me përmirësim klinik. Në rast se përmirësimi mungon, pacientët mbahen në mbështetje mekanike të qarkullimit të gjakut deri në transplantim.
  • Shfaqja kronike që çon në zmadhimin dhe dobësimin gradual të zemrës dhe që rezulton në kardiomiopati të zgjeruar, e cila më tej trajtohet me mjekim dhe në shumicën e rasteve ecuria e sëmundjes është e ngadaltë.
  • Vdekje e papritur kardiake për shkak të aritmisë malinje. Te këta pacientë, sëmundja vërtetohet në autopsi me konstatimin e inflamacionit të zemrës ose nëse pacienti reanimohet me sukses (vdekja e papritur kardiake) vërtetohet me rezonancë magnetike të zemrës.
Pacientët që kanë zhvilluar insuficiencë kardiake vendosen në trajtim mjekësor dhe monitorohen në intervale të caktuara në varësi të ashpërsisë së sëmundjes.

A mund të kalojë pa u vënë re, në mënyrë që gjatë një të ftohure të re, tendosje fizike ose ndryshim të motit të shkaktojë një dhimbje më të mprehtë në gjoks? Kur duhet të kërkojmë ndihmë nga mjeku?

Doc. Dr.Zafirovska: E thamë se miokarditi mund të jetë asimptomatik ose me pasqyrë të lehtë klinike si ftohja, e pastaj më së shpeshti gjatë sforcimeve fizike ose ndonjë shkaktar tjetër që mund të shkaktojë reaksion autoimun me paraqitje në formë të dhimbjes së gjoksit ose aritmisë. Pacientët duhet të vizitojnë mjekun për çdo dhimbje akute të pashpjegueshme në gjoks. Kjo është veçanërisht e nevojshme për ata që kanë një histori të sindromës infektive, simptoma të lodhjes së theksuar, ënjtjes së këmbëve ose një ndjenjë të një rrahjeje të çrregullt të zemrës, veçanërisht nëse shoqërohet me marramendje ose sinkopë.

Miokarditi mund të përsëritet. Por duhet të jemi të kujdesshëm, sepse ka edhe gjendje të tjera që ngjajnë me miokarditin, dhe janë më të prirura për episode të përsëritura. Të tilla janë kardiomiopatia Takotsubo (sindroma e zemrës së thyer), kardiomiopatia desmoplakin ose MINOKA (infarkti i miokardit pa pengim të arterieve koronare). Rezonanca magnetike e zemrës është standardi i artë për diagnostikimin e miokarditit dhe vetëm kjo metodë joinvazive mund t’i diferencojë këto patologji.

A lë inflamacion të muskulit të zemrës pasoja të qëndrueshme në zemër?

Doc. Dr.Zafirovska: Miokarditi mund të kalojë edhe në formë të lehtë pa pasoja afatgjata, por më së shpeshti në muskulin e zemrës mbetet një lloj mbresë fibroze, e cila varësisht nga vendndodhja dhe madhësia mund të shkaktojë edhe pasoja të rënda, si: kardiomiopatia e zgjeruar, me dështimin e zemrës ose mbresa të jetë një burim i mundshëm i aritmive.

Miokarditi, kardiomiopatia hipertrofike, anomalitë koronare janë disa nga shkaqet më të zakonshme të vdekjes tek atletët. Një problem i veçantë është miokarditi asimptomatik që la një mbresë që nuk mund të identifikohet as me elektrokardiogramë dhe as me ekokardiogramë.

Cilat janë rekomandimet tuaja për pacientët pasi kanë pasur miokardit dhe a mund të ndodhë sërish inflamacioni i muskulit të zemrës?

Doc. Dr.Zafirovska: Pacientët të cilët diagnostikohen me miokardit rekomandohet që të ndërpresin aktivitetin fizik për gjashtë deri në dymbëdhjetë muajt e ardhshëm, në varësi të pasqyrës klinike. Rekomandohet monitorimi i gjendjes me elektrokardiogram, ekokardiografi dhe rezonancë magnetike të zemrës. Pacientët që kanë mbresa në zemër, por funksionin sistolik të ruajtur, mund të marrin beta bllokues në mënyrë profilaktike për të zvogëluar rrezikun e aritmive. Megjithatë, vlerësimi i mjekut kardiolog është individual dhe varet nga çdo rast. Pacientët të cilët kanë zhvilluar dobësi të zemrës vendosen në trajtim mjekësor dhe monitorohen në intervale të caktuara në varësi të ashpërsisë së sëmundjes. Miokarditi mund të përsëritet. Por duhet të jemi të kujdesshëm, sepse ka edhe gjendje të tjera që ngjajnë me miokarditin, dhe janë më të prirur për episode të përsëritura. Të tilla janë kardiomiopatia Takotsubo (sindroma e zemrës së thyer), kardiomiopatia desmoplakin ose MINOKA (infarkti i miokardit pa pengim të arterieve koronare).

Rezonanca magnetike e zemrës është standardi i artë për diagnostikimin e miokarditit dhe vetëm kjo metodë joinvazive mund të dallojë këto patologji.

Edhe përskaj kërkimeve të gjera mbi temën e vdekjes së papritur kardiake te atletët dhe zhvillimit të protokolleve të skrinigut, ne ende jemi dëshmitarë të ngjarjeve dramatike në fushën sportive.

Kjo sëmundje është ndër shkaqet kryesore të vdekjes së papritur tek atletët. Pavarësisht kontrolleve të rregullta mjekësore, ngjarje tragjike ende ndodhin brenda dhe jashtë fushës. Si të zbuloni saktë dhe menjëherë miokarditin tek atletët?

Doc. Dr.Zafirovska: Miokarditi, kardiomiopatia hipertrofike, anomalitë koronare janë ndër shkaktarët më të shpeshtë të vdekjes te sportistët. Një problem i veçantë është miokarditi asimptomatik që lë një mbresë që nuk mund të identifikohet as me elektrokardiogramë dhe as me ekokardiogramë. Përsëri rezonanca magnetike është metoda që duhet të zbatohet për të njohur menjëherë një dëmtim të tillë. Edhe pse është një test jo invaziv dhe i sigurt, për shkak të kostos së lartë, jo të gjithë sportistët e bëjnë këtë ekzaminim. Çdo vend dhe klube profesionale kanë standardet dhe preferencat e tyre në lidhje me këtë temë. Në përgjithësi, shumica e sportistëve monitorohen me elektrokardiogramë 24 orësh dhe stres koronar, si dhe kryhet ekokardiografi dhe rezonancë magnetike nëse dyshohet për ndonjë problem. Pavarësisht kërkimeve të shumta mbi temën e vdekjes së papritur kardiake te atletët dhe zhvillimit të protokolleve të shqyrtimit, ne ende jemi dëshmitarë të ngjarjeve dramatike në fushën sportive. Është pozitiv fakti që vendosja e defibrilatorëve kardioverter në terrene sportive dhe vende të tjera ku ka frekuencë të lartë të njerëzve, por edhe reagimet e shpejta të ndihmës urgjente të pajisur me defibrilator, mundësojnë gjithnjë e më shumë reanimacion të suksesshëm te pacientët me vdekje të papritur kardiake.

Përktheu dhe përshtati:S.N