Intervistë me Dr. Ana Trimoska-Radevska: Polipet nazale zakonisht është e nevojshme të trajtohen në mënyrë kirurgjike

Nëse polipat janë të vogla mund që edhe të mos vërehen, por edhe të mos shkaktojnë probleme. Mirëpo, rritja dhe përhapja e tyre çon në shfaqjen e vështirësive, sqaron Dr. Ana Trimoska-Radevska, kirurg-otorinolaringolog në Spitalin e Përgjithshëm "8 Shtatori" në Shkup.

Shkruan: Aleksandra Stojanovska/saska@panacea.mk

Polipat nazale janë gjendje që mund të shfaqen tek çdo person, edhe pse më të zakonshme janë te të rriturit në krahasim me fëmijët. Rreth asaj se cilat janë arsyet për shfqjen e tyre, cilat janë simptomat dhe vështirësitë përmes të cilave një person mund të dallojë se ka polipa në hundë, mënyrën e trajtimit dhe diagnostikimin e tyre, biseduam me Dr. Ana Trimoska-Radevska, kirurg-otorinolaringolog në Spitalin e Përgjithshëm “8 Shtatori” në Shkup.


Çfarë janë polipet nazale dhe përse shfaqen? A ekziston ndonjë grup i veçantë pacientësh tek të cilët ata shfaqen?

Dr. Trimoska-Radevska: Polipat janë të buta, rritje jo-kancerogjen që shfaqen nga epiteli i zgavrës së hundë dhe në sinuset paranazale. Zakonisht shfaqen si pasojë e inflamacionit kronik, por mund të shoqërohen edhe me alergji, astmë, ndjeshmëri ndaj ilaçeve apo ndonjë çrregullim imunologjik. Ata mund të shfaqen tek të gjithë, por tek të rriturit janë më të zakonshme. Medikamentet mund të ndihmojnë në zvogëlimin e polipeve, por zakonisht është i nevojshëm trajtimi kirurgjik. Megjithatë, pavarësisht trajtimit kirurgjik, polipet nazale mund të shfaqen përsëri.

Cilat janë simptomat përmes të cilave një person mund të vërej se ka polipa në hundë?

Dr. Trimoska-Radevska: Nëse polipat janë të vogla mund që edhe të mos vërehen, por edhe të mos shkaktojnë probleme. Mirëpo, rritja dhe përhapja e tyre çon në shfaqjen e vështirësive, ku më të zakonshmet janë:

  • Sekrecion nga hunda dhe rrjedhje të sekretit postnazal
  • Bllokim dhe vështirësi në frymëmarrjen përmes hundës
  • Ndjeshmëri të reduktuar të erës
  • Ndjenja e ngarkesë në kokë, dhimbje të fytyrës dhe dhimbje koke
  • Gërhitja gjatë gjumit, ndërprerja e frymëmarrjes gjatë gjumit (apnea e gjumit)

Për shkak se sinuset anatomike kufizohen me disa struktura të rëndësishme si, sytë dhe truri, një infeksion më serioz i sinuseve mund të çojë në inflamacion të syve – që manifestohet nga ënjtja, shikimi i zvogëluar dhe i turbullt. Ose ndërlikimi më serioz i mundshëm – infeksioni i strukturave të trurit me simptoma të tilla si – temperaturë të lartë, kokëdhimbje të forta, mpirje të qafës. Nëse i vëreni këto simptoma, menjëherë kërkoni ndihmë mjekësore!

Cilët janë shkaktarët që çojnë në shfaqjen e polipeve të hundës?

Dr. Trimoska-Radevska: Mjekësia dhe shkenca akoma nuk kanë zbuluar se çfarë i shkakton ato, por është i njohur fakti se ky inflamacion shkakton mbajtjen e lëngjeve në mukozë dhe në këtë mënyrë ato formohen. Gjithashtu ekzistojnë edhe dëshmi se ekziston një lloj reagimi i ndryshëm imunitar dhe prodhimi i një lloji specifik i markerit imunologjik, të cilët nuk ekzitsojnë tek pacientët pa polipa.

A ekzistojnë rrezik faktorë të caktuar kur është fjala për polipet e hundës?

Dr. Trimoska-Radevska: Çdo gjendje që shkakton infeksion kronik në hapjet e hundës ose sinuset mund të rrisë rrezikun e shfaqjes së polipeve. Por gjendjet më të njohura asocuese janë:

  • Astma
  • Ndjeshmëria ndaj aspirines dhe agjentëve të tjerë antiinflamator jo-steroid
  • Gjendje alergjike
  • Fibroza cistike – çrregullim gjenetik që rezulton me prodhimin e sekrecionit të dendur në rrugët e frymëmarrjes

Çfarë komplikimesh mund të ndodhin për shkak të ekzistencës dhe të mos-trajtimit të polipeve të hundës?

Dr. Trimoska-Radevska: Komplikimet kryesisht u referohen bllokimit të rrugëve të hundës dhe sinuseve, dhe ato mund të përfshijnë gjendjet e mëposhtme:

  • Apnea obstruktive e gjumit (ndërprerja e frymëmarrjes gjatë gjumit)
  • Përkeqësimi i episodeve të astmës
  • Infeksione të sinuseve
  • Për shkak se sinuset anatomike kufizohen me disa struktura të rëndësishme si, sytë dhe truri, një infeksion më serioz i sinuseve mund të çojë në inflamacion të syve – që manifestohet nga ënjtja, shikimi i zvogëluar dhe i turbullt. Ose ndërlikimi më serioz i mundshëm – infeksioni i strukturave të trurit me simptoma të tilla si – temperaturë të lartë, kokëdhimbje të forta, mpirje të qafës. Nëse i vëreni këto simptoma, menjëherë kërkoni ndihmë mjekësore!

A ekziston ndonjë parandalim për ta?

Dr. Trimoska-Radevska: Ju mund të ndërmerrni disa masa, përmes së cilave do të parandaloni shfaqjen e polipeve ose përsëritjen e polipeve pas ndërhyrjes tashmë të kryer dhe ato janë:

  • Kontrolli i alergjisë dhe astmës – përdorimi i ilaçeve që mjeku ju ka përshkruar
  • Shmangni faktorët irritues si alergenët, tymin e cigareve, evaporatorët kimik
  • Njomësit e ajrit – nëse ajri në shtëpi është i thatë, përdorni njomës ajri
  • Shpërlarja e hundës – përdorni tretësirë të kripur ose irrigatorë, në këtë mënyrë i njomni hapjet e hundës dhe ndihmoni që mukoza e hundës të pastrohet nga irritues të shumtë: alergenë, baktere, viruse.

 

Si caktohet diagnoza e polipeve nazale?

Dr. Trimoska-Radevska: Diagnoza caktohet në bazë të simptomave që ka pacienti, dhe pastaj vijon ekzaminimi. Ndonjëherë polipet shihen vetëm duke përdorur një instrument të thjeshtë. Por më së miri është që ekzaminimi të jetë i kompletuar nga:

 

  • Ekzaminimi endoskopik – bëhet përmes një tubi të hollë me kamerë në pjesën e përparme, i cili i mundëson mjekut të ekzaminojë të gjitha strukturat në zgavrën e hundës.
  • Ekzaminime radiologjike – CT, tomografi kompjuterike, nëpërmjet kësaj mjeku mund të shoh më së miri se ku ndodhen polipet në hundë dhe të kryej ekzaminimin edhe tek sinuset më të thella paranazale, eventualisht të përjashtojë gjendje të tjera, si tumoret malinje dhe beninje
  • Testi i alergjisë – skin prick test
  • Testi i fibrozës cistike – nëse bëhet fjalë për fëmijë të diagnostikuar me polipa nazale, është e nevojshme që të bëhet edhe testi i fibrozës cistike

Çfarë përfshin terapia dhe trajtimi i polipeve?

Dr. Trimoska-Radevska: Trajtimi i polipeve nazale është një sfidë e madhe dhe duhet të jetë i orientuar për nga trajtimi i sëmundjes, simptomat, si dhe largimin e shkak-faktorëve.

Barnat mund të ndihmojë në zvogëlimin e polipeve, por nganjëherë edhe në zhdukjen e tyre, dhe ato janë:

  • Kortikosteroidët lokal – ato janë me absorbim sitematik të parëndësishëm dhe mund të merren për një kohë të gjatë.
  • Kortikosteroidët sistemikë – këto janë ilaçe që menjëherë çojnë në përmirësimin e simptomave, por me efekte anësore dhe përdorimi i tyre duhet të kontrollohet plotësisht nga mjeku.
  • Medikamente të tjera – janë kryesisht ilaçe që i kontrollojnë alergjitë ose antibiotikët për trajtimin e infeksioneve të krijuara, si dhe pika dhe spreje për hundën, për të përmirësuar drenazhin dhe për të larguar sekretin.

Çfarë ndodh nëse këto lloje ilaçesh nuk ndihmojnë, a ka ndonjë alternativë tjetër për zgjidhjen e problemit?

Dr. Trimoska-Radevska: Nëse terapia me ilaçe nuk ndihmon në zvogëlimin ose eliminimin e polipeve, atëherë është e nevojshme kirurgjia endoskopike për heqjen e polipeve dhe zgjidhjen e problemit me sinuset. Kjo kryesisht kryhet anestezi të përgjithshme. Kirurgu me ndihmën e endoskopit (tub i hollë me kamerë) mund të depërtojë në sinuset më të thella dhe me instrumente të buta përmes hundës i largon plotësisht polipet. I hap dhe i pastron sinuset, gjë që përmirëson funksionin e tyre dhe mundëson që në të ardhmen ilaçet (kortikosteroidet në formën e sprejit) të arrijnë në epitelin normal të hundës dhe sinuseve dhe në këtë mënyrë parandalohet riformimi i tyre. Në këtë mënyrë, hundës dhe sinuseve ju lejohet fiziologjia normale – të filtrojnë ajrin, kondicionojnë (të ngrohin ose të ftohin), të njomin dhe kështu i përgatitur të përhapet në rrugët e poshtme të frymëmarrjes – mushkëritë.