INTERVISTË ME DR. IVAN MILEV: Nëntëdhjetë për qind e goditjeve në tru ndodhin si pasojë e mpiksjes së gjakut

Shenjat dhe simptomat janë: vështirësi në të folur dhe perceptim të mjedisit, konfuzion, dobësi apo paralizë e fytyrës, krahut ose këmbës, probleme të shikimit në njërin ose të dy sytë, dhimbje e rëndë koke e papritur që shpesh shoqërohet me të vjella, marramendje, vështirësi në ecje - ataksi, humbje e koordinimit apo dobësim i shpejtë.

Goditja në tru është gjendje e ishemisë akute e sistemit nervor qendror, e cila shfaqet për shkak të ndërprerjes ose zvogëlimit të qarkullimit intracerebral: Dr.Ivan Milev, specialist i pediatrisë - subspecialist në kardiologji.

“Goditja ishemike e trurit, si një lloj më i shpeshtë i infarktit, ndodh për shkak të faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, modifikues dhe jo modifikues, të cilët shpesh kombinohen. Historia familjare e goditjes në tru, mosha mbi 55 vjeç, gjinia mashkullore, sulmi i mëparshëm ishemik kalimtar, disa hemoglobinopati, trombofilia madhore gjenetike – janë faktorë të pamodifikueshëm që individi nuk mund t’i ndryshojë, e as të ndikojë në to. Prandaj këta pacientë kanë nevojë për kontrolle më të shpeshta, si dhe shmangien e faktorëve apo gjendjeve provokuese të terapive të caktuara”, shpjegon doktor Ivan Milev, specialist i pediatrisë, subspecialist në kardiologji.

Sipas të dhënavë të Shoqatës Amerikane, çdo katër sekonda një person përjeton një goditje në tru dhe çdo dyzet minuta një person vdes nga po i njëjti shkak. Shifrat janë të frikshme, çfarë përbën në të vërtetë një goditje në tru dhe cilat janë arsyet që çojnë në shfaqjen e tij?

Dr. Milev: Goditja në tru është një gjendje e ishemisë akute e sistemit nervor qendror, e cila shfaqet për shkak të ndërprerjes ose zvogëlimit të qarkullimit intracerebral. Kjo është për shkak të trombozës, embolisë, spazmës apo gjakderdhjes së enëve të gjakut arterial, e cila përfundimisht çon në një ulje të qarkullimit në një shtresë të caktuar në varësi të zonës së vaskularizimit dhe si rezultat dëmtim të indit të trurit.

Mungesa e furnizimit me gjak çon në një ulje të oksigjenit ose lëndëve të tjera ushqyese në tru dhe çon në vdekjen e qelizave të trurit. Qarkullimi cerebral gjithashtu mund të ndikohet si pasojë e një arterie të trurit të çarë (shkëputur).

Goditja ishemike kalimtare, është një periudhë e përkohshme e simptomave të ngjashme me goditjen në tru që zgjat vetëm disa minuta dhe nuk shkakton dëme të përhershme. I quajtur shpesh një goditje në tru, një sulm i tillë, është një shenjë paralajmëruese sepse 30% e njerëzve me sulmin në fjalë do të zhvillojnë një goditje brenda vitit të parë pas ndodhisë së më parshme.

Disa njerëz mund të përjetojnë vetëm ishemi të përkohshme të qarkullimit cerebral, një gjendje e quajtur sulm ishemik kalimtar (TIA), e cila për fat të mirë nuk çon në dëmtime të përhershme neurologjike.

Nëntëdhjetë për qind (90%) e goditjeve ndodhin për shkak të mpiksjes së gjakut, goditjeve ishemike, të shkaktuara nga ekzistimi i një trashje gjaku në një pjesë të caktuar të trurit që shkakton vdekjen e indit të trurit që nuk mund të mbijetojë pa oksigjen.

Kohëzgjatja e ishemisë, vendndodhja e goditjes në tru dhe prania e qarkullimit kolateral janë faktorët kryesorë në shkallën dhe shtrirjen e dëmtimit dhe invaliditetit në vazhdim.

Si mund ta njohim në kohë një goditje, duke pasur parasysh se çdo sekondë vlen në përpjekje për të reduktuar efektet e dëmshme të goditjes? Cila është simptomatologjia, shenjat që duhet të na nxisin të kërkojmë ndihmë urgjente mjekësore?

Dr. Milev: Shenjat dhe simptomat janë si më poshtë:

  1. Vështirësi me të folurin ose të kuptuarin, konfuzion.
  2. Dobësi ose paralizë e fytyrës, krahut ose këmbës. Kjo ndodh shpesh vetëm në njërën anë të trupit, dhe gjithashtu mund të shkaktojë asimetri të buzëve.
  3. Probleme me shikimin në njërin ose të dy sytë, ulje të shikimit ose njolla të errëta në njërin ose të dy sytë, ose shikim të dyfishtë.
  4. Dhimbje koke – dhimbje koke e rëndë e papritur e cila shpesh shoqërohet me të vjella, marramendje e papritur.
  5. Vështirësi në ecje – ataksi, koordinim ose ekuilibër i dobët.

Cilët janë faktorët e rrezikut që çojnë në goditje në tru dhe cilat janë arsyet pse gjithnjë e më shumë të rinj vuajnë nga goditja në tru, i njëjti mund të ndodhë edhe në fëmijërinë e hershme?

Dr. Milev: Goditja ishemike, si lloji më i shpeshtë i goditjes në tru, ndodh për shkak të faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, modifikues dhe jomodifikues, të cilët shpesh kombinohen.

Historia familjare e goditjes në tru, mosha mbi 55 vjeç, gjinia mashkullore, ataku i mëparshëm ishemik kalimtar (TIA), disa hemoglobinopati, foramen ovale persistente (PFO), trombofilia madhore gjenetike – janë faktorë të pamodifikueshëm që individi nuk mund t’i ndryshojë ato, e as nuk mund të ndikojë në to. Prandaj, këta pacientë kërkojnë kontrolle më të shpeshta si dhe shmangien e faktorëve ose kushteve provokuese ose terapi të caktuar.

Është e rëndësishme që riperfuzioni (rikanalizimi) të kryhet brenda 60-120 minutave të para nga fillimi i simptomave të para.

Faktorët modifikues janë: ruajtja e presionit normal të gjakut nën 130/80 mm Hg, niveli i ulët i kolesterolit në gjak, trajtimi i sëmundjeve kardiovaskulare (foramen ovale të vazhdueshme, defekt septal atrial, sëmundje mitrale, fibrilacion atrial), kontrolli i sëmundjes periferike dhe karotide ose arterosklerozës, ruajtja e masës normale trupore, ndërprerja e duhanit, kontrolli i diabetit, si dhe kontrolli i pacientëve që kanë pasur një infeksion të zgjatur me COVID.

Këto janë masat e përgjithshme dhe specifike që duhet të zbatohen tek pacientët që janë në grupin e rrezikut. Migrena si shenjë e TIA ose goditjes në tru dhe shoqërimi i saj me PFO ose aneurizmën intrakraniale – shkaku më i zakonshëm i goditjes hemorragjike tek të rinjtë – nuk duhet të anashkalohet këtu.

“Time is brain”- (“Koha është truri”), pse është e rëndësishme ndërhyrja në dy-tre orët e para pas goditjes në tru dhe në çfarë konsiston trajtimi, terapia e goditjes së trurit?

Dr. Milev: Gjatësia e ishemisë, lokalizimi i infarktit si dhe prania e qarkullimit kolateral janë faktorët kryesorë për shkallën e dëmtimit dhe invaliditetit të mëtejshëm. Nëse pacienti ka ndonjë nga simptomat e lartë përmendura, është e nevojshme të kërkohet ndihmë mjekësore. Në mjekësinë moderne ekziston një shprehje “koha është truri”. Goditja akute është një gjendje akute që trajtohet në të ashtuquajturat qendra infarkti, ku ka rëndësi kyçe që riperfuzioni-rikanalizimi të kryhet brenda 60-120 minutave të para nga shfaqja e simptomave të para. Në letërsinë anglo-saksone ekziston një akronim që do të thotë i shpejtë ose “FAST” (face, arms, speech, time). Pacientët janë të edukuar dhe informuar për simptomat e hershme të infarktit në tru dhe me trajtimin e menjëhershëm dhe të përshtatshëm në qendrën  për goditje në tru, është e mundur një ulje e madhe e shkallës së paaftësisë. Qendrat e infarktit në tru janë në fakt institucione të specializuara me staf nga neurologë, neuroradiologë, radiologë intervenues dhe kardiologë. Ata e trajtojnë goditjen me trajtim mjekësor – fibrinolizë ose trombektomi mekanike, në mënyrë ekipore dhe në varësi të shkallës së deficitit neurologjik (i matur sipas shkallës së Glasgoë-it), i cili redukton deficitin neurologjik.

Mungesa e furnizimit me gjak çon në një ulje të oksigjenit ose lëndëve të tjera ushqyese në tru, gjithashtu çon edhe në vdekjen e qelizave të trurit. Qarkullimi cerebral mund të ndikohet gjithashtu si rezultat i një arterie të çarë (të këputur) të trurit: Dr. Ivan Milev

Paralajmërimi ndonjëherë vjen në formën e një ataku ishemik kalimtar (TIA) që zgjat më pak se 24 orë dhe nuk lë pasoja. Pse nuk duhet ta neglizhojmë këtë të ashtuquajtur goditje e fshehur, e cila përsëritet në një numër të madh rastesh?

Dr. Milev: Sulmi ishemik kalimtar (TIA) është një periudhë e përkohshme e simptomave të ngjashme me goditjen në tru që zgjat vetëm disa minuta dhe nuk shkakton dëme të përhershme. I quajtur shpesh një goditje në tru, një TIA është një shenjë paralajmëruese sepse 30% e njerëzve me një TIA do të zhvillojnë një goditje brenda vitit të parë, pas goditjes së parë. Është gjithmonë një arsye për ekzaminim të mëtejshëm për të parandaluar një goditje tjetër.

Pas dekadës së pestë të jetës, për të reduktuar rrezikun e goditjes në tru, duhen shtuar përpjekjet për parandalimin e aterosklerozës, sëmundjes karotide, diabetit dhe hipertensionit, sëmundjeve valvulare të zemrës.

Ndërgjegjësimi për ekzaminimet parandaluese në vendin tonë është ende në nivel të ulët dhe pikërisht ekzaminimet e tilla shpëtojnë jetë. Cilat janë rekomandimet tuaja për parandalimin e goditjes në tru?

Dr. Milev: Kushtet themelore për parandalimin parësor të infarktit në tru janë: skriningu i popullatës me rrezik, ruajtja e regjimit higjienik dhe dietik, trajtimi i hershëm i aterosklerozës, parandalimi i fibrilacionit atrial dhe terapia e tij, futja e një protokolli për trajtimin e sulmit të atakut ishemik kalimtar sipas moshës, ndikimi i faktorëve modifikues të jetesës.

Termi „cryptogenic stroke“ duhet të hiqet, sepse nëse çdo pacient i nënshtrohet një protokolli diagnostikues për infarktin, do të marrë një diagnozë të përshtatshme të etiologjisë dhe në të njëjtën kohë do të parandalojë mundësinë e një paraqitjeje të re.

Në përgjithësi, shkaqet e trombofilisë, foramen ovale të vazhdueshme dhe aneurizmave intrakraniale duhen kërkuar në fëmijëri dhe adoleshencë të hershme.

E njëjta gjë vlen edhe për të rinjtë nga mosha 20 deri në 50 vjeç. Në këtë grupmoshë është e rëndësishme rritja e nivelit të kulturës shëndetësore me ndikimin e faktorëve modifikues, si dhe depistimi për fibrilacion atrial dhe apneas së gjumit.

Dhimbje koke – një dhimbje e rëndë koke e papritur që shpesh shoqërohet me të vjella, marramendje ose dëmtim të vetëdijes, është një nga simptomat e një goditjeje në tru.

Pas dekadës së pestë të jetës, për të reduktuar rrezikun e goditjes në tru, duhen shtuar përpjekjet për të parandaluar aterosklerozën, sëmundjet karotide, diabetin dhe hipertensionin, sëmundjet valvulare të zemrës.

Mjekët familjar, kardiologët dhe neurologët, nga ana tjetër, nuk duhet të ndalen në faktin se një pacient pas një ataku ishemik kalimtar ose goditjes në tru ka një tomografi të kompjuterizuar pothuajse normale të trurit, sepse kjo nuk do të thotë shumë për prognozën e pacientit. Përkundrazi, është e nevojshme kërkimi intensiv i arsyeve dhe parandalimi i tyre. Kuptohet se rezonanca magnetike ofron të dhëna shumë më të sakta për llojin dhe shkallën e dëmtimit të trurit. Pacienti duhet t’i nënshtrohet një protokolli diagnostik të synuar lokal, përpara se të bëhet ndonjë supozim ose diagnozë.

Në thelb, mjekësia parandaluese është më ekonomike, sepse parandalon shfaqjen ose përsëritjen e goditjes në tru ose ataku ishemik kalimtar.

Është tepër vonë kur do të ndodhin pasojat, d.m.th. aftësia e kufizuar, është një gjendje katastrofik si për familjen e pacientit, ashtu edhe për të gjithë shoqërinë.

Përktheu dhe përshtati: S.N