Shkruan: Aleksandra Stojanovska/saska@panacea.mk
Brengat dhe stresi pak a shumë ndikojnë tek secili prej nesh, por jo të gjithë mund t’i përballojmë në të njëjtën mënyrë. Ata mund të na paralizojnë dhe të parandalojnë synimet tona dhe kryesisht çojnë në një situatë edhe më të keqe.
Gjithnjë e më shumë flitet për ankthin si një nga problemet më të mëdha që i sjell mënyra e shpejtë dhe moderne e jetesës, të lidhura me shumë detyrime, afate të shkurtra kohore, tensione frustrime dhe stres. Nga ajo që dimë është se ankthi është gjendje e cila karakterizohet nga ndjenja e ankthit të brendshëm, nga frika se diçka e keqe do të ndodhë, ndjekur nga tensioni i fortë psikomotor dhe shqetësimet e brendshme. Personi në gjendje ankthi ka ndjenjën se do të humbasë kontrollin mbi veten, kështu që diçka “e tmerrshme” do t’i ndodhë dhe shpesh është i bindur se e gjithë bota do t’i shembet. Gjendja e tillë e ul ndjeshëm cilësinë e jetës së personit me ankth dhe pothuajse nuk ekziston diçka që të mund ta gëzojë.
Por çfarë është ankthi? Dhe si mund të relaksohemi?
Përgjigje të këtyre pyetjeve dhe zgjidhjen e disa paqartësive të tjera e kërkuam nga, psikiatri Dr. Kadri Haxhihamza nga Klinika e Psikiatrisë në Shkup.
Fjala ankth kohëve të fundit po përdoret shumë shpesh, por kam përshtypjen se njerëzit nuk e dinë edhe aq mirë se çfarë nënkupton kjo gjendje. A mund t’u shpjegojmë lexuesve se çfarë është ankthi?
Dr. Haxhihamza: Ankthi në thelb nënkupton frikën, tensionin. Ai mund të jetë i justifikuar (provim, martesë, ndryshimi i vendit të punës etj.), por edhe i pajustifikuar (pa ndonjë arsye të qartë). Shkalla e reagimit është gjithashtu e rëndësishme.
Për aq kohë sa e kontrollojmë, frika është diçka që ne mund ta trajtojmë veten. Por në momentin kur frika na kontrollon neve, atëherë bëhet gjendje patologjike.
Cilat janë simptomat që e bëjnë një person të duket se është duke përjetuar ankth?
Dr. Haxhihamza: Shenja më e zakonshme e ankthit është pagjumësia. Ju e dini, nuk është e kotë shprehja “netë pa gjumë nga frika se diçka do të mund t’u ndodhë”. Simptoma tjetër është oreksi i zvogëluar (ose humbja e oreksit) si dhe përqendrim i reduktuar dhe aftësia e zvogëluar për punë.
A mund të shkaktojnë ankthi probleme fizike?
Dr. Haxhihamza: PO. Është i njohur grupi i të ashtuquajturave sëmundje psikosomatike: ulçera e lukthit, sulmi në zemër ose tensioni i lartë i gjakut. Shkaku i sëmundjeve qëndron në psikikë (tensioni), ndërsa pasojat janë në trup (soma-gr.).
Ankthi afatgjatë a mund të shkaktojë avari nervore tek ndonjë person?
Dr. Haxhihamza: “Avari nervore” është emër laik për dekompenzimin e një plani psikologjik.
Psikika jonë ekspozohet çdo ditë ndaj “goditjeve” të jashtme – gjëra që “ju nervozojnë”.
Por, ne kemi edhe mekanizma mbrojtës psikologjik. Kur këto mekanimza janë të përmbytura (forca e “goditjeve” është më e madhe se ajo e mekanizmave mbrojtës), themi se është shfaqur dekompozimi domethënë, “avaria nervore”
A ekziston ndonjë grup i caktuar tek të cilët shfaqja e ankthit është më e zakonshme ose ky çrregullim mund të shfaqet tek çdokush?
Dr. Haxhihamza: Nuk ekziston grup e caktuar tek të cilët zakonisht shfaqet ankthi. Kjo ndiqet si tek fëmijët e vegjël, ashtu edhe tek të moshuarit. Sigurisht, çdo grup moshe tregon specifika në paraqitjen e ankthit.
A ekziston mundësia për të trajtuar ankthin dhe si zbatohet?
Dr. Haxhihamza: TRAJTIMI EKZISTON. Mund të bëhet me ilaçe ose me psikoterapi. Por, për fat të keq, tek ne akoma ekziston turpi (stigmë) e të shkuarit në psikiatër, kështu që tek mjeku shkohet vetë atëherë kur pasojat e ankthit nuk mund të “fshihen”.
Një mesazh deri tek të gjithë lexuesit tuaj do të ishte të kontaktojnë me psikiatrin sapo të ndjenjë ndonjë shqetësim, para se të jetë shumë vonë.