Intervistë me Dr. Slavica Todorovska: Parandalimi është i rëndësishëm, pasiqë çdo fëmijë një herë në vit duhet të bëjë kontroll sistematik

Ekzaminimet parandaluese janë mjaft të rëndësishme. Ata kontribuojnë që një numër i madh sëmundjesh të vihen re në një fazë fillestare, kur trajtimi jep rezultatet më të mira.

Shkruan: Sanja Naumovska/sanja@panacea.mk

Parandalimi i sëmundjeve nënkupton aktivitetet që ne ndërmarrim për të parandaluar zhvillimin e sëmundjeve, zbulimin e hershëm të sëmundjeve kronike dhe malinje, si dhe për fillimin në kohë të terapisë. Parandalimi parashikon ekzaminime të rregullta sistematike që, në varësi të moshës, duhet të bëhen një herë në muaj, deri në një vit. Parandalimi nënkupton edhe edukimin dhe vaksinimin e popullatës. Është veçanërisht e rëndësishme që të fillohet në moshë më të hershme, por të zbatohet edhe gjatë gjithë jetës.

Për rëndësinë e parandalimit në moshën e fëmijërisë biseduam me Dr. Slavica Todorovska, pediatër


Dr. Todorovska, na tregoni se çfarë ekzaminime parandaluese duhet të bëhen gjatë moshës një vjeçare të fëmijës?

Dr. Todorovska: Çdo fëmijë duhet të dërgohet për kontroll një herë në muaj, që nga lindja deri në muajin e gjashtë tek pediatri amë. Pas kësaj periudhe, kontrolli sistematik parandalues bëhet një herë në dy muaj, deri në moshën një vjeçare. Këto ekzaminime përfshijnë peshën, gjatësinë dhe zbulimin e anomalive të lindura kongjenitale. Gjithashtu, në muajin e tretë, bëhet pasqyra e gjakut për të ekzaminuar nëse ekziston anemia. Pasqyra e gjakut bëhet çdo tre muaj deri në moshën një vjeçare.

Në varësi të faktit nëse fëmija ushqehet me qumësht gjiri ose me qumësht artificial, në periudhën deri në moshën një vjeçare, nëna mund të kërkojë këshilla se me cilin qumësht artificial të ushqej foshnjën, duke pasur parasysh faktin se deri në moshën një vjeçare nuk rekomandohet qumështi i lopës.

Pas muajit të gjashtë, në ekzaminimet sistematike bisedohet rreth të ushqyerit, më saktësisht për futjen e ushqimeve jo-qumështore, frutave, perimeve dhe drithërave, si, dhe kur ato duhet të futen në ushqimin e fëmijës. Gjatë kësaj periudhe, bëhen edhe kontrolle për imunizimin dhe për profilaksinë anti-rahitike.

Është mirë që fëmijët të dërgohen për kontroll një herë në muaj, që nga lindja deri në muajin e gjashtë tek pediatri amë.

Nga muaji i dytë deri në muajin e tretë, bëhet edhe ekzaminim ortopedik për të parë gjendjen e ijeve. Deri në këtë periudhë, rekomandojmë përdorimin e mbështjelljes së gjerë, ndërsa pas këtij ekzaminimi merret vendimi nëse do të ketë nevojë akoma për mbështjellje të gjerë ose mund të përfundojë. Gjatë moshës një vjeçare bëhen tre ekzaminime ortopedike parandaluese, por edhe pasi të kalojnë këto duhet të bëhet ekzaminimi nga ortopedi.

Çfarë ekzaminime parandaluese duhet të bëhen pas moshës një vjeçare?

Dr. Todorovska: Kontrollet sistematike parandaluese është e domosdoshme që të vazhdohen edhe pas moshës një vjeçare. Është e domosdoshme që vazhdimisht të kontrollohet rritja e fëmijës, ndërsa në gjashtë muaj t’i matet pesha dhe gjatësia. Në moshën dy vjeçare, kontrollohen shputat dhe pozicioni i trupit, për të parandaluar zhvillimin e skoliozës. Nga mosha tre vjeçare deri në moshën pesë vjeçare është e nevojshme të bëhet edhe kontrolli i syve.

A është e rëndësishme që ekzaminimet sistematike parandaluese të vazhdojnë edhe në moshën shkollore dhe më vonë?

Dr. Todorovska: Sigurisht, është mirë që fëmijët një herë në vit të dërgohen tek pediatri amë dhe të bëjnë kontrollin sistematik. Gjatë kësaj periudhe, duhet të kontrollohet nëse ka ndonjë problem me rritjen dhe nëse është e nevojshme menjëherë të udhëzohet tek një specialist endokrinolog. Gjithashtu shqyrtohet edhe pozicioni i trupit dhe mundësia e zhvillimit të skoliozës ose shputave të sheshta, ndërsa me pasqyrën e gjakut parandalohet anemia. Në këtë periudhë të zhvillimit të fëmijëve, mund të përcaktohet edhe indeksi i masës trupore, gjë që do të parandalonte fëmijët të jenë mbipeshë.

Sa të rëndësishme janë ekzaminimet parandaluese dhe cilat gjendje serioze mund të parandalohen nëse ato kryhen në mënyrë të rregullt?

Dr. Todorovska: Ekzaminimet parandaluese janë mjaft të rëndësishme. Ata kontribuojnë që një numër i madh sëmundjesh të vihen re në një fazë fillestare, kur trajtimi jep rezultatet më të mira. Në fëmijëri veçanërisht e rëndësishme është që t’i kushtohet vëmendje parandalimit. Në këtë periudhë, zbulohen anomalitë kongjenitale, të lindura, defekte të zemrës, deformime renale, anomali të organeve gjenitale, etj.

Kontrollet sistematike parandaluese është e domosdoshme që të vazhdohen edhe pas moshës një vjeçare.

Nëpërmjet ekzaminimeve parandaluese mund të parandalohet zhvillimi i mëtejshëm i gjendjeve serioze, siç është skolioza, e cila nëse nuk trajtohet në kohë, mund të jetë e nevojshme edhe ndërhyrja kirurgjikale. Çantat e shpinës dhe pesha e tyre janë një sfidë e madhe për fëmijët, prandaj rekomandohet që ato t’i mbajnë për kohë të shkurtër, edhe atë në të dyja shpatullat.

Në vitet e fundit, shumë aktual është edhe problemi i mbipeshës, pasiqë fëmijët gjithnjë e më shumë ushqehen me ushqim të shpejtë. Kjo gjendje nëse nuk pengohet në kohë, më vonë gjatë jetës është rrezik faktor për zhvillimin e diabetit, sëmundjeve kardiovaskulare dhe gjendjeve të tjera serioze. Prandaj, përveç ekzaminimeve parandaluese, rekomandojmë që fëmijët rregullisht të jenë fizikisht aktiv ose të merren me sport, në mënyrë që të krijojnë shprehi të shëndetshme, por edhe për të zvogëluar rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve.