SHRKUAN:
Aleksandra Stojanovska
saska@pedijatar.mk
Në dekadat e fundit, sëmundjet alergjike në fëmijëri kanë marrë përmasa epidemike, dhe sipas hulumtimeve të deritanishme ndërkombëtare, prevalenca e sëmundjeve alergjike varion nga 4% në 37% për sëmundje të ndryshme në grupmoshat e fëmijëve, në rajone të ndryshme gjeografike. Me asst. Dr. Vesna Micevska, pediatre specialiste në Klinikën për sëmundje të fëmijëve në Shkup, folëm për rinitin alergjik, cilat simptoma janë më të shpeshta të kësaj sëmundje më të zakonshme të fëmijëve, në cilën moshë fëmijët kanë rrezik më të madh, dhe për atë se si zbatohet shërimi dhe çfarë duhet të kenë parasysh prindërit.
Doktoresh, është fakt që sëmundjet alergjike kanë karakterin e epidemive moderne, duke pasur parasysh se më shumë se 20 për qind e popullsisë së botës vuan nga riniti alergjik, astma apo dermatiti atopik. Edhe pse lehtësisht i dallueshëm, riniti alergjik mbetet i padiagnostikuar dhe i patrajtuar në shumë raste. Si mund ta kuptojë një prind që fëmija i tyre ka rinitit alergjik (RA)?
MICEVSKA: Sëmundjet ose çrregullimet alergjike përfshijnë dermatitin atopik ose ekzemën, rinitin alergjik, rinokonjuktivin, astmën, urtikarinë, alergjitë nga ushqimi dhe anafilaksinë. Janë sëmundje kronike dhe shpesh komplekse, në shfaqjen dhe zhvillimin e të cilave ndikohen si nga faktorë gjenetikë ashtu edhe nga faktorë mjedisorë. Me rritjen e sëmundjeve alergjike në dekadat e fundit, veçanërisht në botën perëndimore, del në pah fakti që faktorët mjedisorë luajnë një rol shumë më të madh në zhvillimin e tyre sesa mendohej më parë.
Në dekadat e fundit, sëmundjet alergjike në fëmijëri kanë marrë përmasa epidemike, dhe sipas hulumtimeve të deritanishme ndërkombëtare, prevalenca e sëmundjeve alergjike varion nga 4% në 37% për sëmundje të ndryshme në grupmoshat e fëmijëve, në rajone të ndryshme gjeografike.
Në 30 vitet e fundit, kërkimet në mbarë botën kanë regjistruar një rritje të vazhdueshme të prevalencës së RA në fëmijëri. Kështu, mendohet se më shumë se 10% e fëmijëve deri në 14 vjeç dhe 20-30% e adoleshentëve dhe të rinjve kanë simptoma të RA.
Riniti alergjik karakterizohet nga një grup simptomash që ndodhin si rezultat i ndryshimeve që ndodhin në mukozën e hundës: kruajtje, rrjedhje nga hunda, teshtitje dhe rrjedhje e hundëve. Këto janë simptomat më të zakonshme të sëmundjes. Nëse prindi vëren se disa nga këto simptoma janë shfaqur tek fëmija i tyre, ato zgjasin për një kohë të gjatë dhe nuk kanë lidhje me ndonjë infeksion viral, shfaqen periodikisht, konkretisht sezonale ose ekspozimi ndaj faktorëve të caktuar nga mjedisi, duhet të dyshoj se mund të bëhet fjalë për RA dhe duhet ta dërgojë menjëher fëmijën te mjeku i familjes. Pra, nëse është e nevojshme, ata do të udhëzohen për ekzaminime tek mjeku subspecialist pulmonalergol ose otorinolaringolog.
Cila është mosha kur RA kushtimisht shfaqet më shpesh tek fëmijët dhe të rinjtë?
MICEVSKA: Simptomat e RA mund të shfaqen në çdo moshë te fëmijët, por më e shpeshta është te grupi i fëmijëve shkollorë, mbi 5 vjeç. Mosha e dytë më e zakonshme është periudha e pubertetit, kur janë të pranishme edhe ndryshimet hormonale në trup. Ndryshe nga RA dhe astma, mosha karakteristike e shfaqjes së dermatitit atopik dhe alergjisë ushqimore është mosha më e re, duke filluar nga viti i parë i jetës.
Riniti alergjik nuk është një sëmundje kërcënuese për jetën, por ndikon ndjeshëm në cilësinë e jetës. Cilat simptoma mund të zhvillohen që në fakt nuk lidhen drejtpërdrejt me RA?
MICEVSKA: Simptomat e RA tek fëmijët shpesh mund të injorohen ose neglizhohen, dhe ndonjëherë nuk mund të detektohen tek fëmijët dhe as prindërit e tyre të hetojnë. Përveç shfaqjes së simptomave, mund të dominojnë edhe shenja të tjera që shpesh nuk ndërlidhen me këtë sëmundje. Bllokimi i hundës, gjumi me gojë hapur, dhimbja e kokës, lodhja, rrathët e zinj ose ënjtja e syve, ballit dhe zonës së faqeve mund t’i atribuohet sëmundjeve të tjera dhe në fakt mund të jenë të shkaktuara nga RA.
A është riniti alergjik një faktor rreziku për sëmundje të tjera tek fëmijët?
MICEVSKA: RA nuk duhet kuptuar si një patologji e izoluar. Procesi inflamator që ndodh në mukozën e hundës mund të përhapet dhe të prekë mukozën e syve, zgavrat e sinusit, veshin dhe mukozën e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes. Persistenca afatgjate e simptomave të RA shkakton krijimin e ndryshimeve karakteristike në fytyrën e fëmijës, të ashtuquajturat facie adenoidale, deformim të dhëmbëve dhe nofullës. Përveç kësaj, në kuadrin e zhvillimit të RA mund të ketë deformime ose ndryshime të tjera si shtrembërim i septumit të hundës, obstruksion nazal, sinusit dhe vegjetacione adenoidale. Fëmijët me RA janë të prirur për të zhvilluar ndezje të veshit të mesëm për shkak të ënjtjes së tubit të dëgjimit dhe shfaqjes së infeksioneve dytësore.
Përveç kushteve të shumta jo alergjikë, fëmijët me RA mund të përjetojnë edhe simptoma të sëmundjeve të tjera alergjike si dermatiti atopik, astma ose alergjia nga ushqimet.
Cilët janë faktorët dhe alergjenët kryesorë që ndikojnë në shfaqjen e RA?
MICEVSKA: Faktorët e brendshëm ose gjenetikë dhe faktorët mjedisorë janë përgjegjës për zhvillimin dhe manifestimin e RA. Alergjenët më të zakonshëm që inkriminohen për aktivizimin e mekanizmave të ndjeshmërisë alergjike janë ata inhalante, pra e kanë origjinën nga mjedisi i jashtëm. Midis tyre, më të zakonshmet janë pluhuri i shtëpisë (dermatofagoide ose mikrokëpushat), poleni nga pemët dhe barërat, myku, duhani dhe qimet e kafshëve shtëpiake (mace, qen, lloj brejtësi, papagaj). Intensiteti i ekspozimit ndaj alergjenëve ndikohet nga faktorë të tjerë mjedisorë si kushtet klimatike (moti): shiu i zvogëlon ato, ndërsa era dhe moti i thatë i potenconë (shtojnë).
Cfarë është asma alergjike, dhe a është e lidhur me RA?
MICEVSKA: Është karakteristikë e sëmundjeve alergjike që ato zakonisht shfaqen më shumë në numër në të njëjtën kohë. Asocimi më i shpeshtë vërehet midis fillimit të astmës dhe rinitit alergjik, kështu që studime të ndryshme tregojnë se pothuajse 80% e pacientëve me astmë kanë simptoma të RA dhe 10-40% e pacientëve me RA gjithashtu kanë astmë. Mekanizmat e zhvillimit të inflamacionit alergjik të mukozës së frymëmarrjes në pjesët e sipërme mund të jenë një faktor nxitës për zhvillimin/zgjerimin e ndryshimeve dhe të mukozës së rrugëve të poshtme të frymëmarrjes duke rezultuar në rritjen e mbindjeshmërisë së të njëjtit nga ekspozimi ndaj alergjenëve që thithen, gjë që çon në zhvillimin e simptomave të astmës. Prandaj nevoja për zbulimin në kohë dhe trajtimi adekuat i RA në mënyrë që të parandalohen ose zvogëlohen simptomat e astmës si një sëmundje alergjike e shoqëruar tek fëmijët.
Cila është mënyra e trajtimit, që ndërmeret tek fëmijët?
MICEVSKA: Pas vendosjes së diagnozës së RA, duhet trajtim adekuat tek fëmijët. Ai synon të reduktojë simptomat e RA derisa ato të zhduken. Lloji i mjekimit dhe dinamika e administrimit të tyre varet nga intensiteti dhe shfaqja e simptomave të sëmundjes. Kështu, për shembull, me rinitin sezonal, terapia jepet në periudha/sezona kur përqendrimet e disa poleneve janë më të larta, kryesisht nga barishtet si alergjenët më të zakonshëm që shkaktojnë simptoma RA. Në çdo rast, terapia shpesh është afatgjatë dhe kronike. Ilaçet më të përdorura tek fëmijët janë:
- Antihistaminet e gjeneratave të reja si cetirizina, loratadina, desloratadina dhe të tjera që kanë pak ose pothuajse aspak efekt qetësues,
- Kortikosteroidet lokale në formë spreji nazal
- Antileukotrienet dhe imunoterapia specifike, të cilat përdoren më rrallë
Përveç terapisë medikamentoze, e cila është trajtimi i simptomave të RA, rëndësi të madhe për suksesin e saj ka edhe marrja e masave parandaluese për uljen e ekspozimit ndaj alergjenëve. Këto përfshijnë shmangien e ekspozimit ndaj alergjenëve që shkaktojnë reaksionin alergjik, të tilla si mbulesat e pastërta të shtratit dhe pastrimi i rregullt i thellë në shtëpi për mbrojte kundër, mikrokëpushave, heqja e kafshëve shtëpiake prej të cilave keni alergji nga qimet e tyre, kontrolli i kushteve të jetesës në drejtim të eliminimit të lagështirës dhe parandalimi i mykut etj.
Çfarë duhet të ketë parasysh çdo prind?
MICEVSKA: Duke i ditur simptomat e rinitit alergjik si dhe sëmundjet e tjera alergjike, prindi do të jetë i gatshëm t’i njohë të njëjtat nëse ato shfaqen tek fëmija i tij. Kërkesa në kohë për ndihmë mjekësore dhe mundësia e diagnostikimit dhe terapisë së duhur për sëmundjen janë të një rëndësie të madhe. Prindi është ai që do të ndihmojë në zbatimin e rregullt të terapisë dhe sigurisht zbatimin e masave parandaluese për ekspozimin e reduktuar ndaj alergeneve. Bashkëpunimi i tij me mjekun dhe qasja korrekte ndaj fëmijës janë çelësi për suksesin e trajtimit të RA dhe sëmundje të tjera alergjike. Trajtimi në kohë dhe i duhur i simptomave të RA do të zvogëlojë rrezikun e zhvillimit të simptomave të astmës që shpesh shoqërohen me RA.
Përktheu dhe përshtati:S.N