Intervistë me Dr. Vesna Plakoska: Rosacea është sëmundje kronike dhe e paparashikueshme

Kjo është një gjendje kronike inflamatore, e cila manifestohet në episode dhe shoqërohet me kruajtje, djegie dhe tension si shqetësime subjektive, ndërsa ndikon në më shumë se 10% të popullatës së përgjithshme.

Shkruan: Aleksandra Stojanovska/saska@panacea.mk

Rosacea është sëmundje kronike e fytyrës. Megjithëse sëmundja zakonisht shfaqet në dekadën e tretë ose të katërt të jetës, simptomat mund të shfaqen edhe në periudhën e adoleshencës. Por ajo çka është shqetësuese është fakti se vetëm një përqindje e vogël e pacientëve me këtë sëmundje kërkojnë ndihmë mjekësore.

Sipas specialistes së dermatovenereologjisë, Dr. Vesna Plakoska, bëhet fjalë për ndryshimin e lëkurës së fytyrës, gjë që mund të shkaktohet nga një numër faktorësh. Sipas saj, sapo të përcaktohet nëntipi i rosaceas, e njejta trajtohet me modalitet terapeutik individual.

Nuk ekziston një mënyrë e vetme trajtimi, e cila mund të garantojë shërimin e plotë të rosaceas, thekson Dr. Plakoska.

Çfarë është rosacea, për çfarë sëmundje bëhet fjalë?

Dr. Plakovska: Rosacea është ndryshimi në lëkurën e fytyrës, e cila manifestohet me skuqjen e faqeve, me zgjerimin e enëve të vogla të gjakut, por ndonjëherë edhe me “puçrra” të vogla ose më të mëdha. Kjo është një gjendje kronike inflamatore, e cila manifestohet në episode dhe shoqërohet me kruajtje, djegie dhe tension si  shqetësime subjektive, ndërsa ndikon në më shumë se 10% të popullatës së përgjithshme.

Çka e shkakton shfaqjen e saj?

Dr. Plakovska: Shkaku kryesor për shfaqjen e Rosaceas nuk dihet, megjithatë, dallohen disa shkaktarë gjithnjë e më të njohur, ndër të cilat:

  • Faktori i trashëgimisë – hulumtimet tregojnë se 30-40% e anëtarëve të familjes trashëgojnë rosacean;
  • Ndryshimet hormonale – rosacea mund të shfaqet ose të përkeqësohet gjatë shtatzanisë;
  • Dielli – Ekspozimi ndaj diellit dhe temperaturave të larta çon në përkeqësimin e  ndjeshëm të sëmundjes;
  • Organizmat mikrobiologjik – Ekziston korrelacion me praninë demodex folliculorum (të cilat zakonisht jetojnë në kanalet sekretuese të gjëndrave dhjamore) ose Helicobacter Pylori (bakteret e pranishme në stomak) dhe paraqitja e rosaceas;
  • Çrregullimet e mikroqarkullimit;
  • Medikamentet – veçanërisht kremat kortikosteroide, pikat për hundë dhe sy.

Cilat janë simptomat, kur dhe tek kush shfaqet më shpesh?

Dr. Plakovska: Rosacea më së shpeshti paraqitet tek njerëzit me ten të lehtë, ndërsa studimet tregojnë se një numër i madh rastesh shprehet tek njerëzit që kanë probleme me migrenën dhe tek njerëzit me grupën A+ të gjakut.

Femrat janë më të prirura ndaj kësaj sëmundje sesa meshkujt.

Kjo sëmundje kalon nëpër disa faza zhvillimi me simptomatologji të ndryshme. Simptomat fillestare është shfaqja e skuqjes së përkohshme – eritema, e cila zakonisht paraqitet kur temperatura ndryshon nga një ambient i ftohtë në një të nxehtë ose pas konsumimit të pijeve të nxehta ose ushqimeve me aromë dhe djegës. Në këtë fazë, skuqja e fytyrës është një proces i kthyeshëm (shfaqet dhe largohet). Në fazën e mëtejshme, skuqja bëhet e vazhdueshme me shfaqjen e kapilarëve të zgjatur në fytyrë dhe njolla të vogla karakteristike. Tek forma më e rëndë, paraqitet ënjtja dhe skuqja e hundës për shkak të rritjes së enëve të gjakut të indit lidhës, sidomos tek meshkujt. Rosacea gjithashtu mund të shfaqet në qafë, gjoks, veshë. Rozacea kronike dhe progresive gjithashtu shkakton ndryshime në sy, si konjuktiviti me skuqje, kruajtje, djegie, thatësi dhe irritim të dritës.

Cilët janë rrezik faktorët e rosaceas?

Dr. Plakovska: Ndër rrezik faktorët më të zakonshëm të cilët rrisin mundësinë e shfaqjes së rosaceas janë:

  • Faktorët e mjedisit të jashtëm si: ekspozimi ndaj temperaturave të larta dhe të ulëta, era, rrezet e diellit, lagështia dhe ndotja (përfshirë edhe tymin e cigareve), si dhe ekspozimi ndaj polenit dhe shkarkimit të gazrave;
  • Faktorët psikologjik, sidomos stresi dhe ndjenja e zemërimit dhe shtypjes. Adrenalina, si substancë e cila sekretohet nga reaksioni i stresit, shkakton procese inflamatore në lëkurë;
  • Faktorët e jashtëm, siç janë disa aroma të caktuara, detergjentët, barnat për përdorim lokal (sidomos kremrat kortizon), banjat e nxehta, stërvitjet e vështira, ushqimet me aromë;
  • Faktorët mekanikë, siç është presioni i theksuar i lëkurës.

Duke pasur parasysh se rosacea është gjendje që nuk shërohet, cila është mënyra më e mirë për ta mbajtur nën kontroll?

Dr. Plakoska: Nuk ekziston një mënyrë e vetme trajtimi, e cila mund të garantojë shërimin e plotë të rosaceas. Ajo është kronike dhe e paparashikueshme. Ekzaminimi nga dermatologu është i detyrueshëm, nga çka së pari sqarohet diagnoza (duke përjashtuar sëmundjet tjera, të cilat mund të jenë të ngjashme sipas manifestimit). Pas përcaktimit të nëntipit të rosacea, si dhe nëse nevojiten analiza laboratorike, kalohet në një modalitet terapeutik individual të trajtimit. Trajtimi përfshin preparatet të cilat e qetësojnë lëkurën e ndjeshme dhe e rrisin funksionin e tij pengues. Kjo arrihet me kremra special dermakozmetik të cilat kanë një formul të veçantë për këtë qëllim. Përveç kësaj përfshihen edhe kremrat me përbërës aktivë, por nëse është e nevojshme, në format më të rënda, rekaomandohen edhe barnat sistemike. Si opsion modern trajtimi aplikohet edhe teknologjia me laser (NdYag laser).

Si mund të parandalohet shfaqja e mundshme?

Dr. Plakoska: Gjenetika e lëkurës është diçka që nuk duron ndryshime, por respektimi i asaj që është konstituimi ynë, ndihmon që në mënyrë adekuate të kujdesemi për lëkurën siç duhet. Nëse i përkasim grupit të njerëzve me lëkurë të prirur për tu skuqur, duhet të shmanget gjithçka që ndikon në zgjerimin e enëve të gjakut: dielli, solariumi, sauna, alkooli, kafeja, erëzat e fuqishme, ushqim tepër i nxehtë dhe duhani. Në dimër është i detyrueshëm përdorimi i kremave ​që krijojnë kujdes dhe mbrojtje shtesë, ndërsa në verë aplikoni krem ​​me faktori mbrojtës minimal 30. Bëni kujdes me piling trajtimet e lëkurës, me preparatet për pastrimin e fytyrës të cilat thajnë lëkurën ose ato me bazë acide frutash.