Intervistë me Mr. Spec. Dr. Goran Kolevski: Rreth 5 pacientë në ditë preken nga sulmi në tru

Sulmi në tru mund të parandalohet. Sipas statistikave, rreth 80% e sulmeve në tru mund të parandalohen me ndryshimin e stilit të jetës (ndërprerjen e pirjes së duhanit, rritjen e aktivitetit fizik, ushqimit adekuat, reduktimin e stresit), si dhe me ekzaminimet diagnostikuese në kohën e duhur.

Shkruan: Aleksandra Stojanovska/saska@panacea.mk

Sulmi në tru është sëmundje serioze e karakterizuar nga dëmtime të ashpra (akute) të funksioneve të trurit. Ky lloj dëmtimi i aktivitetit të trurit mund të jetë fokal dmth., të prek një pjesë të caktuar të trurit, si dhe global, të shkaktojë edhe humbje të vetëdijes me dëmtim të plotë të aktivitetit të trurit, shpjegon Mr. Spec. Dr. Goran Kolevski, specialist neurolog.



Çfarë lloje të sulmit në tru ekzistojnë?

Mr. Spec. Dr. Kolevski: Ekzistojnë dy lloje të sulmit në tru – hemoragjik (gjakderdhje në tru) dhe sulmi ishemik (infarkti në tru). Gjakderdhja në tru ndodh për shkak të dëmtimit (këputjes) së ndonjë ene të gjakut në tru. Kjo zakonisht ndodh për shkak të rritjes së menjëhershme të presionit të gjakut.

Gjithashtu, në disa pacientë, gjakderdhja në tru ndodh edhe për shkak të dëmtimit të aneurizmës (zgjerimit) të enës së gjakut në tru. Gjatë dëmtimit të enës së gjakut vjen deri te rrjedhja e gjakut, duke rezultuar me dëmtime të rënda të disa funksioneve të trurit. Sulmi ishemik i trurit ndodh për shkak të bllokimit (mbylljes) së enës së gjakut në tru, duke rezultuar në infarkt të trurit. Përkatësisht, gjatë mbylljes së enëve të gjakut ndodh qarkullimi në pjesën e trurit, duke rezultuar në dëmtime të përhershme në një pjesë të trurit – infarkti i trurit.

Ekziston edhe i ashtuquajturi “sulmi ishemik i rastit” (TIA), i cili shkakton dëmtime të përkohshme të funksioneve të trurit, zakonisht në kohëzgjatje prej një ore, duke rezultuar me shërim të plotë spontan dhe largimin e simptomave.

Cilët janë shkaktarët e sulmit në tru dhe cila është frekuenca e paraqitjes së tij?

Mr. Spec. Dr. Kolevski: Sulmi në tru është një sëmundje e zakonshme. Sipas statistikave mjekësore, sulmi në tru është shkaku i dytë i vdekshmërisë në botë, ndërsa paraqet edhe shkaktarin më të zakonshëm të invaliditetit në të gjithë botën. Gjendja është e ngjashme edhe në vendin tonë, ku rreth 5 pacientë në ditë preken nga sulmi në tru.

Shkaktarët më të zakonshëm të sulmit në tru janë: tensioni i lartë i gjakut, diabeti, aritmia kardiake, arterioskleroza me ngushtim (stenozë) të enëve të gjakut të qafës dhe trurit, infarkti kardiak, pirja e duhanit, nivelet e larta të yndyrës në gjak, pasivitet fizik, stresi.

Çfarë dëmtime mund të shkaktojë sulmi në tru?

Mr. Spec. Dr. Kolevski: Në varësi të asaj se, në cilën pjesë të trurit ka ndodhur dhe sa çfarë pjese e trurit është dëmtuar, sulmi në tru çon në dëmtime akute të funksioneve të trurit: vështirësi ose pamundësi në të folur, dobësimi ose paralizimi total i gjymtyrëve (zakonisht njëra anë e trupit), deformimi i fytyrës, shikimi i vështirësuar, marramendje, shqetësime që kanë të bëjnë me vetëdijen etj. Duke pasur parasysh se këto simptoma ndodhin papritmas, pamja klinike e sulmit në tru zakonisht është dramatike.

A mund të parandalohet sulmi në tru?

Mr. Spec. Dr. Kolevski: Sulmi në tru mund të parandalohet. Sipas statistikave, rreth 80% e sulmeve në tru mund të parandalohen me ndryshimin e stilit të jetës (ndërprerjen e pirjes së duhanit, rritjen e aktivitetit fizik, ushqimit adekuat, reduktimin e stresit), si dhe me ekzaminimet diagnostikuese në kohën e duhur.

Një nga metodat diagnostikuese më të rëndësishme është sonografia, domethënë ekzaminimi me ultratinguj i enëve të gjakut në qafë dhe në tru.

Kjo metodë diagnostikuese mund të quhet edhe sonografi color doppler. Ekziston sonografia ekstrakraniale (të qafës) dhe transkraniale (të trurit) të enëve të gjakut. Kjo është një procedurë diagnostike e shpejtë jo invazive / pa dhimbje, nëpërmjet së cilës në mënyrë të thjeshtë dhe të saktë ekzaminohet qarkullim i plotë, si dhe ekzistenca e stenozës (ngushtimit) ose mbylljes (bllokimit) të këtyre enëve të gjakut. Gjithashtu, maten edhe sasitë dhe frekuenca e depozitave arteriosklerotike në mur dhe brenda enëve të gjakut. Të njëjtat parametra shqyrtohen edhe me sonografinë transkraniale, e cila shqyrton gjendjen e qarkullimit të trurit.

Sonografia ekstrakraniale dhe transkraniale janë metoda shumë të rëndësishme diagnostikuese për parandalimin e sulmit në tru. Nëse zbulohet në kohë ndonjë dëmtim i enëve të gjakut në qafë dhe në tru, mund të jepet në kohë terapia e përshtatshme ose pacienti të referohet për procedura të mëtejshme terapeutike, duke bërë që gjasat për sulm në tru të zvogëlohen në minimum.

Çdo pacient i cili ndonjëherë ka pasur TIA (sulm ishemik të rastit) ose ka përjetuar infarkt në tru, duhet të ekzaminohet me këtë pajisje për të përcaktuar ekzistencën e mundshme të mikroembolizave në qarkullimin e tij. Gjithashtu, çdo pacient me diabet, që ka nivele të larta të yndyrës në gjak, ka arteriosklerozë, aritmi, pamjaftueshmëri venoze ose rrezik faktorë të tjerë vaskular, ka indikacion për monitorimin transcranial doppler. Në literaturën mjekësore gjithashtu përfshihen edhe pacientët me migrenë dhe lloje të tjera të kokëdhimbjeve kronike që duhet të shqyrtojnë qarkullimin e tyre të trurit.