Shkruan: Sanja Naumovska/sanja@panacea.mk
Implantimi i zemrës mekanike është tendencë në kardiokirurgjinë botërore, duke pasur parasysh faktin se është gjithnjë e më e vështirë të arrihet në zemrën e një donatori për transplantim. Bëhet fjalë për një ndërhyrje shumë komplekse, në të cilën nuk ka hapsirë për gabime. Zemra artificiale është me të njejtën madhësi si ajo natyrale. Mbushet me bateri, ku pas largimit nga spitali, pacienti do ta mbajë atë në një çantë shpine të veçantë. Metoda revolucionare e pacientëve me dobësim të jashtëzakonshëm të zemrës, u ofron atyre mundësinë të presin për transplantim edhe për më shumë se dhjetë vjet.
Maqedonia është pjesë e njëzet vendeve në botë ku kryhet procedura e implantimit të zemrës artificiale, që nga viti i kaluar ku operacioni i parë i tillë u krye nën udhëheqjen e Prof. Dr. Aleksandar Nikoliq, specialist i kirurgjisë kardiake.
Prof. Nikoliq na shpjegoni se në cilat raste kryhet procedura për implantimin e zemrës artificiale?
Prof. Dr. Nikoliq: Implantimi i zemrës artificiale kryhet tek pacientët që janë në fazën përfundimtare të dështimit kardiak. Këta janë pacientët më të vështirë, pasiqë për shkak të gjendjes së zemrës, vjen edhe deri te dëmtimi i organeve tjera në trup, kryesisht organet më vitale, si mëlçia, veshkat ose mushkëritë. Këta pacientë, përveç simptomave kardiovaskulare, kanë edhe simptoma të tjera që lidhen me sëmundjet e këtyre organeve. Në ditët e sotme, vlerësohet se katër deri në pesë përqind e popullsisë ka dështim malinj të zemrës. Qëllimisht them malinj, pasiqë kjo sëmundje shkon përtej sëmundjeve malinje.
Cilat janë përparësitë dhe mangësitë e zemrës artificiale, në krahasim me transplantimin klasik të zemrës nga donatori?
Prof. Dr. Nikoliq: Një nga mangësitë e zemrës artificiale është fakti që pacienti është i lidhur me sistemin e mbushjes, i cili është i jashtëm dhe duhet ta mbajë atë në çantë shpine ose në qese. Në të gjenden bateritë për mbushjen e zemrës artificiale dhe sistemi për futjen e ajrit të kompresuar dhe vakumi, në mënyrë që zemra të mund të funksionojë. Nga ana tjetër, shpikja e zemrës artificiale dhe mjeteve të tjera solli revolucion në mjekësinë kardiovaskulare, sepse fatkeqësisht, nuk kishte aspak numër të mjaftueshëm të transplanteve të zemrës në botë, për aq sa ka nevojë me të vërtetë.
Kohëve të fundit, numri i transplanteve në të gjitha vendet është gjithnjë e më shumë në rënie, pasiqë gjithnjë e më pak donatorë. Arsyet për këtë janë siguria e rritur në komunikacion, reduktimi i numrit të sulmeve në tru dhe reduktimin e vdekshmërisë në përgjithësi, kështu që ballafaqohemi me një numër të vogël të njerëzve që vdesin papritmas ose përjetojnë sulm në tru. Kjo nga njëra anë është mirë, prandaj kjo metodë është revolucionare pasiqë ju jep një mundësi pacientëve me sëmundje të tillë të zemrës të mund të zgjasin jetën. Me zemrën artificiale mund të presin për transplantim dhe donatorë për 10 ose 15 vjet, ndërsa për ato zakonisht do të numëroheshin ditët.
Për sa kohë mund të mbajë pacienti zemrën artificiale, a ka një afat skadimi?
Prof. Dr. Nikoliq: Kompania që e prodhon jep garancion prej gjashtë vjetësh, por mund të punojë edhe shumë më tepër. Këtë do të na duhet ta shohim në perspektivë, sepse presim që pacientët tanë të jetojnë në 10-15 vitet e ardhshme. Procedura për implantimin e zemrës artificiale është zbatuar gjatë pesë viteve të fundit në mbarë botën, ndërsa unë kam bërë katër të tilaa, një në Serbi dhe tre në Maqedoni.
Zemra artificiale mund të implantohet përsëri te i njëjti pacient, e njëjta gjë vlen edhe për pompat, të cilat vendosen në rast se dështon vetëm njëra anë e zemrës. Nuk ekziston mundësia e refuzimit të zemrës artificiale, ashtu siç ekziston tek transplantimi i zemrës nga donatori. Kjo është një nga arsyet pse disa prej pacientëve që tashmë kanë pompë ose zemër artificiale janë shumë të frikësuar nga transplantimi që ata po presin. Me pompën ose zemrën artificiale tashmë jetojnë një jetë relativisht cilësore, ndërsa në rastin tjetër është çështja nëse transplantimi do të funksionojë, si dhe nëse zemra do të pranohet nga organizmi.
Si është cilësia e jetës së pacientit pas implantimit të zemrës artificiale?
Prof. Dr. Nikoliq: Kufizimet janë më së shumti për shkak të lidhjes së pacientit me sistemin e jashtëm të mbushjes të cilin duhet që ta mbajë me vete, kështu që nuk mund të merret me ndonjë aktivitet të komplikuar fizik. Nëse punon ndonjë punë statike ose në zyrë, mund të kthehet lirisht në punë, natyrisht duhet të lëvizë në mjedise urbane, më saktësisht kudo që mund të sigurojë mbushje të baterive kur të ketë nevojë.
Sa kohë zgjat periudha e rimëkëmbjes derisa pacienti të kthehet në zakonet e përditshme?
Prof. Dr. Nikoliq: Periudha e rimëkëmbjes pas implantimit të zemrës artificiale zgjat të paktën dy deri në tre muaj, por sipas protokollit muajin e parë, duhet të qëndrohet në spital. Në këtë drejtim ekziston ideja për të prodhuar mbushje me valë për zemrën artificiale, gjë që do ta bënte më të lehtë jetën e pacientëve, të cilëve nuk do t’ju duhej të ishin të lidhur fizikisht me baterinë, ndërsa një tjetër risi është se pajisjet do të ishin tërësisht të qeta.