Shkruar nga: Katerina Shekerovska-Dimovska/katerina@panacea.mk
“Ne duhet të mësojmë nga e kaluara, nga eksperienca dhe të përdorim me saktësi testet fenotipike dhe molekulare, në mënyrë që të mos vijëm në projektet e 2050-së, të cilat parashikojnë se infeksionet rezistente ndaj barnave do të bëhen shkaku kryesor i vdekjes në botë”, thotë Prof. Dr. Athanasios Tsakris, mikrobiolog, profesor në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Athinës, Greqi, si dhe kryetar i Shoqatës së Mikrobiologëve të Greqisë.
Rezistenca antimikrobike është problem shëndetësor në rritje. Deri në vitin 2050-të infeksionet rezistente ndaj barnave do të jenë shkaku kryesor i vdekjes. Nëse nuk merren masa drastike për të trajtuar problemin, dhjetë milionë njerëz në vit do të humbasin jetën pa qenë e nevojshme… Konkretisht, çfarë duhet të ndërmerret për të shmangur këtë situatë katastrofike?
Prof. Dr. Tsakris: Nëse nuk marrim masa të përshtatshme, kjo do të bëhet realitet. Duhet të merren masa të sakta, të duhura – për të zvogëluar përdorimin e antibiotikëve, për të përmirësuar shërbimet shëndetësore, testet diagnostifikuese… Duhet të ndërmerren të gjitha këto masa, me qëllim që infeksionet rezistente ndaj barnave të mos bëhen shkaku kryesor i vdekshmërisë në botë.
Cilat janë shkaqet tjera të rezistencës antimikrobike, krahas përdorimit të tepërt të antibiotikëve?
Prof. Dr. Tsakris: Testet jo të mjaftueshme diagnostifikuese për zbulimin e hershëm të patogjenëve dhe rezistencën e tyre ndaj antibiotikëve, janë një arsye tjetër e rëndësishme. Kjo është arsyeja pse duhet të implementohen testet fenotipike dhe molekulare në laboratorët tanë. Përdorimi i këtyre testeve, do të kushtojë shumë më pak se përdorimi i shumë antibiotikëve. Gjithashtu, edhe rezistenca e baktereve patogjene do të jetë më e ulët. Antibiotikët që i kemi në dispozicion, do të përdoren në mënyrën e duhur.
Zbulimi i hershëm i rezistencës antimikrobike është detyrë e rëndësishme dhe ofron zgjidhje efektive të terapisë…
Prof. Dr. Tsakris: Në laboratorin tonë klinik, tashmë kemi implementuar teste të ndryshme fenotipike, të cilat janë mjaft të dobishme në kontrollimin e infeksioneve, por gjithashtu janë të dobishme për grupimin ose ndarjen e pacientëve. Janë shumë të dobishme për përdorimin e rregullt të antibiotikëve, por edhe për qëllime epidemiologjike, për të identifikuar epidemitë e hershme. Prandaj, aplikimi i këtyre testeve është shumë i rëndësishëm.
Cilat janë avantazhet tjera të testeve të reja fenotipike?
Prof. Dr. Tsakris: Ne tashmë i përdorim ato në shumë spitale në Athinë, i kemi implementuar mjaft me sukses në mënyrë që t’i grupojmë pacientët në mënyrën më të përshtatshme. Gjithashtu, ne përdorim edhe disa platforma molekulare në raste të caktuara, kështu që kostoja varijon nga ajo se çfarë informacioni na duhet, dmth., çfarë mundësish financiare kemi, në mënyrë që të kombinojmë testet fenotipike dhe molekulare.
Faktorët që lidhen me rezistencën antimikrobike në Evropë
- Përdorimi i antibiotikëve;
- Cilësia e shërbimeve shëndetësore;
- Lëvizja e popullsisë;
- Përdorimi i antibiotikëve te kafshët dhe në bujqësi;
- Kushtet klimatike;
- Procedurat e papërshtatshme të trajtimit antimikrobik;
- Testet diagnostifikuese jo të mjaftueshme për zbulimin e hershëm të patogjenëve dhe rezistencën e tyre ndaj antibiotikëve.
A janë të shtrenjta këto teste?
Prof. Dr. Tsakris: Varet. Siç e dini, ne kemi probleme financiare në spitalet tona dhe për këtë arsye duhet të gjejmë testin më të përshtatshëm për të mos rritur koston, por në anën tjetër, duhet të marrim informacionin e duhur dhe të zvogëlojmë kostot e përdorimit të antibiotikëve. Pra, sa i përket anës financiare duhet të lëvizim në drejtimin e duhur.
Shumë sëmundje autoimune, madje edhe kanceri, janë të lidhura me mikrobiotën
Problem i vërtetë është mungesa e antibiotikëve të rinj, kundrejt përqindjes së lartë të rezistencës antimikrobike. Ku na çon kjo gjendje?
Prof. Dr. Tsakris: Disa antibiotikë të rinj për bakteriet gram-negative tashmë janë prezantuar, ndërsa ne presim që në vitet e ardhshme të shfaqen të reja. Kjo është një tjetër arsye pse duhet t’i përdorim siç duhet antibiotikët, dhe në të mund të ndihmojnë këto teste fenotipike. Përndryshe, do t’i shkatërrojmë antibiotikët e rinj! Edhe atë shumë lehtë.
Kjo është shumë e rëndësishme, pasiqë nuk kemi shumë mundësi. Duhet të mësojmë nga e kaluara, nga përvoja dhe të përdorim saktësisht testet fenotipike dhe molekulare, në mënyrë që të mos dalim te parashikimet për vitin 2050.
Cili është mesazhi juaj për njerëzit e zakonshëm sa i përket përdorimit të antibiotikëve? Ata përdoren çdo ditë dhe në çdo rast.
Prof. Dr. Tsakris: Përdorimi i antibiotikëve është shumë i lartë. Por, duhet të dimë se ekzistojnë probleme të ndryshme që lidhen me keqpërdorimin e antibiotikëve. Një nga to është ne marrim patogjenë më rezistent… Një tjetër gjë është se mikrobiota jonë, flora e zorrëve kolonizohet me popullim të baktereve të ndryshme, gjë që ka efekt mbi të gjithë sistemin tonë, të gjithë organizmin. Shumë sëmundje autoimune, madje edhe kanceri, janë të lidhura me mikrobiotën tonë. Kur përdorim shumë antibiotikë ne diferencojmë mikrobiotën tonë, e cila lidhet me shumë nga këto gjendje të ndryshme. Pra, ka shumë efekte që janë të lidhura jo vetëm me zhvillimin e rezistencës antimikrobike, por edhe me sëmundje të tjera.
Pra, mendoj se po rekomandoni përdorimin e probiotikëve?
Prof. Dr. Tsakris: Probiotikët – po. Por nëse përdorim shumë antibiotikë nuk është e nevojshme që të përdoren probiotikët!