Intervistë me Prof. Dr. Borçe Georgievski: Mbi 80 sëmundje trajtohen me transplantimin e qelizave amë, ndërsa lista gjithnjë e më shumë zgjerohet

Qelizat amë, gjatë transplantimit, mund të aplikohen të freskëta, por mund që të ruhen edhe në gjendje të ngrirë për dy deri në tre dekada. 

Shkruan: Sanja Naumovska/sanja@panacea.mk

Transplantimi i qelizave amë është metodë përmes së cilës trajtohen disa nga sëmundjet më të vështira të ditëve të sotme. Pjesa më e madhe e tyre janë sëmundjet hematologjike malinje, por në atë rreth hyjnë edhe sëmundjet e lindura, gjenetike, të trashëguara ose autoimune. Indikacionet gjithnjë e më shumë zgjerohen edhe në sëmundjet neurologjike, sklerozën multiple ose sëmundjen e Parkinsonit, por në vitet e fundit, mjaftë interesante është mjekësia rigjeneruese në të cilën qelizat amë përdoren në sëmundjet e pashërueshme të rënda si sëmundja e Alzheimer-it, lëndimet gjatë aksidenteve, kuadriplegisë, autizmit…

Për të gjitha aspektet e aplikimit të transplantimit të qelizave amë në vend, biseduam me Prof. Dr. Borçe Georgievski, hematolog në Klinikën Universitare për Hematologji


Dr. Georgievski, na tregoni se çfarë është transplantimi i qelizave amë?

Dr. Borçe Georgievski: Ekzistojnë tri burime të qelizave amë, palca e eshtrave, gjaku periferik ose kordoni i kërthizës. Burimi i parë që është përdorur është palca e eshtrave, prandaj edhe transplantimi i qelizave amë hematopoietike në publik është e pranuar si transplant i palcës së eshtrave.

Kohëve të fundit, gjithnjë e më shumë po përdoren qelizat amë të gjakut periferik dhe kordonit të kërthizës, prandaj edhe u zhvillua praktika që një numër i madh i prindërve të ruajnë qelizat amë të kordonit të kërthizës të të sapolindurve për nevoja të mundshme në të ardhmen.

Qelizat amë, gjatë transplantimit, mund të aplikohen të freskëta, por mund që të ruhen edhe në gjendje të ngrirë për dy deri në tre dekada.

Deri në këtë moment më shumë se 80 sëmundje trajtohen përmes kësaj metode. Pjesa më e madhe e tyre janë sëmundjet hematologjike malinje, si dhe sëmundjet kongjenitale, gjenetike, të trashëguara ose autoimune. Indikacionet gjithnjë e më shumë zgjerohen edhe në sëmundjet neurologjike, sklerozën multiple ose sëmundjen e Parkinsonit. Transplantimi i qelizave amë është një metodë që gjithnjë e më shumë po fiton vrull. Në vitet e fundit, mjaftë interesante është mjekësia rigjeneruese në të cilën qelizat amë përdoren në sëmundjet e pashërueshme të rënda si sëmundja e Alzheimer-it, lëndimet gjatë aksidenteve, kuadriplegisë, autizmit…

Ekzistojnë tri burime të qelizave staminale, palca e eshtrave, gjaku periferik ose kordoni i kërthizës.

Në Klinikën për hematologji, ndërhyrja funksionon që 19 vjet, që nga viti 2000 e këndej, kryesisht në sëmundjet hematologjike malinje, siç janë leukemitë akute, limfomat, mielomat, por trajtohen edhe lloje të tjera të sëmundjeve malinje. Procedura kryhet si tek fëmijët ashtu edhe tek të rriturit. Deri më tani, janë bërë më shumë se 520 transplantime, ose vitet e fundit midis 50 dhe 60 transplantime të qelizave amë në vit.

Kush mund të bëhet dhurues i qelizave amë?

Dr. Borçe Georgievski: Qelizat amë mund të merren nga vetë pacienti, nëse është në një remision të plotë të sëmundjes dhe kjo procedurë quhet transplantimi autolog. Kur qelizat merren nga një dhurues tjetër, atëherë bëhet fjalë për transplantim alogjenik. Kjo mund të jetë familjare, nëse donatori është një prej të afërmve të familjes. Nëse qelizat amë nuk mund të sigurohen në këto dy mënyra, atëherë kërkohet donator në Regjistrin Botëror, ku aktualisht ka mbi 40 milionë donatorë vullnetarë.  Maqedonia ka regjistrin e vet dhe në mënyrë të barabartë merr pjesë në shkëmbimin e qelizave amë midis vendeve, por që nga viti i kaluar edhe në vendin tonë kryhen transplantime nga një donator i palidhur. Nëse nuk gjendet ndonjë dhurues qelizash edhe në Regjistrin Botëror, atëherë mund të bëhen transplantime edhe me përputhje të pjesshme ose transplantime haploidentike.

Si kryhet transplantimi i qelizave amë?

Dr. Borçe Georgievski: Maqedonia është anëtare e Grupit Evropian të Transplantit dhe plotëson të gjitha kushtet e personelit, teknik dhe material për kryerjen e transplantimit të qelizave amë. Tek ne kryhen të gjitha procedurat që i kryejnë edhe qendrat evropiane dhe botërore. Teknikisht, transplantimi i qelizave amë kryhet përmes aplikimit të qelizave burimore nëpërmjet venës.

Në rastin e transplantimit të qelizave amë, jo vetëm që trupi dëshiron të refuzojë indet, por edhe qelizat e transplantuara e sulmojnë organizmin (Graft versus host disease (GvHD).

Pas ndërhyrjes, pacienti kalon nëpër një fazë të rëndë aplazie, periudhë kjo që zgjat dy deri në tre javë, në të cilën pacienti është i rrezikuar në mënyrë vitale dhe duhet të qëndrojë në kushte të veçanta sterile dhe ndaj tij të kujdeset një ekip i trajnuar posaçërisht. Rreziqet e ndërhyrjes variojnë nga pesë deri në dhjetë për qind.

Pas transplantimit, rreziku i refuzimit të transplantit është i lartë, pasiqë organizmi e njeh si trup të huaj. 

Në rastin e transplantimit të qelizave amë, jo vetëm që trupi dëshiron të refuzojë indet, por edhe qelizat e transplantuara e sulmojnë organizmin (Graft versus host disease (GvHD), gjë që mund të vjen deri te dëmtimi i veshkave, mëlçisë dhe lëkurës. Përveç infeksioneve në periudhën e aplazisë, është ndërlikimi më serioz që paraqitet edhe tek transplantet e suksesshme, ndërsa rezultati mund të jetë fatal. Megjithatë, përvoja në kryerjen e këtyre ndërhyrjeve na jep mundësi për trajtim të suksesshëm të këtyre gjendjeve.

Çfarë trajtimi duhet të ndjekë pacienti pas transplantimit të kryer?

Dr. Borçe Georgievski: Gjashtë muaj deri në një vit pas transplantimit, pacienti duhet të marrë imunosupresion, për të parandaluar mundësinë e refuzimit të qelizave të transplantuara, ose që qelizat që të mos ta sulmojnë organizmin.

Pas kësaj periudhe, pacienti ka një sistem të ri imunitar dhe trajtohet si një fëmijë i porsalindur, për shembull në lidhje me ushqimin e lejuar ose vaksinimin e rregullt. Në periudhën prej deri tre vitesh, janë të mundshme edhe infeksionet më të shpeshta, por pacientët nuk janë të rrezikuar rëndë. Gjatë kësaj periudhe, pacienti tashmë mund t’u kthehet përmbushjes së përgjegjësive, obligimeve dhe socializimit.