Shkruan: Aleksandra Stojanovska
saska@panacea.mk
Dhimbje në shpirt, larja obsesive e duarve dhe rregullimi i gjërave, varësia nga droga, por edhe skizofrenia shumë shpejtë nuk do të trajtohen vetëm me ilaçe, por edhe me ndërhyrje kirurgjikale. Prerjet minimale në pjesë të caktuara të trurit ose stimulimi i tyre mund të shërojë përgjithmonë pacientin ose të paktën të përmirësojë rrënjësisht gjendjen.
Në lidhje me futjen e metodave të reja në trajtimin e sëmundjeve psikiatrike dhe sëmundjeve të varësisë, biseduam me Prof. Dr. Branislav Filipoviq, i cili shprehet se psikokirurgjia funksionon edhe atëherë kur ilaçet nuk ndihmojnë.
Prof. Dr. Filipoviq, psikiatër dhe udhëheqës në Institutin për anatomi në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd, thotë se psikokirurgjia, e cila është duke u përsosur që nga mesi i shekullit të kaluar, ndërsa qendrat më të njohura për këtë degë të mjekësisë janë Suedia dhe Amerika, janë shpëtim për pacientët të cilëve nuk ju përgjigjen ilaçeve.
“Dhjetë deri në 30 përqind e personave me depresion, skizofreni, çrregullim obsesiv-kompulsiv dhe të varurit nga droga nuk përgjigjen ndaj ilaçeve, dhe të gjithë ata janë kandidatë të mundshëm për trajtim kirurgjik”, tha Prof. Dr. Filipoviq.
Çfarë nënkupton psikokirurgjia dhe a do të thotë kjo se pacientit duhet t’i hapet kafka për zbatimin e kësaj metode?
Prof. Dr. Filipoviq: Psikokirurgjia është degë e neurokirurgjisë, kështu që ajo kryhet vetëm në klinikat neurokirurgjike. Tek ne, por edhe në gjithë rajonin ka emra të spikatur në këtë fushë të mjekësisë, që jam i sigurt se do të jenë në gjendje të bëjnë këtë lloj ndërhyrje.
Përndryshe, jo, kafka e pacientit nuk hapet. Te truri arrihet përmes hapjeve minimale në kafkë dhe përmes këtyre hapjeve bëhet ndërhyrja. Kirurgu pret struktura të caktuara të trurit ose pasientit i futen elektroda, përmes të cilave vendosen valët e radiofrekuencës, të cilat kanë për qëllim të presin ose të stimulojnë një pjesë të caktuar të trurit.
Si e përcaktoni nëse pacientit duhet t’i stimulohet ose t’i çaktivizohet një pjesë e trurit?
Prof. Dr. Filipoviq: Kirurgjia psikokirurgjike kërkon përgatitje të përsosur të pacientit. Edhe pasaktësia minimale gjatë ndërhyrjes mund ta çaktivizojë për përherë ose të jetë fatale. Pra, të gjitha vendimet e trajtimit bëhen me radhë dhe duhet të përfshijë: një psikiatër, neurolog, neuroanatom, neurokirurg dhe neuroradiolog. Hap i dytë i rëndësishëm është imazhi funksional i rezonancës magnetike. Pacientit i jepen detyra të caktuara dhe regjistrohen reagimet e trurit gjatë performancës së tyre. Në bazë të reagimeve të trurit, mjekët konkludojnë se çfarë lloj ndërhyrjeje duhet t’i bëhet pacientit.
Si trajtohet në fakt nëpërmjet ndërhyrjes kirurgjike psikiatrike, depresioni?
Prof. Dr. Filipoviq: Në trajtimin e depresionit, më së shpeshti, bëhet cingulotomia, domethënë prerja e fibrave të cingulumit në tru. Këto fibra i lidhin strukturat limbike të trurit, të cilat kontrollojnë kujtesën e përkohshme dhe i lidhin ato me emocionet.
Sa e suksesshme është psikokirurgjia?
Prof. Dr. Filipoviq: Rezultatet më të mira deri më tani kanë treguar frekuencë radiofonike, domethënë stimulim të trurit. Sa u përket metodave tjera, ato janë gjithashtu të mira dhe te shumica e pacientëve çojnë në përmirësim. Ndonjëherë, pacienti nuk ka më nevojë për ilaçe, ndërsa shpesh herë rezultati është se ilaçi funksionon më mirë dhe pacienti arrin një gjendje të qëndrueshme.
Çdo operacion mund të ndërlikohet. A mund që edhe në kirurgjinë psikiatrike të ketë pasoja të padëshiruara?
Prof. Dr. Filipoviq: Lëndime të përhershme në kuptimin e paaftësisë në psikokirurgji nuk ka. Por ka efekte anësore. Ndodh që pas ndërhyrjes, pacientët nuk mund të kontrollojnë urinimin, jashtëqitjen, të kenë oreks të shtuar. Letargjia, apatia dhe reagim i butë ndaj mjedisit që e rrethon mund të jenë pasoja. Kjo është arsyeja pse psikokirurgjia kërkon njohuri të plotë mbi anatominë e trurit dhe të gjitha funksionet e tij.
Duke pasur parasysh diagnostikimin, pajisjet kirurgjikale, si dhe angazhimin e shumë profesionistëve, a është psikokirurgjia metodë e shtrenjtë e trajtimit?
Prof. Dr. Filipoviq: Po, është një metodë shumë e shtrenjtë. Por ja vlen për plan afatgjatë, pasi që nuk harxhohen pafund ilaçe, ndërsa pacientit i sigurohet gjendje shëndetësore e qëndrueshme.