Shkruan: Aleksandra Stojanovska/saska@panacea.mk
Shkaqet e çrregullimit të frymëmarrjes janë të shumta – duke filluar nga ndryshimet e fituara ose të lindura në sistemin e sipërm respirator (gojë, hundë dhe fyt), e deri te çrregullimet e funksioneve që rregullojnë frymëmarrjen. Çrregullimi më i zakonshëm i frymëmarrjes është gërhitja, apnea obstruktive, apnea qendrore dhe hipoapnea. Çrregullimet karakterizohen me frymëmarrje të pamjaftueshme ose me ndërprerjen e frymëmarrjes gjatë gjumit dhe me zgjim e shpeshtë nga gjumi, dhe kanë pasoja të vështira dhe të shumëfishta. Në jetën e përditshme dhe mbi shëndetin në përgjithësi ka ndikim direkt ose indirekt.
Për faktorët e rrezikut, diagnostifikimin dhe trajtimin e këtij çrregullimi serioz, biseduam me Drejtorin e Klinikës së Pulmologjisë dhe Alergologjisë, Prof. Dr. Dejan Dokiç.
Cilat janë pasojat direkte dhe ato indirekte?
Prof. Dr. Dokiç: Tek llojet e pasojave direkt, numërohen: përgjumja e tepërt gjatë ditës dhe lodhja, pavarësisht gjumit të mjaftueshëm, dhimbje koke në mëngjes, depresioni me episode të irritimit, humbja e përqendrimit, humbja e dëshirës seksuale, çrregullimin e gjumit të partnerit në shtrat. Ndërsa pasojat indirekte janë: rritja e tensionit të gjakut, rritja e rrezikut të sëmundjeve të zemrës ose përkeqësimi i sëmundjeve tashmë ekzistuese, rritja e rrezikut të shumëfishtë të goditjes në tru, shtimi në peshë dhe çrregullimet hormonale. Simptomat e këtyre çrregullimeve ndryshojnë në varësi të llojit të çrregullimit, nga gërhitja e zakonshme, deri në episode të shpeshta të ndërprerjes së frymëmarrjes gjatë gjumit, shoqëruar me zgjimin e menjëhershëm nga gjumi dhe frymëmarrjen.
Cilët janë faktorët e rrezikut dhe llojet e çrregullimeve?
Prof. Dr. Dokiç: Çrregullimi më i zakonshëm, klinikisht i rëndësishëm i frymëmarrjes në gjumë është apnea obstruktive. Bëhet fjalë për çrregullimin te i cili vjen deri te mbyllja e rrugëve të frymëmarrjes, pasi që gjuha bie në pjesën e pasme të fytit dhe e pengon qarkullimin e ajrit ose frymëmarrjen. Njerëzit që vuajnë nga apnea obstruktive ndalojnë së marri frymë deri në disa qindra herë gjatë natës. Vlerësohet se rreth 4% e meshkujve dhe 2% e femrave vuajnë nga apnea obstruktive.
Apnea qendrore është shumë më pak e zakonshme se ajo obstruktive dhe prek pacientët me sëmundje të zemrës. Gjithashtu karakterizohet nga episodet e ndërprerjes së frymëmarrjes gjatë gjumit, e cila shfaqet si pasojë e mungesës së impulsit që vjen nga qendra e frymëmarrjes në tru deri te muskujt e frymëmarrjes, kështu që nuk ka lëvizje të kraharorit dhe barkut, ndërsa me këtë nuk ka frymëmarrje.
Ka faktorë që rrisin rrezikun e zhvillimit të apneas, si: gjinia mashkullore, mbipesha, mosha mbi 40 vjeçare, qafë e gjerë dhe e shkurtër, gjuhë e madhe ose kockat e vogla të nofullës, anamneza familjare, refluksi gastro-ezofageal (GERD), obstruksioni i hundës për shkak të devijimit të septumit, alergjitë ose problemet me sinuset.
Si diagnostikohet?
Prof. Dr. Dokiç: Hapi i parë është vënia në dukje e simptomave. Në bazë të simptomave të përshkruara, mjeku kryen ekzaminimin klinik, ndërsa për diagnozë më të saktë, pacienti plotëson edhe një pyetësor të veçantë. Gjithashtu, bëhen edhe testet e gjumit ose të mbajtjes zgjuar. Zbatohet edhe monitorimi i nivelit të oksigjenit në gjak gjatë natës, dmth., polisomnografi gjatë gjithë natës. Kjo është metoda më e sigurt dhe më e saktë sa i përket diagnostikimit të çrregullimit të frymëmarrjes në gjumë.
A shërohen këto çrregullime?
Prof. Dr. Dokiç: Varësisht nga serioziteti i çrregullimit, planifikohet edhe mjekimi i pacientit. Format e lehta të çrregullimit, si: gërhitja e zakonshme pa rënien e konsiderueshme të nivelit të oksigjenit në gjak, si rastet e lehta të apnesë obstruktive mund të trajtohen me masa të përgjithshme. Ato janë: shmangia e pije alkoolike, nikotina, teina në orët e pasdites, shmangia e ushqimeve të rënda dhe në orë të vonshme, të fjeturi anësh në vend të fjeturit në shpinë, përdorimi i pajisjeve të tilla si mbajtësit e mjekrës dhe gjuhës, si dhe shmangia e sedativëve dhe miorelaksantëve. Format e lehta dhe të mesme të apnesë obstruktive trajtohen edhe me ndërhyrje kirurgjikale në sistemin e sipërm respirator dhe në fyt, me 70% sukses. Ata me një formë më të ashpër të apnesë trajtohen me maska të veçanta dhe aparate për frymëmarrje, tek të cilat, kur pacienti ndalon frymëmarrjen, merr ajër nga jashtë i cili nën presionin të shtuar futet nëpër rrugët e frymëmarrjes. Gjithashtu ekzistojnë pajisje speciale për pacientët me apne qendrore, përdorimi i të cilave konsiderohet si metoda më e suksesshme për trajtimin e çrregullimit të frymëmarrjes në gjumë.