Shkruan: Aleksandra Stojanovsk/saska@panacea.mk
Javën e ardhshme në Shkup, për herë të tretë do të mbahet Kongresi i Shoqatës së Urologëve të Maqedonisë, ku parashikohet të ketë edhe një konferencë themeluese të Shoqatës Ballkanike të Urologëve. Me këtë rast, biseduam me Prof. Dr. Oliver Stankov, president i Shoqatës së Urologëve të Maqedonisë.
Cili është misioni dhe qëllimi i këtij Kongresi të tretë të Shoqatës së Urologëve të Maqedonisë?
Prof. Dr. Stankov: Misioni i kongresit është që t’i mbledhë në një vend kolegët maqedonas, evropianë dhe ndërkombëtarë, si dhe t’u mundësojë një shkëmbim të frytshëm të përvojave, ideve dhe njohurive, si përmirësimi i aftësive dhe futja e teknikave dhe teknologjive të reja.
Ajo që dua të theksoj është se, në kuadër të këtij kongresi, parashikohet të mbahet edhe një konferencë themeluese e Shoqatës Ballkanike të Urologëve. Qëllimi i konferencës themeluese është vendosja e themeleve të një shoqate ballkanike, që do të përfshijë Shoqatën e Urologëve nga rajoni dhe së bashku përmes bashkëpunimit të ngushtë të kontribuajnë në promovimin dhe zhvillimin e urologjisë, si dhe zbatimin e risive në vendet e tyre.
Cilat tema do të paraqiten në kongres?
Prof. Dr. Stankov: Këtë vit, do të mbulohen më shumë tema. Para së gjithash, urologjia, por edhe nefrologjia, patologjia, onkologjia, transplantimi, infeksionet urinare dhe variacionet.
Programi shkencor do të përfshijë ligjerata, simpoziume, diskutime dhe punëtori, ku në një vend do të paraqiten arritjet më të fundit në diagnostikimin dhe trajtimin në fushën e urologjisë. Presim kolegë nga rajoni dhe jashtë vendit, në mënyrë që të ndajnë së bashku arritjet mjekësore në urologji.
Gjatë kongresit, i cili do të mbahet nga data 9 deri më 11 nëntor në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë në Shkup, në bashkëpunim me Shoqatën Urologjike Europiane dhe Shkollën Urologjike Europiane, është planifikuar që të mbahet edhe seminar njëditor.